Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku jetonin?

Ku jetonin?

Jeta e të krishterëve në shekullin e parë

Ku jetonin?

«Nuk ndenja pa . . . ju mësuar publikisht dhe shtëpi më shtëpi.»—VEPRAT 20:20.

ME TË hyrë në portën gjigante, para teje shtrihet një qytet i shekullit të parë. Si shumë qytete të tjera, edhe ky ndodhet në kodër. Kur ngre sytë lart, në kurrizin e kodrës, sheh pjesën e sipërme të qytetit. Shumë vila të bardha luksoze shkëlqejnë në diell dhe një pjesë e mirë e tyre kanë kopshte të rrethuara. Kjo është lagjja e të pasurve. Tatëpjetë shfaqen shtëpi të tjera të përmasave dhe të formave të ndryshme. Këto shtëpi të mëdha e të gurta me disa kate, që u përkasin shtresës së mesme të tregtarëve dhe pronarëve të tokave, ngrihen anash rrugëve me kalldrëm. Më poshtë, në luginë, jeton shtresa e varfër. Këtu shtëpitë janë të thjeshta, të vogla dhe duken si kuti të ngjitura, anash rrugëve të ngushta ose të grumbulluara përqark shesheve të vogla.

Teksa endesh përgjatë rrugëve të tejmbushura, tingujt dhe aromat të ngacmojnë shqisat. Gratë po gatuajnë dhe të lëshon goja lëng nga aromat që mbushin lagjen. Dëgjohen zhurmat e kafshëve dhe të fëmijëve që luajnë. Burrat punojnë vendçe në dyqanet e zhurmshme që mbajnë erë.

Ja, në këto shtëpi zhvillohej shumica e aktiviteteve të familjeve të krishtere. Ato ishin sfondi i jetës së përditshme, i arsimimit të krishterë dhe i adhurimit të Perëndisë.

Shtëpitë e vogla: Ashtu si shtëpitë e sotme, përmasat dhe tipi i banesave ndryshonin sipas vendit dhe gjendjes ekonomike të familjes. Shtëpitë më të vogla (1) përbëheshin nga një dhomë e errët ku jetonte ngucur e gjithë familja. Shumë shtëpi të vogla ndërtoheshin me qerpiç. Të tjera ishin me mure guri të latuar pak. Të dyja llojet zakonisht ndërtoheshin mbi themele guri.

Muret e brendshme suvatoheshin dhe dyshemeja ishte e shtruar. Këto kërkonin mirëmbajtje të vazhdueshme. Në tarracë ose në mur kishte të paktën një hapje të vogël, që tymi të dilte nga kuzhina. Sa për orenditë, shtëpia kishte vetëm më të domosdoshmet.

Për tarracën përdoreshin trarë që mbaheshin mbi shtylla. Mbi trarë vendoseshin binarë, kallama dhe degë. Sipër tyre shtrohej tarraca prej balte. Më tej argjila mbulohej me suva, dhe kështu krijohej tavani që bënte njëfarë izolimi nga uji. Për t’u ngjitur në tarracë, zakonisht kishte një shkallë të jashtme.

Ndonëse në lagje me shtëpi kaq ngjitur me njëra-tjetrën, shtëpitë e të krishterëve ishin vende të këndshme, ku edhe familja e varfër mund të ishte e pasur në sytë e Perëndisë dhe e lumtur.

Shtresa e mesme: Shtëpitë e gurta dykatëshe (2) të shtresës së mesme, që ishin më të mëdha, kishin një dhomë për miqtë. (Marku 14:13-16; Veprat 1:13, 14) Në këtë dhomë të madhe të sipërme mund të mbaheshin mbledhje dhe shpesh përdorej për festat izraelite. (Veprat 2:1-4) Këto shtëpi, si edhe shtëpi të tjera më të mëdha (3) që u përkitnin tregtarëve dhe pronarëve të tokave, ndërtoheshin me blloqe guri gëlqeror që lidheshin me llaç gëlqereje. Dyshemetë shtroheshin, muret e brendshme visheshin me allçi, kurse muret e jashtme lyheshin me gëlqere.

Për t’u ngjitur në dhomat e sipërme dhe në tarracë, përdorej një shkallë e brendshme. Të gjitha tarracat rrethoheshin me parmakë që të mos binte ndonjëri ose të parandaloheshin aksidente të tjera. (Ligji i përtërirë 22:8) Në vapë, tarraca e mbuluar me diçka të sajuar për të bërë hije, ishte një vend i këndshëm për t’u lutur, për të studiuar, medituar e pushuar.—Veprat 10:9.

Ndonëse shpesh në këto shtëpi të forta me dhoma më të mëdha banonin disa kurora bashkë, ato ishin më të bollshme, kishin dhoma gjumi më vete, një kuzhinë më të madhe dhe ambient ngrënieje.

Shtëpitë luksoze: Shtëpitë e stilit romak (4) ndryshonin mjaft në përmasa, arkitekturë dhe ndërtim. Përqark dhomës së madhe të ngrënies (triklini), që ishte çerdhja e aktiviteteve familjare, kishte dhoma me goxha hapësirë. Disa shtëpi kishin edhe katin e dytë ose të tretë (5) ose ishin zbukuruar me kopshte të rrethuara.

Shtëpitë luksoze mund të kenë pasur mjaft orendi të punuara artistikisht disa prej të cilave me fildish dhe ar. Këto shtëpi kishin komoditete të tilla si, ujë të rrjedhshëm dhe banja. Dyshemeja mund të ishte prej druri ose mermeri shumëngjyrësh, kurse muret mund të visheshin me cedër. Për ngrohje përdoreshin mangajtë. Në dritare vendosej për siguri një kafaz, zakonisht prej druri, dhe perdet i fshihnin disi nga sytë e botës. Pranë dritares krijoheshin vende për t’u ulur, duke gërmuar në muret e trasha të gurta.—Veprat 20:9, 10.

Pavarësisht nga përmasa ose forma e shtëpisë, të krishterët e hershëm ishin mikpritës dhe bujarë. Prandaj, mbikëqyrësit udhëtues nuk e kishin të vështirë të gjenin një familje të ngrohtë mikpritëse për të qëndruar derisa të mbaronin shërbimin në atë qytet ose fshat.—Mateu 10:11; Veprat 16:14, 15.

‘Shtëpia e Simonit dhe e Andreas’: Jezui gjeti një mikpritje të ngrohtë në «shtëpinë e Simonit e të Andreas». (Marku 1:29-31) Shtëpia e këtyre peshkatarëve mund të ketë qenë pjesë e një (6) grupi shtëpish modeste të ngritura rreth një sheshi të shtruar.

Në këto shtëpi, dyert dhe dritaret shihnin nga sheshi që shpesh ishte qendra e aktiviteteve të përditshme, ku përfshiheshin gatimi, pjekja, bluarja e drithit, bisedat shoqërore dhe ngrënia.

Shtëpitë njëkatëshe në Kapernaum ndërtoheshin me bazalt të paprerë vendës (gur vullkanik). Shkallët e jashtme çonin në tarracën që bëhej me argjilë ose pllaka të cilat vendoseshin mbi kallama e binarë të mbështetur mbi trarë. (Marku 2:1-5) Dyshemeja e brendshme ishte e shtruar dhe shpesh e mbuluar me qilima të thurur.

Blloqe shtëpish formonin rrugë e rrugica përgjatë bregut të detit të Galilesë. Kapernaumi ishte vend i shkëlqyer për peshkatarët që e siguronin jetesën nga deti.

«Shtëpi më shtëpi»: Kështu, shtëpitë e të krishterëve të shekullit të parë ishin të llojeve të ndryshme, që nga shtëpitë njëdhomëshe me qerpiç e deri te vilat e gurta, të mëdha e luksoze.

Këto shtëpi nuk ishin thjesht një strehë për familjen. Shtëpia ishte një vend ku mësohej për Perëndinë. Brenda mureve, familja adhuronte si një e tërë. Ata mblidheshin në shtëpi private që të studionin Shkrimet dhe të gëzonin shoqërinë e bashkëbesimtarëve. Atë ç’ka mësonin në shtëpi e zbatonin teksa kryenin një vepër tejet të rëndësishme, veprën e predikimit dhe të mësimit «shtëpi më shtëpi» anembanë botës romake.—Veprat 20:20.