Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngushëllim pas një masakre në shkollë

Ngushëllim pas një masakre në shkollë

Ngushëllim pas një masakre në shkollë

FAQJA e parë e gazetës ishte e gjitha e zezë. Në mes të saj ishte shkruar me të madhe: «Pse?» Kjo ishte pyetja që bënin shpesh në Vinenden, në jug të Gjermanisë, pasi një 17-vjeçar qëlloi pa hesap me armë duke lënë 15 të vdekur e në fund vrau edhe veten. Flamurët në të gjithë Gjermaninë u ulën në gjysmë shtizë, dhe lajmi për këtë tragjedi mori dhenë.

Vinendeni është një qytet i begatë dhe piktoresk, i rrethuar nga vreshta e pemishte. Dita e 11 marsit 2009, nisi si një ditë e zakonshme në shkollën «Albertvil». Papritur, në orën 9.30 të mëngjesit, shpërtheu dhuna e kaosi.

Një i ri hyri me furi në ish-shkollën e tij me një armë në dorë, të cilën e kishte marrë nga dhoma e prindërve. Ai qëlloi dhe la të vdekur njëri pas tjetrit nëntë nxënës dhe tri mësuese në tri klasa e përgjatë korridorit, duke plagosur edhe shumë të tjerë. Policia erdhi brenda pak minutash. Vrasësi ia mbathi drejt oborrit të një klinike psikiatrike aty pranë. Atje vrau një punonjës të mirëmbajtjes. Pastaj mori peng një makinë duke e mbajtur shoferin nën kërcënimin e armës. Pas 40 kilometrash rrugë, shoferi arriti t’ia mbathte. Në një agjenci ku shiteshin makina, ai vrau një shitës e një klient dhe plagosi rëndë dy policë që po i afroheshin për ta kapur. Kur policia më në fund e rrethoi, ai vrau veten duke shkrehur armën në kokë.

Sipas atyre që e njihnin vrasësin, ai ishte një adoleshent i zakonshëm që donte të ishte i pranuar nga të tjerët dhe të kishte miq. Atëherë, cili ishte problemi? Mund të ketë pasur prirje depresive dhe luante me armë me ajër të kompresuar e me disa lojëra kompjuterike të dhunshme mjaft të përhapura. Por disa thonë që kjo s’do të thotë gjë, pasi kështu bëjnë edhe mijëra të rinj të tjerë. Po viktimat? A i zgjodhi ata që vrau apo qëlloi kuturu? Pati disa spekulime në lidhje me faktin që qëlloi tetë vajza dhe vetëm një djalë. Askush nuk mund të jepte një shpjegim të mirë.

Reagimet e menjëhershme

«Kur djali telefonoi dhe më tha për vrasjet në shkollë, nuk mund ta besoja,—kujton Hajki.—Por kur dëgjova zhurmat e makinave të policisë dhe të ambulancave, më zuri paniku.» Ka shumë mundësi që ardhja e menjëhershme e policisë nuk e la vrasësin të vriste edhe të tjerë në atë shkollë. Pasi shkolla u boshatis, mjekët e urgjencës, psikologët dhe klerikët erdhën në vendin e ngjarjes dhe punuan pa u lodhur për të ndihmuar nxënësit.

Gazetarët u dyndën në shkollë duke u përpjekur të intervistonin nxënësit, shumë prej të cilëve ishin ende të tronditur. Një nxënës numëroi 28 makina të 26 stacioneve televizive që kishin parkuar para shkollës. Konkurrenca midis mediave ishte mjaft e ashpër, dhe kjo bënte që të jepnin informacione të pabazuara. Një gazetar shkoi në familjen e një prej vajzave të vrara pikërisht ditën e masakrës për të kërkuar ndonjë fotografi të saj. Kurse të tjerë paguanin nxënësit që t’u bënin fotografi. Të rrëmbyer nga çmenduria e momentit, disa gazetarë dukej se e kishin të vështirë të gjenin ekuilibrin midis gjetjes së lajmeve interesante para të tjerëve dhe konsideratës e respektit për viktimat.

Siç ndodh shpesh në këto raste, njerëzit i drejtohen fesë për ngushëllim e shpjegime. Ditën e masakrës u mbajt një shërbesë fetare ekumenike. Shumë njerëz e vlerësuan këtë mbështetje. Por ata që kërkonin ngushëllim nga Fjala e Perëndisë dhe përgjigje për pyetjet e tyre pështjelluese, mjerisht u zhgënjyen. Një familje shkoi në funeralin e shoqes së klasës së djalit të tyre. Mamaja e tij tha: «Një peshkop foli për vuajtjet e Jobit. Prita që të shpjegonte mësimin që nxjerrim nga rasti i tij ose të jepte ngushëllim—por asgjë. Nuk tha asnjë fjalë për arsyet pse vuajti Jobi ose si përfunduan gjërat për të.»

Një burrë u mërzit shumë nga fjalët boshe që dëgjoi. Ai kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait rreth 30 vjet më parë, por e kishte ndërprerë studimin. Tani shkon përsëri në mbledhje.

Valiza, një 14-vjeçare që studion rregullisht Biblën me Dëshmitarët, ishte në një nga klasat pranë skenës së gjakderdhjes. Sapo dëgjoi të shtënat, filloi t’i lutej Jehovait. Më vonë, kur e pyetën se si po e përballonte traumën, ajo tha se ngjarja vërtetonte atë që kishte mësuar nga Bibla për këto ditë të fundit e kritike. (2 Timoteut 3:1-5) Dy Dëshmitare po përpiqeshin t’u thoshin ca fjalë ngushëlluese fqinjëve të tyre. Një grua e moshuar u afrua dhe u tha: «Shumë të tjerë duhet të bëjnë këtë që po bëni ju.» Trishtimi dhe tronditja nga masakra i shtyu disa të dëgjonin rreth shpresës dhe ngushëllimit që jep Fjala e Perëndisë.

Pasojat e traumës vazhdojnë

Sigurisht, as fjalët më të ndiera e më ngushëlluese nuk mund ta zhdukin gjithë tronditjen dhe dëshpërimin e atyre që janë prekur drejtpërdrejt nga tragjedia. Nuk ka fjalë që mund t’i heqë dhembjen një prindi që ka humbur fëmijën ose ta ngrejë nga ana emocionale policin që vrapoi për në shkollë dhe gjeti gruan e tij ndër të vrarët.

Nxënësit që mbijetuan nga kjo tragjedi, bashkë me familjet e tyre, u traumatizuan jashtë mase, secili në mënyrën e tij. Vasiliosi u hodh nga dalja e urgjencës sapo vrasësi filloi të qëllonte. «Kur kërceva jashtë,—kujton ai,—iu luta Jehovait. Thashë se aq e pata. Isha i sigurt se ajo ishte lutja ime e fundit.» Në javët pasuese, e torturonin ëndrrat e këqija dhe nuk donte të fliste me askënd. Inatosej sidomos kur shihte që mediat e përdornin ngjarjen e masakrës për përfitim dhe futnin hundët kudo vetëm për të mbledhur informacione. Me kalimin e kohës, arriti të kthehej në realitet.

Jonasi ishte në të njëjtën klasë me Vasiliosin dhe pa me sytë e tij vrasjen e pesë shokëve të klasës. Ai tha: «Menjëherë pas asaj që ndodhi, nuk e kisha problem të flisja për të; ishte si një film i frikshëm. Por tani, e kam të vështirë të them se si po e përballoj. Kam luhatje humori. Ndonjëherë nuk dua të flas fare për atë që ndodhi; ndonjëherë flas shumë për të.» Edhe ai vuan nga ëndrrat e këqija dhe ka probleme me gjumin.

Pas disa ditësh, nxënësve iu kthyen gjërat personale që kishin atë ditë në klasë. Traumatologët paralajmëruan se po t’i shihnin përsëri ato gjëra, do t’u kujtohej tragjedia. Në fillim, Jonasi nuk donte as ta prekte xhaketën e tij, çantën e shkollës dhe kaskën e motoçikletës. Gjithashtu, tmerrohej kur shihte ndonjë që i ngjante vrasësit ose që mbante çantë shpine si e tija. Kur prindërit shihnin një film dhe dëgjohej ndonjë krismë, e kapte ankthi. Terapistët u përpoqën t’i ndihmonin viktimat të çliroheshin nga këto lidhje mendore me ngjarjen traumatike.

Jurgeni, babai i Jonasit, punon në klinikën ku u vra një punonjës. Ai tha se shumë prindër dhe kolegë nuk gjenin dot prehje kur mendonin për arsyet e ngjarjes dhe për fundin që mund të kishin pasur edhe ata. Për shembull, një punonjëse e klinikës që nga ballkoni kishte parë vrasësin duke kaluar, ishte kaq e tronditur nga ideja se mund ta kishte vrarë edhe atë, sa iu desh të konsultohej me psikiatrin.

Çfarë i ka ndihmuar disa?

Çfarë i ka ndihmuar disa ta kapërcejnë këtë përvojë të tmerrshme? Jurgeni thotë: «Megjithëse ndonjëherë është e vështirë, ndihem mirë kur jam me të tjerë. Merr zemër kur e di se të tjerët interesohen për ty dhe se nuk je vetëm.»

Edhe Jonasi e vlerëson interesimin e të tjerëve: «Shumë dërgojnë kartolina dhe mesazhe. Disa përmendin shkrime biblike, që pastaj i lexoj. Kjo më jep zemër.» Çfarë e ndihmon tjetër? «Kur zgjohem natën dhe e shoh që s’mundem më, lutem. Ndonjëherë dëgjoj muzikë ose regjistrime nga revista Zgjohuni!» * Ai shton se Bibla na tregon përse ndodhin të gjitha këto gjëra: Satanai është sundimtari i botës dhe jetojmë në kohën e fundit. Babai i tij thotë se kjo njohuri i ndihmon të përballojnë traumën.

Së shpejti vuajtjet do të marrin fund

Brenda pak ditësh, vendin para shkollës e mbuluan qirinjtë, lulet dhe letrat. Kerstina vuri re që disa kishin shkruar letra ku pyesnin se përse kishte ndodhur kjo dhe pse e kishte lejuar Perëndia. Me mendimin se këto pyetje meritonin të merrnin përgjigje, ajo bashkë me dy Dëshmitare të tjera shkruan një letër dhe e vunë bashkë me të tjerat.

Gjatë ceremonisë zyrtare në nder të viktimave, një stacion televiziv tregoi letrën e saj dhe citoi rreshtat e parë: «Pse? Ditët e fundit, po dëgjohet gjithnjë e më shumë kjo pyetje dhe pyetje të tjera, si: ku ishte Perëndia? Dhe pse e lejoi këtë?» Është për të ardhur keq që citimin nuk e lexuan deri në fund.

Pse themi se është për të ardhur keq? Sepse në vazhdim letra shpjegonte burimin e të gjitha vuajtjeve dhe thoshte se Perëndia «do të marrë masa që të zhbëhet i gjithë dëmi i shkaktuar nga njerëzit». Pastaj shtonte: «Në librin e fundit të Biblës, Perëndia thotë se Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e njerëzve. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» Madje Perëndia Jehova do të kthejë në jetë të vdekurit. Në Mbretërinë e tij që do të vijë së shpejti, nuk do të ndodhin më tragjedi, masakra ose vuajtje. Perëndia ka premtuar: «Ja, po bëj çdo gjë të re.»—Zbulesa 21:4, 5.

[Shënimi]

^ par. 20 Revista Zgjohuni!, në formë të shtypur ose të regjistruar, botohet nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 12]

Jonasi mori një kartolinë ku thuhej: «Të kemi vazhdimisht në mendje»

[Burimi i figurës në faqen 9]

Focus Agency/​WPN

[Burimi i figurës në faqen 9]

© imagebroker/​Alamy

[Burimi i figurës në faqen 10]

Fotografia: picture alliance

[Burimi i figurës në faqen 11]

Fotografia: picture alliance