Një mit lind një tjetër
«RUHUNI»,—u shkroi apostulli Pavël të krishterëve që jetonin në gjysmën e dytë të shekullit të parë të e.s. Nga çfarë duhej të ruheshin ata? Ai paralajmëroi: «Të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve.»—Kolosianëve 2:8.
Me gjithë paralajmërimin e Pavlit, nga mesi i shekullit të dytë të e.s., disa të krishterë nisën të përdornin koncepte të huazuara nga filozofë të lashtë, për të shpjeguar bindjet e tyre. Pse? Donin që të pranoheshin nga njerëzit e arsimuar të Perandorisë Romake dhe kështu të kthenin më shumë njerëz në të krishterë.
Justin Martiri, një nga më të famshmit mes këtyre të krishterëve, besonte se Zëdhënësi i Perëndisë u ishte shfaqur filozofëve grekë shumë kohë para se të vinte në tokë si Jezui. Sipas Justinit dhe mësuesve të tjerë si ai, kontributi i filozofisë dhe i mitologjisë në krishterim e bënte të vlefshme për të gjithë njerëzit këtë formë feje.
Forma e krishterimit të Justin Martirit pati mjaft sukses dhe shumë veta e pranuan. Por përvetësimi i një miti, çoi në krijimin e miteve të tjera dhe prodhoi atë që tani besohet gjerësisht se është doktrina e krishterë. Për të zbuluar të vërtetën rreth këtyre miteve, krahasoni atë çfarë thonë veprat e referimit në vijim, me atë që mëson faktikisht Bibla.