«Deri kur . . . do të thërras për ndihmë?»
«Deri kur . . . do të thërras për ndihmë?»
«Sa do të doja të më pushonte dhembja!»—qante Xheni. Ajo ishte me kancer, i cili po i përhapej në gjithë trupin. Sa shumë donin familja dhe miqtë t’ia hiqnin atë sëmundje dhe agoni! Iu lutën Perëndisë që ta ndihmonte. A do t’i dëgjonte ai? A donte t’ia dinte për ta?
PERËNDIA është në dijeni të gjendjes në të cilën ndodhet familja njerëzore. Fjala e tij, Bibla, thotë: «E gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.» (Romakëve 8:22) Perëndia e di se ka qindra milionë njerëz që, ashtu si Xheni, durojnë çdo ditë dhembje fizike, emocionale ose mendore. Ai i sheh ata 800 milionë veta që shkojnë të flenë të uritur çdo natë, miliona të tjerët që vuajnë nga dhuna në shtëpi dhe prindërit e shumtë që merakosen për të ardhmen dhe mirëqenien e fëmijëve të tyre. A ke pyetur ndonjëherë veten nëse Perëndia do të vërë dorë? Natyrisht, nëse ne duam t’i ndihmojmë familjarët tanë, a nuk dëshiron Perëndia të ndihmojë familjen njerëzore, krijimin e tij?
Nëse ke menduar për këto gjëra, nuk je i vetmi. Mbi 2.600 vjet më parë, një njeri besnik që quhej Habakuk, ndihej si shumë veta sot dhe e pyeti Perëndinë: «Deri kur, o Jehova, do të thërras për ndihmë dhe ti nuk do të më dëgjosh? Deri kur do të thërras për ndihmën tënde kundër dhunës e ti nuk do të më shpëtosh? Përse më bën të shoh të keqen dhe vazhdon të vështrosh ligësinë? Përse para meje ka grabitje dhe dhunë, pse ka grindje dhe zënka?» (Habakuku 1:2, 3) Habakuku, një profet hebre, pa në kohën e tij akte tronditëse dhune e agresiviteti të paparë. Sot, akte të tilla janë në lajme përditë dhe i tronditin njerëzit zemërdhembshur.
A i pa me nënçmim Perëndia shqetësimet e Habakukut? Jo. Ai i dëgjoi pyetjet e sinqerta të atij njeriu të shqetësuar dhe e ngushëlloi e i dha zemër. Perëndia Jehova ia forcoi besimin Habakukut me premtimin se do t’u jepte fund vuajtjeve. Mesazhi i shpresës që ka dhënë Perëndia mund të të ngushëllojë edhe ty, siç ngushëlloi Xhenin dhe familjen e saj. Artikujt vijues do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve: si mund të jemi të sigurt se Perëndia kujdeset vërtet për ne? Ç’do të bëjë Perëndia për t’u dhënë fund vuajtjeve dhe kur?