Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia kujdeset vërtet: Si e dimë?

Perëndia kujdeset vërtet: Si e dimë?

Perëndia kujdeset vërtet: Si e dimë?

ËSHTË një pyetje e vjetër, por e rëndësishme, që njerëzit e kanë menduar për mijëra vjet: nëse Perëndia na do, pse ka kaq shumë vuajtje? Me siguri, ti je dakord se kur e do dikë, nuk dëshiron që ai ose ajo të vuajë dhe, po të ishte në telashe, do të përpiqeshe ta ndihmoje. Prandaj, shumë njerëz mendojnë se meqë në botë ka kaq shumë vuajtje, me siguri Perëndia nuk na do. Kështu, është e rëndësishme që së pari të shqyrtojmë provat se Perëndia na do vërtet dhe se kujdeset për ne.

Krijimi dëshmon për dashurinë e Perëndisë

Perëndia Jehova është ‘Ai që bëri qiellin, tokën, detin e gjithçka në ta’. (Veprat 4:24) Ndërsa meditojmë për gjërat që ka bërë Jehovai, me siguri nxjerrim përfundimin se kujdeset për ne. Për shembull, mendo për gjërat që të japin kënaqësi e lumturi. A të pëlqen ushqimi i mirë? Jehovai mund të kishte siguruar vetëm një lloj ushqimi për të na mbajtur në jetë. Por, në vend të kësaj, krijoi larminë e pafund të ushqimeve që na bëjnë të na lëshojë goja lëng. Gjithashtu, Jehovai e ka zbukuruar tokën me një shumëllojshmëri të mrekullueshme pemësh, lulesh e peizazhesh që na e bëjnë jetën të kënaqshme dhe interesante.

Mendo edhe për mënyrën si jemi bërë ne njerëzit. Ndjenja e humorit, aftësia për të shijuar muzikën dhe për të vlerësuar të bukurën nuk janë të nevojshme për të jetuar, por janë që të gjitha dhurata nga Perëndia që na e pasurojnë jetën. Mendo edhe për lidhjet që ke me të tjerët. Kujt nuk i pëlqen shoqëria e përzemërt e miqve të mirë ose përqafimi i dikujt të cilin e kemi shumë për zemër? E pra, vetë aftësia për të dashur është dhuratë nga një Perëndi që shfaq dashuri. Meqë Perëndia krijoi te njerëzit aftësinë për të dashur, kjo cilësi duhet të jetë se s’bën pjesë e personalitetit të Tij.

Bibla na siguron për dashurinë e Perëndisë

Bibla na thotë se Perëndia është dashuri. (1 Gjonit 4:8) Kjo dashuri jo vetëm që shfaqet në krijim, por është e dukshme edhe në Fjalën e tij, në Bibël. Për shembull, Bibla jep udhëzime që na ndihmojnë të kemi shëndet të mirë, nxit maturinë në çdo gjë dhe paralajmëron kundër dehjes e grykësisë.—1 Korintasve 6:9, 10.

Gjithashtu, Bibla jep këshilla të mençura për lidhjet njerëzore, duke na nxitur ta duam njëri-tjetrin dhe t’i trajtojmë të tjerët me respekt, dinjitet e dashamirësi. (Mateu 7:12) Ajo dënon praktika e qëndrime që sjellin vuajtje, të tilla si lakminë, thashethemet, zilinë, kurorëshkeljen dhe vrasjen. Nëse të gjithë do të përpiqeshin të jetonin sipas këshillave të shkëlqyera që përmbajnë Shkrimet, me siguri në botë do të kishte shumë më pak vuajtje.

Gjithsesi, shfaqja më e madhe e dashurisë së Perëndisë ishte kur dha Birin e tij, Jezuin, si shpërblesë për njerëzimin. Te Gjoni 3:16 thuhet: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» Pra, Jehovai tashmë ka marrë masa t’i japë fund një herë e mirë vdekjes dhe çdo lloj vuajtjeje.—1 Gjonit 3:8.

Qartë, ka prova të shumta se Jehovai na do. Logjikisht, pra, nuk kënaqet aspak kur na sheh të vuajmë. Ai do t’u japë fund vuajtjeve. S’kemi pse të hamendemi për këtë, pasi Bibla na thotë me saktësi si do t’i zhdukë Perëndia vuajtjet.

[Figura në faqen 4]

Aftësia për të dashur është dhuratë nga një Perëndi që shfaq dashuri