Ai do që të kemi sukses
Afrojuni Perëndisë
Ai do që të kemi sukses
PRINDËRIT e dashur mezi presin që bijtë e tyre të jenë të suksesshëm, të bëjnë një jetë domethënëse e të kënaqshme. Edhe Jehovai, Ati ynë qiellor, dëshiron që bijtë e tij në tokë të kenë sukses. Si shprehje e kujdesit të tij të dashur ai na tregon si të jemi të suksesshëm. Për shembull, le të shqyrtojmë fjalët që i tha Josiut, siç janë dokumentuar te Josiu 1:6-9.
Imagjinoni ngjarjen e ilustruar djathtas. Pas vdekjes së Moisiut, Josiu u bë udhëheqësi i ri i izraelitëve, të cilët arrinin në miliona. Ata po përgatiteshin të hynin në tokën që Perëndia u kishte premtuar paraardhësve të tyre. Perëndia i dha disa këshilla Josiut. Nëse do t’i ndiqte ato këshilla, do të kishte sukses. Por këto këshilla nuk i dha vetëm në dobi të Josiut. Edhe ne mund të kemi sukses nëse i zbatojmë.—Romakëve 15:4.
Jehovai i tha Josiut—jo një, por tri herë—të ishte i fortë e guximtar. (Vargjet 6, 7, 9) Sigurisht, Josiu do të kishte nevojë për forcë e guxim që ta udhëhiqte me sukses kombin për në Tokën e Premtuar. Po si mund t’i fitonte këto cilësi fisnike?
Josiu mund të merrte forcë e guxim nga shkrimet e frymëzuara. ‘Vepro me kujdes në përputhje me tërë ligjin që të urdhëroi Moisiu, shërbëtori im’,—i tha Jehovai. (Vargu 7) Në ato kohë, ndoshta Josiu kishte në dispozicion në formë të shkruar vetëm disa nga librat e Biblës. * Por, thjesht të kesh Fjalën e Perëndisë nuk garanton sukses. Që Josiu të nxirrte dobi prej saj, duhej të bënte dy gjëra.
Së pari, Josiu duhej ta mbushte rregullisht zemrën me fjalën e Perëndisë. Jehovai i tha: «Lexoje nën zë ditë e natë.» (Vargu 8) Një vepër referimi thotë: «Perëndia po e urdhëronte Josiun ta kujtonte Ligjin e Tij ‘duke pëshpëritur’ me vete, ‘duke medituar’ ose ‘duke menduar thellë’ për të.» Leximi dhe meditimi i përditshëm për Fjalën e Perëndisë do ta ndihmonte Josiun të kapërcente vështirësitë që e prisnin.
Së dyti, nevojitej që Josiu ta zbatonte atë që mësonte nga Fjala e Perëndisë. Jehovai i tha: ‘Vepro me kujdes në përputhje me atë që është shkruar aty, sepse atëherë do të kesh sukses në udhën tënde.’ (Vargu 8) Suksesi i Josiut lidhej me bërjen e vullnetit të Perëndisë. S’mund të ishte ndryshe. Vullneti i Perëndisë del gjithmonë i suksesshëm.—Isaia 55:10, 11.
Josiu ua vuri veshin këshillave të Jehovait. Si rezultat, ai bëri një jetë domethënëse e të kënaqshme si adhurues besnik i Jehovait.—Josiu 23:14; 24:15.
A dëshironi të keni sukses në jetë, ashtu si Josiu? Jehovai do që të keni sukses. Por nuk mjafton vetëm ta keni Fjalën e tij, Biblën. Një i krishterë besnik prej shumë kohësh, sugjeroi: «Përpiji faqet e Biblës dhe shkruaji në zemër!» Nëse e mbushni zemrën rregullisht me fjalën e Perëndisë dhe e zbatoni në jetën tuaj atë që mësoni, atëherë, ashtu si Josiu, ‘do të keni sukses në udhën tuaj’.
[Shënimi]
^ par. 4 Shkrimet e frymëzuara që kishte në dispozicion Josiu, mund të kenë qenë pesë librat e Moisiut (Zanafilla, Dalja, Levitiku, Numrat dhe Ligji i përtërirë), libri i Jobit dhe një ose dy psalme.