Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do t’i vijë fundi tokës?

A do t’i vijë fundi tokës?

A do t’i vijë fundi tokës?

«FUNDI i botës mbetet përherë temë me interes, të paktën në kinematografi.» Kështu u shpreh publicisti Xhon Skalzi. Përse filmat që përshkruajnë fundin e botës e bëjnë për vete publikun? «Sepse flasin për gjërat që kemi frikë»,—arsyetoi Skalzi. A jeni dakord edhe ju? A kemi arsye të vlefshme për të pasur frikë se si dhe kur do të vijë fundi i tokës dhe i jetës?

Thuajse çdo ditë dëgjojmë për katastrofa natyrore që bëjnë kërdinë përqark globit. Filmimet e tmerrshme të këtyre katastrofave shfaqen e rishfaqen në televizor dhe në Internet. Kur bombardohemi me pamje të njerëzve realë dhe vendeve reale, që bien pre e shkatërrimit, është kollaj ta shohim fundin e botës si një kërcënim të vërtetë, jo thjesht si subjekt filmash.

Si për ta shtuar këtë frikë, shkencëtarët nxjerrin teori si do të vijë fundi i tokës. Madje disa parathonë edhe atë që mund të quhet data e skadencës së tokës. Në mars të vitit 2008, botimi Të rejat mujore të Shoqërisë Mbretërore Astronomike (anglisht) raportoi se dy astronomë parashikojnë se pas nja 7,59 miliardë vjetësh dielli do ta gllabërojë planetin tonë dhe ai do të zhduket.

A do t’i vijë vërtet tokës data e skadencës?

A ka planeti ynë një datë skadence?

Bibla na siguron: «Një brez shkon dhe një brez tjetër vjen, por toka qëndron përjetë.» (Eklisiastiu 1:4) Perëndia Jehova, patundshmërisht, ‘e vendosi tokën mbi themele të forta’ dhe e projektoi të mos shkatërrohej «asnjëherë, po, kurrën e kurrës». (Psalmi 104:5) A ju duken të pabesueshme këto fjalë të frymëzuara nga Perëndia? Pse duhet të besoni se toka nuk do të marrë fund, ndërkohë që disa shkencëtarë thonë të kundërtën?

Po ja, mendoni për një çast për artikujt në raftet e dyqaneve. Disa kanë të shkruar datën e skadencës. Kush e vuri atë datë? Mos e vuri pronari i dyqanit bazuar në njohuritë e veta? Sigurisht që jo. Datën e skadencës e vendosi prodhuesi. Ne i besojmë asaj date, pasi prodhuesi e njeh më mirë se kushdo tjetër atë që ka bërë vetë. Atëherë, sa më shumë duhet të kemi besim te Bërësi i planetit tonë! Në Fjalën e tij thuhet qartë se ‘e bëri tokën të patundur’ që të mbetet përgjithnjë. Toka nuk ka një datë skadence, nuk do të shkatërrohet kurrën e kurrës.—Psalmi 119:90.

Por, a mund të jenë njerëzit e papërgjegjshëm ata që do ta ndotin planetin deri aty sa të mos e marrë më veten? Absolutisht jo! Ndryshe nga prodhuesit e artikujve, Jehovai është ‘në gjendje të bëjë gjithçka’. (Jobi 42:2) Ja përse mund të na garantojë me siguri: «Fjala që del nga goja ime . . . do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.» (Isaia 55:11) Mund të jemi të sigurt se ‘Bërësi ynë’ s’do të lejojë asgjë ta pengojë në realizimin e qëllimit të tij për tokën. (Psalmi 95:6) Çfarë qëllimi është ky dhe si do ta realizojë Perëndia?

Mbretëria e Perëndisë do të realizojë qëllimin e tij

Përveçse na garanton se toka nuk do të marrë fund kurrë, Fjala e Perëndisë na tregon edhe se ai «e formoi që të banohej». (Isaia 45:18) Ndonëse toka është banuar për mijëra vjet, kjo nuk do të thotë se qëllimi i Perëndisë është përmbushur.

Jehovai është ‘Perëndi i lumtur’ dhe «e do drejtësinë». (1 Timoteut 1:11; Psalmi 37:28) Qëllimi i tij është që të gjithë njerëzit të jetojnë të lumtur dhe të mos ketë më padrejtësi. Për ta realizuar qëllimin e tij, Perëndia paratha se do të vendoste në qiej një mbretëri që do të qeveriste mbarë tokën. (Danieli 2:44) Kur ishte në tokë, Jezui foli vazhdimisht për Mbretërinë e Perëndisë. Ai i inkurajoi dishepujt e tij të luteshin për këtë qeveri, pasi e dinte ç’bekime do të kishte toka nën sundimin e asaj Mbretërie. (Mateu 6:9, 10; 24:14) Cilat janë disa nga këto bekime?

Do të mbretërojë paqja dhe siguria, sepse Perëndia premton t’u japë fund luftërave.—Psalmi 46:9.

Do të ketë ushqim me bollëk për të gjithë.—Psalmi 72:16.

Kujdesi shëndetësor nuk do të jetë më problem, sepse «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24.

Nuk do të ketë më pikëllime, sepse «nuk do të ketë më vdekje».—Zbulesa 21:4.

Perëndia premton se njerëzit e tij do të ndërtojnë shtëpitë e veta, do të jetojnë në siguri dhe do të jenë «gjithmonë të gëzuar».Isaia 65:17-24.

Pa dyshim që edhe ju dëshironi me gjithë shpirt të gëzoni kushte si ato të përmendura më sipër. Jehovai ka një zell të madh, një dëshirë të zjarrtë që ta realizojë atë që ka parathënë. (Isaia 9:6, 7) Prapëseprapë, ju ndoshta pyesni: «Ka mijëra vjet që kur premtimet e Perëndisë u shkruan në Bibël. Pse nuk janë plotësuar ende?»

Durimi i Perëndisë është shpëtim për ne

Jini të sigurt se «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij». Në Bibël shpjegohet se, me dashuri, Perëndia ka treguar durim ndaj nesh. Prandaj, nxitemi ‘ta konsiderojmë durimin e Zotërisë tonë si shpëtim’. (2 Pjetrit 3:9, 15) Por, pse ka qenë i nevojshëm për shpëtimin e njerëzve durimi i Perëndisë?

Pikësëpari, Perëndia e di që para se t’u japë njerëzve të drejtë një vend të sigurt e të begatë, duhet ‘të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Megjithatë, ngaqë i do njerëzit, Jehovai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë». Prandaj, me durim, Ati ynë qiellor është përpjekur ta paralajmërojë të ligun «që ta lërë rrugën e tij të ligë». Për këtë arsye, Jehovai po bën që mesazhi për Mbretërinë e tij të predikohet anembanë botës. * (Ezekieli 3:17, 18) Të gjithë ata që i vënë veshin paralajmërimit të Perëndisë dhe e vënë jetën në përputhje me parimet e tij të drejta, do të shpëtojnë dhe do të gëzojnë jetën e përhershme në një tokë parajsore.

Kthehuni te Perëndia dhe shpëtoni

Vërtet, Bibla ka një ‘lajm të mirë’ për ne. (Mateu 24:14) Ajo na jep fjalën e padështueshme të Perëndisë se toka, shtëpia jonë, nuk do të marrë fund kurrë. Për më tepër, sipas profecive të Biblës, mund të kemi besim se «edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më». Së shpejti, vetëm ata që janë të drejtë në sytë e Perëndisë «do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund». (Psalmi 37:9-11, 29; Mateu 5:5; Zbulesa 21:3, 4) Deri sa të vijë ajo kohë, Perëndia do të na thërrasë ende me durim: «Kthehuni tek unë dhe shpëtoni të gjithë ju që jeni në skajet e tokës.» (Isaia 45:22) Si do t’i përgjigjeni?

Pse të mos ktheheni me vendosmëri te Perëndia? Psalmi 37:34 na nxit: «Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij, e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën.» Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë të mësoni më shumë rreth qëllimit të përhershëm të Perëndisë për tokën dhe si mund të fitoni jetën e ta shihni atë qëllim të bëhet realitet.

[Shënimi]

^ par. 21 Në bindje të urdhrit të Jezuit te Mateu 28:19, 20, më shumë se shtatë milionë Dëshmitarë të Jehovait në 236 vende, harxhojnë rreth një miliardë e gjysmë orë çdo vit duke u mësuar njerëzve qëllimin madhështor të Perëndisë për tokën.

[Burimi i figurës në faqen 22]

Fotografi nga NASA