Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse Perëndia u ofron njerëzve dhuratën e jetës së përhershme?

Pse Perëndia u ofron njerëzve dhuratën e jetës së përhershme?

Lexuesit pyesin . . .

Pse Perëndia u ofron njerëzve dhuratën e jetës së përhershme?

▪ Bibla thotë se Perëndia na vë përpara mundësinë të marrim ‘jetën e përhershme’. (Gjoni 6:40) Por, çfarë e nxit atë që të na ofrojë këtë perspektivë? A është thjesht çështje drejtësie?

Drejtësia kërkon t’i trajtosh njerëzit me ndershmëri dhe sipas asaj që është e drejtë. A e meritojmë ne vërtet jetën? Jo. Bibla thotë: «Nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë të mirën dhe të mos mëkatojë.» (Eklisiastiu 7:20) Mëkatin e shoqëron dënimi. Perëndia e paralajmëroi njeriun e parë, Adamin, se ditën që do të mëkatonte do të vdiste. (Zanafilla 2:17) Më vonë, apostulli Pavël shkroi i frymëzuar nga Perëndia: «Paga që paguan mëkati është vdekja.» (Romakëve 6:23) Pra, nëse të gjithë pasardhësit e Adamit meritojnë me të drejtë vdekjen, pse Perëndia ofron mundësinë e jetës së pafund?

Mundësia e jetës së përhershme është dhuratë. Ajo tregon sa shumë dashuri dhe dashamirësi ka Perëndia dhe se të gjithë mund të përfitojmë nga këto. Bibla thotë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë. Fakti që ata po shpallen të drejtë falë dashamirësisë së tij të pamerituar, me anë të çlirimit nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu, është një dhuratë falas.»—Romakëve 3:23, 24.

Ndonëse të gjithë meritojmë vdekjen, Perëndia zgjedh t’u japë jetën e përhershme atyre që e duan. A është e padrejtë kjo? Bibla thotë: «Ç’të themi pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Kurrë mos qoftë! Sepse ai i thotë Moisiut: «Do t’i tregoj mëshirë atij që dua t’i tregoj mëshirë, dhe do t’i tregoj dhembshuri atij që dua t’i tregoj dhembshuri. . . . Kush je në të vërtetë ti, o njeri, që t’i kthesh fjalë Perëndisë?!»—Romakëve 9:14-20.

Në disa pjesë të botës, një qeveritar i lartë a gjykatës ka të drejtë ta falë një kriminel që po vuan një dënim të rëndë. Nëse i dënuari u bindet me gatishmëri masave ndëshkimore dhe shfaq ndryshime në qëndrim e sjellje, gjykatësi ose presidenti mund të zgjedhë ta falë duke i ulur dënimin ose duke ia falur plotësisht. Fare mirë krimineli mbase meritonte ta vuante dënimin e rëndë.

Po kështu, Jehovai mund të zgjedhë të mos u japë të gjithë mëkatarëve dënimin që meritojnë. Nga dashuria, mund t’u dhurojë jetën e përhershme atyre që e duan dhe zbatojnë normat e tij. Bibla thotë: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35.

Akti më i madh i dashurisë që ka treguar Jehovai ndaj nesh ishte kur dërgoi Birin e tij të vuante dhe të vdiste për ne. Jezui tha për Atin e tij: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:16.

Të gjithë ata që arrijnë të duan Jehovain dhe të bëjnë vullnetin e tij, ai i pranon pa dallim, pavarësisht nga e kaluara e tyre. Pra, shpresa e jetës së përhershme në radhë të parë është shprehje e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, akt i dashurisë së tij të pashoqe.

[Diçitura në faqen 29]

Shpresa e jetës së përhershme në radhë të parë është shprehje e dashamirësisë së pamerituar, akt i dashurisë së pashoqe