Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Kush ishte «kapiteni i rojave të tempullit» dhe ç’rol kishte?

Ndër udhëheqësit fetarë judenj që arrestuan Pjetrin dhe Gjonin, dy apostujt që po predikonin, ishte edhe «kapiteni i rojave të tempullit». (Veprat 4:1-3) Bibla nuk i përshkruan përgjegjësitë e kapitenit të rojave të tempullit, por disa burime historike na japin të dhëna interesante.

Duket se në kohën e Jezuit, këtë post e mbante një prift që vinte i dyti pas kryepriftit për nga autoriteti. Kapiteni i rojave të tempullit mbante rregullin në tempullin e Jerusalemit dhe përreth tij. Mbikëqyrte adhurimin në tempull, si dhe një grup që mund të quhet forca policore e tempullit. Oficerët që kishte nën komandë, mbikëqyrnin rojat që hapnin portat e tempullit në mëngjes e i mbyllnin në mbrëmje, siguroheshin që të mos hynte askush në zonat e ndaluara dhe ruanin thesarin e tempullit.

Priftërinjtë dhe levitët që punonin në tempull, ishin organizuar në 24 ndarje, ku secila shërbente me rotacion dy herë në vit, nga një javë. Me sa duket, çdo ndarje kishte kapitenin e vet.—1 Kronikave 24:1-18.

Kapitenët e rojave të tempullit ishin njerëz me pushtet. Përmenden bashkë me krerët e priftërinjve që komplotuan për të vrarë Jezuin. Gjithashtu, përdorën ata që kishin nën komandë për të arrestuar Jezuin.—Luka 22:4, 52.

Te Mateu 3:4 thuhet se Gjon Pagëzori ushqehej «me karkaleca dhe me mjaltë». A ishin ushqim i zakonshëm në atë kohë karkalecat?

Disa e kanë vënë në dyshim nëse Gjoni hante vërtet insekte, duke pohuar se Mateu e kishte fjalën për bishtajat e çiçibanozit (e njohur edhe si pema e karkalecave), për frutat e egra ose madje për një lloj peshku. Por, fjala greke që përdori Mateu përcakton një familje karkalecash që sot njihet si Acrididae. Më i zakonshmi në Izrael ishte karkaleci i shkretëtirës, i njohur për mizëritë e mëdha shkretuese që formonte.—Joeli 1:4, 7; Naumi 3:15.

Disa popuj të lashtë, si asirianët dhe egjiptianët, i konsideronin karkalecat një ushqim të zgjedhur. Edhe sot e kësaj dite, ata konsumohen nga disa beduinë dhe hebrenj të Jemenit. Në Izrael, karkalecat konsideroheshin ushqim për të varfrit. Pasi u hiqej koka, këmbët dhe barku, kraharori hahej i gjallë ose i pjekur, ose pasi ishte tharë në diell. Nganjëherë, i kriposnin ose i zhytnin në uthull a mjaltë. Historiani Henri Daniel-Ropsi thotë se shija e tyre përngjan me shijen e karkalecave të detit.

Meqë Gjoni predikonte në shkretëtirë, kishte mundësi të zinte karkaleca. (Marku 1:4) Duke qenë se përmbajnë rreth 75 për qind proteina, karkalecat bashkë me mjaltin përbëjnë një ushqim me vlera të mëdha ushqimore.

[Figura në faqen 28]

Shërbyes Asirianë duke mbajtur karkaleca dhe shegë

[Burimi]

Nga libri Discoveries Among the Ruins of Nineveh and Babylon (1853)