Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai qëndroi besnik në sprova

Ai qëndroi besnik në sprova

Imitoni besimin e tyre

Ai qëndroi besnik në sprova

PJETRI ua nguli sytë me ankth fytyrave përqark të drejtuara nga Jezui. Ishin në sinagogë, në Kapernaum. Familja e Pjetrit banonte në këtë qytet; aktiviteti i tij i peshkimit zhvillohej këtu, në bregun e detit të Galilesë; shumë prej miqve, të afërmve dhe njerëzve me të cilët e kish lidhur puna, jetonin këtu. Natyrisht, Pjetri donte me gjithë shpirt që bashkëqytetarët ta kuptonin kush ishte Jezui, siç e kishte kuptuar edhe ai, të provonin po atë entuziazëm që provoi ai kur mësoi për Mbretërinë e Perëndisë nga mësuesi më i madh që ka ekzistuar në tokë. Siç dukej, kësaj here nuk do të ndodhte kështu.

Shumë veta nuk po dëgjonin më. Disa dëgjoheshin tek murmuritnin duke hedhur poshtë fjalët e Jezuit. Por diçka tjetër e merakoste më shumë Pjetrin: reagimi i disa prej dishepujve të vetë Jezuit. Fytyrat e tyre nuk rrezatonin më lumturinë që provon kur të hapen sytë, entuziazmin që ndien kur zbulon diçka të re, gëzimin që provon kur mëson të vërtetën. Tani dukeshin të mërzitur, madje të zemëruar. Disa folën kundër, duke i quajtur tronditëse fjalët e Jezuit. Nuk donin të dëgjonin më, u larguan nga sinagoga, e po kështu, u larguan edhe nga Jezui. Tani e tutje nuk do ta ndiqnin më.

Ishte kohë e vështirë për Pjetrin dhe apostujt e tjerë. Pjetri nuk e kuptoi plotësisht çka tha Jezui atë ditë. Sigurisht, e kuptonte pse fjalët e Jezuit tingëllonin të rënda po të mos shpjegoheshin. Por, si do të reagonte Pjetri? Nuk ishte as hera e parë dhe as e fundit që vihej në provë besnikëria ndaj Zotërisë së tij. Le të shohim si e ndihmoi Pjetrin besimi t’u bënte ballë sprovave dhe të qëndronte besnik.

Besnik kur të tjerët nuk u treguan besnikë

Shpesh Pjetri habitej edhe vetë me Jezuin. Sa e sa herë Zotëria vepronte dhe fliste në një mënyrë që ishte krejt ndryshe nga ç’pritnin njerëzit prej tij. Vetëm një ditë më parë, Jezui kishte ushqyer një turmë me mijëra njerëz me anë të një mrekullie. Pas kësaj, ata ishin orvatur ta bënin mbret. Por, shumë veta u habitën ngaqë ai iku dhe dishepujt u detyruan të hipnin në barkë e të niseshin për në Kapernaum. Teksa dishepujt lundronin natën, Jezui i habiti prapë kur eci mbi detin e stuhishëm të Galilesë dhe i dha Pjetrit një mësim të rëndësishëm për besimin. *

Në mëngjes, vunë re sakaq se turmat u kishin hipur barkave dhe i kishin ndjekur. Megjithatë, siç duket, njerëzit ishin shtyrë nga dëshira që Jezui t’u jepte prapë ushqim me anë të ndonjë mrekullie, jo ngaqë kishin etje për të vërtetat frymore. Jezui i qortoi për qëndrimin e tyre materialist. Ky diskutim vazhdoi në sinagogën e Kapernaumit, ku Jezui u përpoq t’u mësonte një të vërtetë jetësore, por të vështirë. Edhe kësaj here i befasoi.

Jezui nuk donte që njerëzit ta shihnin si burim ushqimi, por si një masë që kishte marrë Perëndia për mirëqenien e tyre frymore. Donte ta kuptonin se ishte i vetmi që me jetën dhe vdekjen e tij si njeri, do të bënte të mundur që të tjerët të kishin jetën e përhershme. Prandaj u bëri një ilustrim ku e krahasoi veten me manën, bukën që erdhi nga qielli në ditët e Moisiut. Kur disa kundërshtuan, përdori një ilustrim të gjallë dhe u shpjegoi se duhej të hanin mishin dhe të pinin gjakun e tij që të fitonin jetën. Pikërisht në këtë moment kundërshtimet morën zjarr. Disa thanë: «Ky i folur është tronditës! Kush mund ta dëgjojë?» Shumë nga dishepujt vendosën të mos e ndiqnin më. *Gjoni 6:48-60, 66.

Ç’do të bënte Pjetri? Me siguri, edhe atë e befasuan fjalët e Jezuit. Ende nuk e kishte kuptuar se Jezui duhej të vdiste që të përmbushte vullnetin e Perëndisë. Prapëseprapë, a u tundua Pjetri të përvidhej si dishepujt e lëkundur që e braktisën Jezuin atë ditë? Jo; diçka e rëndësishme e dallonte Pjetrin nga ata burra. Çfarë?

Jezui u kthye nga apostujt dhe tha: «Mos doni të shkoni edhe ju?» (Gjoni 6:67) Ai iu drejtua të 12-ve, por ishte Pjetri që u përgjigj. Kjo ndodhte shpesh. Mbase Pjetri ishte më i madhi në moshë. Sidoqoftë, ai fliste më troç nga të gjithë; nga sa duket, rrallë ndodhte që Pjetri të mos e thoshte ç’kishte në mendje. E kësaj here, ajo çka mendonte ishte ky pohim i bukur dhe i paharrueshëm: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme.»—Gjoni 6:68.

A nuk të prekin zemrën këto fjalë? Besimi që kishte Pjetri te Jezui e kishte ndihmuar të kultivonte një cilësi të shkëlqyer: besnikërinë. Pjetri e kuptonte qartë se nuk kishte Shpëtimtar tjetër veç Jezuit dhe se Jezui sillte shpëtimin me fjalët e tij, me mësimet për Mbretërinë e Perëndisë. Pjetri e dinte se, edhe po të kishte gjëra që e pështjellonin ngaqë s’i kuptonte, s’kishte ku të shkonte tjetër nëse donte miratimin e Perëndisë dhe bekimin e jetës së përhershme.

A mendon edhe ti kështu? Mjerisht, shumë veta në botën e sotme thonë se e duan Jezuin, por dështojnë kur u vihet në provë besnikëria. Besnikëria e sinqertë ndaj Krishtit kërkon që të kemi pikëpamjen e Pjetrit për mësimet e Jezuit. Duhet t’i njohim ato, të kuptojmë domethënien dhe të jetojmë sipas tyre, edhe atëherë kur na befasojnë, sepse bien ndesh me arsyetimet a preferencat tona. Vetëm duke e provuar se jemi besnikë mund të shpresojmë të fitojmë jetën e përhershme që dëshiron Jezui për ne.

Besnik kur duhej ndrequr

S’kaloi shumë nga ato ditë plot aktivitete kur Jezui mori apostujt e disa dishepuj dhe u nisën për një udhëtim të gjatë e të vështirë drejt veriut. Maja kësulëbardhë e malit Hermon në skajin më verior të Tokës së Premtuar, nganjëherë shquhej që nga ujërat e kaltra të detit të Galilesë. Silueta e malit sa vinte e lartohej, teksa grupi afrohej duke ndjekur të përpjetën drejt fshatrave afër Cezaresë së Filipit. * Në këtë sfond të këndshëm, ku syri të rrokte një pjesë të mirë të viseve jugore të Tokës së Premtuar, Jezui u bëri një pyetje të rëndësishme ithtarëve të tij.

«Çfarë thonë turmat: kush jam unë?»,—donte të dinte ai. Të përfytyrojmë Pjetrin tek sheh sytë depërtues të Jezuit dhe ndien sërish sa i mirë është Zotëria i tij dhe sa qartë duket zgjuarsia e tij e jashtëzakonshme. Jezui interesohej se çfarë përfundimi po nxirrnin njerëzit nga çka shihnin e dëgjonin. Dishepujt e Jezuit iu përgjigjën pyetjes duke përsëritur disa nga idetë e gabuara që qarkullonin për identitetin e Jezuit. Por Jezui donte të dinte më shumë. A po bënin të njëjtin gabim edhe ithtarët e tij më të ngushtë? «Po ju ç’thoni: kush jam unë?»—i pyeti.—Luka 9:18-22.

Edhe kësaj here Pjetri u përgjigj pa e bërë të gjatë. Me fjalë të qarta e të guximshme, ai shprehu atë përfundim që shumë veta kishin nxjerrë në zemrën e vet. «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë»,—tha ai. Mund ta imagjinojmë Jezuin tek i buzëqesh me miratim Pjetrit kur e lavdëron me ngrohtësi. Jezui i kujtoi Pjetrit se ishte Perëndia Jehova, jo ndonjë njeri, që ua kishte bërë kaq të qartë këtë të vërtetë jetësore njerëzve me besim të sinqertë. Pjetrit i ishte dhënë aftësia të shquante një nga të vërtetat më madhështore që Jehovai ka zbuluar: identitetin e Mesisë ose Krishtit, të premtuar qysh nga kohët e hershme.—Mateu 16:16, 17.

Ky Krisht ishte pikërisht ai që në profecinë e lashtë quhej guri që ndërtuesit do ta hidhnin poshtë. (Psalmi 118:22; Luka 20:17) Me këto profeci në mendje, Jezui zbuloi se Jehovai do të themelonte një kongregacion mbi atë gur ose shkëmb që Pjetri sapo kishte identifikuar. * Më tej ai i dha Pjetrit disa privilegje mjaft të rëndësishme në atë kongregacion. Nuk i dha Pjetrit epërsi mbi apostujt e tjerë, siç kanë menduar disa, por përgjegjësi. Jezui i dha Pjetrit «çelësat e mbretërisë». (Mateu 16:19) Do të ishte detyra e Pjetrit t’u hapte mundësinë për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë tri grupeve: së pari judenjve, pastaj samaritanëve dhe në fund johebrenjve.

Megjithatë, më vonë Jezui tha se atyre që iu dha shumë, do t’u kërkohej shumë dhe këtë e tregon edhe rasti i Pjetrit. (Luka 12:48) Jezui vazhdoi të zbulonte të vërteta jetësore për Mesinë, përfshirë edhe faktin e sigurt që së shpejti do të vuante dhe do të vdiste në Jerusalem. Pjetri u shqetësua kur dëgjoi këto. E mori Jezuin veçmas dhe e qortoi me fjalët: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.»—Mateu 16:21, 22.

Natyrisht, Pjetri nisej nga e mira dhe me siguri nuk e priste përgjigjen e Jezuit. Jezui i ktheu shpinën, pa nga dishepujt e tjerë, që ka shumë gjasa të mendonin si ai, dhe tha: «Largohu nga unë, Satana! Ti je pengesë për mua, sepse nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.» (Mateu 16:23; Marku 8:32, 33) Në fjalët e Jezuit gjejmë një këshillë të vlefshme për të gjithë ne. Është fare e lehtë të lejojmë që mënyra e të menduarit sipas njerëzve të mbizotërojë mbi mënyrën e të menduarit sipas Perëndisë. Po të veprojmë kështu, edhe kur nisemi me mendimin për t’i ndihmuar të tjerët, pa dashje, mund të bëhemi përkrahës të qëllimit të Satanait dhe jo të Perëndisë. Si reagoi Pjetri?

Sigurisht e dinte se Jezui nuk po e quante Satana Djall në kuptimin e mirëfilltë. Në fund të fundit, Jezui nuk i foli Pjetrit siç i kishte folur Satanait. Jezui i kishte thënë Satanait: «Ik tutje, Satana», kurse me Pjetrin përdori fjalë që në gjuhën origjinale mund të përkthehen «dil prapa meje». (Mateu 4:10) Jezui nuk e hodhi poshtë këtë apostull, tek i cili pa shumë gjëra të mira, por thjesht ia ndreqi pikëpamjen e gabuar për këtë çështje. Nuk është e vështirë të kuptohet se Pjetri duhej të mos i dilte më para Zotërisë si një gur pengese, por t’i shkonte pas si një ithtar që e mbështeste.

A debatoi Pjetri, a u zemërua ose t’i mbante inat? Jo; me përulësi e pranoi korrigjimin. Pra, u tregua sërish besnik. Të gjithë ata që ndjekin Krishtin nganjëherë do të kenë nevojë për ndreqje. Vetëm po ta pranojmë me përulësi disiplinën dhe të mësojmë prej saj, mund të lidhemi më ngushtë me Jezu Krishtin dhe Atin e tij, Perëndinë Jehova.—Proverbat 4:13.

Besnikëria shpërblehet

S’kaloi shumë dhe Jezui bëri një pohim tjetër befasues: «Vërtet po ju them se disa nga këta që po qëndrojnë këtu, nuk do ta shijojnë fare vdekjen pa e parë më parë Birin e njeriut të vijë si mbret.» (Mateu 16:28) Pa dyshim që këto fjalë zgjuan plot kureshtje te Pjetri. Ç’donte të thoshte Jezui? Mbase Pjetri vriste mendjen nëse korrigjimi i fortë që sapo kishte marrë nënkuptonte se ai nuk do të merrte privilegje të tilla.

Megjithatë, pas nja një jave, Jezui mori Jakovin, Gjonin dhe Pjetrin dhe i çoi «në një mal të lartë», ndoshta në malin Hermon, vetëm ca kilometra larg. Ka të ngjarë të ishte natë, pasi tre burrat mundoheshin të mos i zinte gjumi. Por ndërsa Jezui lutej, ndodhi diçka që ua nxori fare gjumin.—Mateu 17:1; Luka 9:28, 29, 32.

Jezui nisi të ndryshonte para syve të tyre. Fytyra e tij filloi të shkëlqente, të rrëzëllente derisa u bë e ndritshme si dielli. Edhe rrobat e tij u bënë të bardha e vezulluese. Dy burra u shfaqën me Jezuin, njëri përfaqësonte Moisiun, tjetri Elijan. Ata folën me të «për ikjen e tij, që do të ndodhte në Jerusalem», me sa duket për vdekjen dhe ringjalljen. Sa e qartë ishte tani që Pjetri kishte gabuar kur nuk pranoi që Jezui të kalonte një përvojë kaq të dhembshme!—Luka 9:30, 31.

Pjetrit s’i rrihej pa marrë pjesë disi në këtë vegim të jashtëzakonshëm. Dukej sikur Moisiu dhe Elija po largoheshin nga Jezui. Prandaj Pjetri foli: «Mësues, është gjë e mirë që jemi këtu. Na lër të ngremë tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elijan.» Natyrisht, këto ishin vetëm vegime që përfaqësonin dy shërbëtorë të dashur të Jehovait, të cilët kishin vdekur nga shumë kohë, nuk kishin nevojë për tenda. Pjetri nuk e kuptonte ç’po thoshte. Gjithsesi, a nuk të bën për vete ky njeri për entuziazmin dhe ngrohtësinë e tij?—Luka 9:33.

Ai, Jakovi dhe Gjoni morën një shpërblim tjetër atë natë. Një re u formua dhe nisi t’i mbulonte në mal. Një zë u dëgjua nga reja, vetë zëri i Perëndisë Jehova! Ai tha: «Ky është Biri im, që e kam zgjedhur. Dëgjojeni.» Pastaj vegimi përfundoi dhe ata ishin vetëm me Jezuin në mal.—Luka 9:34-36.

Ç’dhuratë ishte ky vegim për Pjetrin, por edhe për ne! Dekada më vonë ai shkroi për privilegjin që pati natën kur ishte një nga ‘dëshmitarët okularë të madhështisë’ së Jezuit dhe pa një pamje paraprake të Jezuit si Mbret i lavdishëm qiellor. Ky vegim vërtetoi shumë profeci të Fjalës së Perëndisë dhe ia forcoi besimin Pjetrit për sprovat që e prisnin. (2 Pjetrit 1:16-19) Ai mund të ndikojë njësoj edhe te ne, nëse, ashtu si Pjetri, i qëndrojmë besnikë Zotërisë që Jehovai na ka caktuar, duke mësuar prej tij, duke pranuar disiplinën dhe ndreqjen prej tij dhe duke e ndjekur ditë për ditë me përulësi.

[Shënimet]

^ par. 7 Shih artikullin «Imitoni besimin e tyre—Ai luftoi me frikën dhe dyshimin» në revistën Kulla e Rojës të 1 tetorit 2009.

^ par. 9 Kur krahasojmë reagimin e turmës ndaj fjalëve të Jezuit në sinagogë me shprehjet e tyre vetëm një ditë më parë, kur me entuziazëm e shpallën Jezuin profet të Perëndisë, duket qartë sa shpejt ndryshonin mendim.—Gjoni 6:14.

^ par. 15 Që nga brigjet e detit të Galilesë, ai udhëtim prej 48 kilometrash e çoi grupin nga afro 210 metra nën nivelin e detit në një lartësi afro 350 metra mbi nivelin e detit, teksa përshkonte vise plot bukuri.

^ par. 18 Shih kutinë  «Kush është shkëmbi?» në faqen 28.

[Kutia dhe figura në faqen 28]

 Kush është shkëmbi?

«Po të them: ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kongregacionin tim.» (Mateu 16:18) Këto fjalë, që Jezui ia tha apostullit të tij Pjetër, shpesh janë marrë sikur Pjetri do të ishte themeli i kongregacionit të krishterë. Kisha Katolike mëson se Jezui po i jepte Pjetrit autoritet mbi apostujt e tjerë, dhe kështu, faktikisht, po e bënte papën e parë. Prandaj, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Romë, nga brenda kubesë, me shkronja më të mëdha se një bojë njeriu, gjenden në latinisht fjalët e Jezuit.

A donte të thoshte Jezui se Pjetri ishte shkëmbi mbi të cilin do të ndërtonte kongregacionin e tij? Jo. Ja tri arsye pse mund të jemi të sigurt për këtë. Së pari, aty ishin edhe apostujt e tjerë, të cilët nuk i kuptuan ashtu fjalët e Jezuit. Nëse Jezui do t’i kishte dhënë Pjetrit autoritet mbi ta në sytë e tyre, atëherë përse ata më vonë debatonin vazhdimisht cili ishte më i madhi? (Marku 9:33-35; Luka 22:24-26) Së dyti, më vonë, apostulli Pavël tregoi se shkëmbi nuk ishte Pjetri, por Jezu Krishti. (1 Korintasve 3:11; 10:4) Së treti, pas disa dekadash, vetë Pjetri tregoi se nuk mendonte që ishte ai shkëmbi. Përkundrazi, shkroi se Jezui ishte ‘guri i qoshes për themelin’, për të cilin ishte folur shumë kohë përpara dhe që ishte zgjedhur nga vetë Perëndia.—1 Pjetrit 2:4-8.

Prapëseprapë, disa këmbëngulin se, meqë emri i Pjetrit do të thotë shkëmb, Jezui po thoshte se ai ishte shkëmbi. Megjithatë, ç’është e vërteta, emri i Pjetrit nuk është sinonim i fjalës shkëmb i përdorur në atë varg. Emri i Pjetrit do të thotë copë shkëmbi dhe është i gjinisë mashkullore, kurse fjala e përkthyer shkëmb është i gjinisë femërore. Atëherë si duhen kuptuar fjalët e Jezuit? Në thelb ai po i thoshte Pjetrit: «Ti, që unë të quajta Pjetër ose Shkëmb, ke dalluar identitetin e vërtetë të ‘shkëmbit’, Krishtin, që do të shërbejë si themeli i kongregacionit të krishterë.» Çfarë privilegji për Pjetrin që ndihmoi në zbulimin e një të vërtete kaq të rëndësishme!

[Figura në faqet 24, 25]

Pjetri u tregua besnik edhe kur duhej ndrequr

[Figura në faqen 26]

Besnikëria e Pjetrit u shpërblye me një vegim drithërues