Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai i mban premtimet

Ai i mban premtimet

Afrojuni Perëndisë

Ai i mban premtimet

JOSIU 23:14

A E KE të vështirë t’u besosh të tjerëve? Mjerisht jetojmë në një botë ku ndodh vazhdimisht që njerëzit te të cilët kemi besim, na zhgënjejnë. Nëse dikush të ka lënduar kështu, ndoshta ngaqë të ka gënjyer ose nuk e ka mbajtur fjalën, mund të mos i besosh më askujt. Megjithatë, është dikush të cilit mund t’i besosh pa u zhgënjyer kurrë. Proverbat 3:5 na nxit: «Beso te Jehovai me gjithë zemër.» Pse Jehovai e meriton këtë lloj besimi? Për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje le të shqyrtojmë fjalët e Josiut, një njeri që pati besim të plotë te Jehovai. Këto fjalë janë dokumentuar te Josiu 23:14.

Të shqyrtojmë pak rrethanat. Josiu, udhëheqës i Izraelit, i cili pasoi Moisiun, po i afrohet moshës 110-vjeçare. Gjatë jetës së tij të gjatë, ka parë me sytë e vet shumë nga veprat e fuqishme që Jehovai kreu për Izraelin, përfshirë edhe çlirimin e mbinatyrshëm përmes Detit të Kuq rreth 60 vjet më parë. Tani, ndërsa mendon për jetën e tij, Josiu mbledh «pleqtë—krerët, gjykatësit dhe të parët» e Izraelit. (Josiu 23:2) Fjalët që u thotë nuk zbulojnë thjesht mençurinë e moshës, por meditimet e një zemre plot besim.

«Unë po shkoj sot ku shkon e gjithë bota»,—shpjegon Josiu. Shprehja «ku shkon e gjithë bota» është një idiomë që i referohet vdekjes. Me fjalë të tjera, Josiu po thotë: «Nuk më ka mbetur edhe shumë për të jetuar.» Duke ditur se po i afrohet vdekja, sigurisht Josiu ka kaluar shumë orë në qetësi duke medituar për jetën e tij. Cilat janë fjalët e tij të fundit për bashkadhuruesit?

Ai vazhdon: «Nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.» Këto janë fjalët e një njeriu që ka besim të plotë te Perëndia. Pse ka një besim të tillë? Duke kujtuar gjithçka që ka parë, Josiu ka arritur të kuptojë se Jehovai gjithmonë i mban premtimet. * Qëllimi i Josiut është i qartë: ai do që izraelitët të kenë besim të plotë se edhe të gjitha premtimet që u ka bërë Jehovai për të ardhmen, do të përmbushen.

Duke komentuar për Josiun 23:14, një vepër biblike referimi thotë: «Bëni një listë të premtimeve të Biblës, pastaj kërkoni në kronikat e historisë botërore dhe më tej pyesni çdo krijesë mbi tokë, nëse gjeni dot sikur edhe një rast të vetëm kur Perëndia ka shkelur ose ka harruar një premtim.» Në rast se do të mund të bënim një shqyrtim të tillë, do të arrinim në të njëjtin përfundim si Josiu: Jehovai i mban gjithmonë premtimet e tij.​—1 Mbretërve 8:56; Isaia 55:10, 11.

Në Bibël janë shkruar shumë premtime të Perëndisë që janë përmbushur, si edhe disa premtime, përmbushjen e të cilave po e shohim me sytë tanë. Madje aty gjenden edhe premtimet e mrekullueshme të Jehovait për të ardhmen tonë. * Pse të mos i shqyrtosh vetë këto premtime? Një studim i Biblës mund të të bindë se Ai që i mban premtimet është i denjë për besim.

[Shënimet]

^ par. 4 Këto janë disa nga premtimet që Josiu pa të përmbusheshin. Jehovai do t’u jepte izraelitëve një vend të tyrin. (Krahaso Zanafillën 12:7 me Josiun 11:23.) Jehovai do ta çlironte Izraelin nga Egjipti. (Krahaso Daljen 3:8 me Daljen 12:29-32.) Jehovai do të plotësonte nevojat e popullit të tij.​—Krahaso Daljen 16:4, 13-15 me Ligjin e përtërirë 8:3, 4.

^ par. 6 Për më shumë informacion rreth premtimeve të Perëndisë për të ardhmen tonë, shih kapitujt 37 dhe 8 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.