Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Miti 3: Të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell

Miti 3: Të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell

Nga e ka origjinën ky mit?

Pas vdekjes së apostujve të Jezuit, nga fillimi i shekullit të dytë të e.s., etërit e hershëm të kishës filluan të kishin epërsi. Enciklopedia New Catholic Encyclopedia (2003), vëllimi 6, faqja 687, duke përshkruar mësimet e tyre thotë: «Rryma e përgjithshme e mësimeve ishte se, shpirtit të ndarë nga trupi, i jepet lumturia në qiell menjëherë pas çfarëdo pastrimi të nevojshëm që i bëhet pas vdekjes.»

Çfarë thotë Bibla?

«Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!»​—Mateu 5:5.

Megjithëse Jezui u premtoi dishepujve se ‘do t’u përgatiste një vend’ në qiell, ai tregoi se atje nuk shkojnë të gjithë të drejtët. (Gjoni 3:13; 14:2, 3) A nuk u lut ai që të bëhej vullneti i Perëndisë «si në qiell, edhe në tokë»? (Mateu 6:9, 10) Në të vërtetë, të drejtët do të shkojnë ose në njërin vend, ose në tjetrin. Një pakicë do të sundojë në qiell me Krishtin, por shumica do të jetojnë përgjithmonë në tokë.​—Zbulesa 5:10.

Me kalimin e kohës, kisha e hershme ndryshoi pikëpamje për rolin e saj në tokë. Cili qe rezultati? «Kisha zëvendësoi gjithnjë e më shumë Mbretërinë e pritur të Perëndisë»,​—thotë The New Encyclopædia Britannica. Kisha filloi ta forconte pushtetin duke u përzier në politikë dhe duke shpërfillur kështu pohimet e qarta të Jezuit se dishepujt e tij nuk duhej të ishin «pjesë e botës». (Gjoni 15:19; 17:14-16; 18:36) Nën ndikimin e perandorit romak, Kostandinit, kisha komprometoi disa nga bindjet e saj, një prej të cilave kishte të bënte me vetë natyrën e Perëndisë.

Krahasoni këto vargje biblike: Psalmi 37:10, 11, 29; Gjoni 17:3; 2 Timoteut 2:11, 12

E VËRTETA:

Shumica e njerëzve të mirë do të jetojnë përgjithmonë në tokë​—jo në qiell