Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kesh pikëpamjen e duhur për alkoolin?

Si të kesh pikëpamjen e duhur për alkoolin?

Si të kesh pikëpamjen e duhur për alkoolin?

TONI, i përmendur në artikullin e parë, mund të kishte bërë një jetë shumë të ndryshme, po të kishte pranuar problemin e tij me alkoolin. Por, ngaqë mendonte se mund të pinte shumë pa pasur simptoma të dukshme, ai besonte se e kishte nën kontroll jetën e vet. Pse ishte kaq i gabuar gjykimi i tij?

Shkaku ishte alkooli i tepërt. E kuptonte apo jo Toni, pikërisht organi që kontrollonte gjendjen fizike, mendore dhe emocionale, domethënë truri, nuk i funksiononte siç duhej kur mbingarkohej nga alkooli. Sa më shumë pinte, aq më pak aftësi kishte truri të vlerësonte saktë gjendjen në të cilën ndodhej.

Një arsye e dytë pse Toni nuk gjykonte drejt, ishte dëshira e papërmbajtur për të vazhduar me të njëjtin ves. Aleni, i përmendur në artikujt e mëparshëm, në fillim e mohonte se kishte probleme me alkoolin. «Ua fshihja të tjerëve që pija,—pranon ai,—gjeja justifikime dhe përpiqesha të minimizoja problemin tim. Kisha vetëm një qëllim—të mos e lija këtë ves.» Edhe pse të tjerët mund të shihnin se pija po i skllavëronte, Toni dhe Aleni i thoshin vetes se çdo gjë ishte në rregull. Të dy kishin nevojë të bënin diçka për ta mbajtur nën kontroll pijen. Por çfarë të bënin?

Vepro!

Shumë që nuk abuzojnë më me alkoolin, kanë vepruar në përputhje me fjalët e Jezuit: «Nëse syri yt i djathtë po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej. Sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të hidhet në Gehenë i gjithë trupi yt.»—Mateu 5:29.

Sigurisht, me këto fjalë Jezui nuk po përkrahte vetëgjymtimin. Përkundrazi, në mënyrë të figurshme, ai po theksonte se duhet të jemi të gatshëm të flakim nga jeta jonë çdo gjë që dëmton marrëdhënien me Perëndinë. Vërtet, veprimi që duhet të ndërmarrim mund të jetë shumë i dhembshëm. Por do të na mbrojë nga ato lloj mendimesh dhe situatash që mund të na shtyjnë të abuzojmë me alkoolin. Pra, nëse të tjerët kanë shprehur shqetësimin e tyre se po e tepron me alkoolin, atëherë vepro për ta mbajtur nën kontroll. * Nëse duket qartë se nuk e kontrollon dot, atëherë ji i gatshëm ta lësh fare. Sado e dhembshme qoftë, është shumë më pak e dhembshme se një jetë e shkatërruar.

Edhe nëse nuk je i alkoolizuar, a ke prirjen të pish tepër? Nëse po, ç’hapa praktikë mund të bësh që ta mbash alkoolin në vendin e vet?

Ku të kërkosh ndihmë?

1. Ki besim në fuqinë e lutjeve të shpeshta dhe me gjithë zemër. Bibla i këshillon të gjithë ata që duan të kënaqin Perëndinë Jehova: «Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Për çfarë mund të lutesh që të fitosh këtë paqe mendore?

Prano me ndershmëri që ke probleme me alkoolin, probleme që të takojnë ty t’i zgjidhësh. Tregoji Perëndisë çfarë ke ndër mend të bësh për të kapërcyer këto probleme dhe ai do t’i bekojë përpjekjet e tua për të gjetur lehtësim dhe për të shmangur probleme më serioze. Bibla thotë: «Kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë.» (Proverbat 28:13) Gjithashtu, Jezui tha se mund t’i lutemi Perëndisë: «Mos na ço në tundim, por na çliro nga ajo që është e ligë.» (Mateu 6:13; shënimi, Bota e Re me referime, anglisht) Por, si mund të veprosh në përputhje me këto lutje dhe ku mund t’i gjesh përgjigjet e përgjërimeve të tua?

2. Merr forcë nga Fjala e Perëndisë. «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi . . . dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebrenjve 4:12) Leximi i përditshëm i vargjeve biblike dhe meditimi për to, ka ndihmuar shumë njerëz që më parë abuzonin me alkoolin. «Lum njeriu që nuk ndjek këshillat e të ligjve,—shkroi një psalmist që i frikësohej Perëndisë,—por që gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë. . . . [Atij] i shkon mbarë çdo gjë që bën.»—Psalmi 1:1-3.

Aleni, të cilit studimi i Biblës me Dëshmitarët e Jehovait i dha forcën të mposhtte vesin e alkoolit, thotë: «Jam i bindur se po të mos ishte për Biblën dhe parimet e saj, që më ndihmuan ta lija pijen, sot nuk do të isha gjallë.»

3. Kultivo vetëkontroll. Bibla tregon se ata në kongregacionin e krishterë që më parë kishin qenë pijanecë, ishin larë «me frymën e Perëndisë». (1 Korintasve 6:9-11) Si? Një nga gjërat që i ndihmoi të hiqnin dorë nga dehjet dhe ahengjet e shfrenuara ishte kultivimi i vetëkontrollit, një cilësi që zhvillohet me ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë. Në Shkrime thuhet: «Mos u dehni me verë, në të cilën ka shfrenim, por vazhdoni të mbusheni me frymë.» (Efesianëve 5:18; Galatasve 5:21-23) Jezu Krishti premtoi se «Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». Prandaj, ‘vazhdo të kërkosh dhe do të të jepet’.—Luka 11:9, 13.

Ata që dëshirojnë ta adhurojnë Jehovain siç kërkon ai, mund të kultivojnë vetëkontroll duke lexuar e studiuar Biblën dhe duke u lutur shpesh e nga zemra. Në vend që të shkurajohesh, vëri veshin këtij premtimi që gjendet në fjalën e Perëndisë: «Ai që mbjell për frymën, do të korrë nga fryma jetë të përhershme. Prandaj, të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.»—Galatasve 6:8, 9.

4. Zgjidh shoqëri të mirë. «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Proverbat 13:20) Tregoju shokëve që je i vendosur të pish me masë. Megjithatë, Fjala e Perëndisë paralajmëron se kur të heqësh dorë nga ‘teprimet në verë, ahengjet e shfrenuara dhe garat në të pirë’, disa prej shokëve të tu të mëparshëm ‘do t’u vijë çudi dhe do të vazhdojnë të të shajnë’. (1 Pjetrit 4:3, 4) Tregohu i gatshëm të shkëputesh nga ajo shoqëri që minon vendosmërinë tënde për ta mbajtur nën kontroll pijen.

5. Vër kufij të qartë. Bibla thotë: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Nëse janë parimet e Fjalës së Perëndisë ato që të ndihmojnë të përcaktosh kufijtë e tu, dhe jo shokët ose ‘kjo botë’, atëherë do të kesh miratimin e Tij. Por, si mund ta përcaktosh se cili është kufiri i duhur për ty?

Çdo sasi alkooli që të errëson gjykimin dhe të ul aftësinë për të arsyetuar, është tepër. Prandaj, nëse zgjedh të pish alkool, nuk është e mençur të vendosësh një kufi jo të qartë që luhatet midis të qenët esëll dhe dehjes. Mos e moho problemin, por shqyrtoje veten me ndershmëri. Vër një kufi të qartë që sasia që pi të jetë edhe më pak se pirja me masë. Kështu nuk do të kalosh në teprim.

6. Mëso të thuash jo. «Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’.» (Mateu 5:37) Mëso t’i refuzosh me mirësjellje ofertat këmbëngulëse të mikpritësve bujarë, por që ju këshillojnë gabim. «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.»—Kolosianëve 4:6.

7. Kërko ndihmë. Kërko ndihmën e miqve të mirë që mund të të nxitin të jesh më i vendosur për ta pasur pijen nën kontroll dhe mund të të ndihmojnë në bazë të parimeve biblike. «Dy janë më mirë se një, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre,—këshillon Bibla.—Sepse në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun.» (Eklisiastiu 4:9, 10; Jakovi 5:14, 16) Po kështu, Instituti Kombëtar për Abuzimin me Alkoolin dhe Alkoolizmin në SHBA këshillon: «Të pakësosh pijen, ndonjëherë mund të jetë e vështirë. Kërkoji familjes dhe miqve që të të ndihmojnë të arrish synimin.»

8. Qëndro i vendosur. «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë veten me arsyetime të rreme. Por ai që ndalet e shikon në ligjin e përsosur që sjell liri dhe ngulmon në të, është i lumtur ngaqë bëhet zbatues i fjalës dhe jo dëgjues harraq.»—Jakovi 1:22, 25.

Si të çlirohesh nga varësia e alkoolit?

Jo kushdo që pi me tepri bëhet i alkoolizuar. Por disa fillojnë të pinë kaq shumë—ose kaq shpesh—sa bëhen të varur ndaj alkoolit. Për këta njerëz varësia ndaj alkoolit nënkupton edhe varësi fizike e psikologjike ndaj kësaj substance të fuqishme. Prandaj, për t’u çliruar nga kthetrat e alkoolizmit mund të mos mjaftojë forca e vullnetit dhe ndihma e bazuar në Bibël. «Kur po e lija alkoolin,—kujton Aleni,—dhembjet fizike që më shkaktonte kjo gjë, ishin të tmerrshme. Aty e kuptova që përveç ndihmës së bazuar në Bibël, kisha nevojë edhe për trajtim mjekësor.»

Po, në betejën për t’u çliruar nga abuzimi me alkoolin dhe për të mos rënë më në këtë ves, shumë të alkoolizuar kanë nevojë për një trajtim mjekësor, përveç ndihmës nga Fjala e Perëndisë. * Disa kanë nevojë të shtrohen në spital që të përballojnë simptomat e rënda kur lënë pijen. Gjithashtu, mund të kenë nevojë të mjekohen për të mpakur dëshirën e fortë për alkool dhe për t’u ndihmuar që të mos pinë. Biri i Perëndisë që kryente mrekulli, tha: «Ata që janë të fortë, nuk kanë nevojë për mjek, kurse ata që janë të sëmurë, po.»—Marku 2:17.

Dobitë kur u vë veshin mësimeve hyjnore

Këshillat e mençura të Biblës për alkoolin vijnë nga Perëndia i vërtetë. Ai do më të mirën për ne jo vetëm tani, por përgjithmonë. Njëzet e katër vjet pasi la alkoolin, Aleni kujton: «Ishte e mrekullueshme kur mësova që mund të isha ndryshe, që Jehovai donte të më ndihmonte të ndreqja jetën time, që ai . . .—Aleni ndalon për një çast dhe mezi mban lotët ndërsa i vijnë në mendje kujtime.—Ëë, . . . sa bukur është kur e di që Jehovai të kupton, interesohet për ty dhe të jep ndihmën e duhur.»

Prandaj, nëse ke rënë në grackën e teprimit me alkoolin ose je në varësinë e tij, mos u dorëzo shpejt ose mos nxirr menjëherë përfundimin se je i pashpresë. Aleni dhe shumë e shumë të tjerë kanë qenë në të njëjtën situatë si ti dhe kanë arritur ta pakësojnë sasinë e alkoolit ose ta lënë fare. Atyre nuk u vjen keq për këtë, dhe as ty nuk ka për të të ardhur keq.

Pavarësisht nëse zgjedh të pish alkool me masë ose të mos pish fare, vëri veshin thirrjes së dashur të Perëndisë: ‘Ah, sikur t’u kushtosh vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të jetë si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.’—Isaia 48:18.

[Shënimet]

^ par. 7 Shih kutinë  «A po bëhem skllav i alkoolit?» në faqen 8.

^ par. 24 Ka shumë qendra trajtimi, spitale dhe programe shërimi që ofrojnë ndihmë. Kulla e Rojës nuk rekomandon ndonjë trajtim të veçantë. Çdo njeri duhet t’i vlerësojë me kujdes trajtimet e mundshme dhe më pas të marrë vetë një vendim që nuk bie ndesh me parimet biblike.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

 A po bëhem skllav i alkoolit?

Mund të pyesësh veten:

• A pi më shumë alkool se ç’pija më parë?

• A pi më shpesh se më parë?

• A përdor pije më të forta se më parë?

• A pi alkool për të përballuar stresin ose për t’u bërë bisht problemeve?

• A ka shprehur shqetësimin ndonjë mik ose pjesëtar i familjes se po e teproj me alkoolin?

• A kam pasur probleme nga alkooli në shtëpi, në punë ose kur kam qenë me pushime?

• A e kam të vështirë të rri një javë pa pirë?

• A bezdisem kur të tjerët nuk pinë?

• A ua fsheh të tjerëve se sa pi?

Nëse përgjigjesh po për një ose disa nga këto pyetje, ndoshta ke nevojë të marrësh masa që ta mbash nën kontroll alkoolin.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Si të marrësh vendime të mençura në lidhje me alkoolin?

Para se të pish, mendo:

A është mirë për mua të pi alkool apo jo?

Sugjerim: Ai që nuk i vë dot kufi pijes, nuk duhet të pijë fare.

Sa duhet të pi?

Sugjerim: Vendos një kufi para se alkooli të të shtrembërojë gjykimin.

Kur do të pi?

Sugjerime: Jo para se t’i japësh makinës ose të bësh gjëra ku kërkohet të jesh i kthjellët; jo para aktiviteteve fetare; jo gjatë shtatzënisë; jo kur merr disa lloje ilaçesh.

Ku do të pi?

Sugjerime: Në një vend të përshtatshëm; jo fshehurazi; jo para njerëzve që janë të ndjeshëm ndaj alkoolit.

Me kë do të pi?

Sugjerime: Me miq ose pjesëtarë të familjes që ndikojnë për mirë te ty; jo me ata që kanë probleme me alkoolin.

[Kutia dhe figura në faqen 10]

Fjala e Perëndisë ndihmon një ish të alkoolizuar

Supoti që banon në Tajlandë, pinte shumë. Në fillim pinte vetëm në mbrëmje. Pak nga pak filloi të pinte në mëngjes e pastaj edhe gjatë drekës. Shpesh pinte vetëm për t’u dehur. Por më vonë filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Kur mësoi se Perëndia Jehova nuk e miraton dehjen, Supoti e la pijen. Por pas njëfarë kohe, iu kthye përsëri vesit të vjetër. Familjarët e tij u ndien shumë keq.

Megjithatë, Supoti e donte ende Jehovain dhe dëshironte ta adhuronte siç duhej. Miqtë vazhduan ta ndihmonin Supotin dhe i inkurajonin familjarët e tij që të rrinin më shumë me të dhe të mos dorëzoheshin. Në atë kohë fjalët e qarta te 1 Korintasve 6:10, ku thuhet se ‘pijanecët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë’, e ndihmuan Supotin të kuptonte se sa serioze ishte situata e tij. Ai kuptoi se duhej të përpiqej me të gjitha forcat për të kapërcyer problemin me alkoolin.

Këtë herë Supoti ishte i vendosur ta linte pijen njëherë e mirë. Në fund, me fuqinë e frymës së shenjtë të Perëndisë, nën drejtimin e Fjalës së Tij dhe me ndihmën e familjes e të kongregacionit, Supoti mori forcë dhe e mposhti dëshirën për të pirë alkool. Familja e tij u kënaq kur ai u pagëzua në simbol të kushtimit të tij ndaj Perëndisë. Tani Supoti gëzon atë marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë që kishte dëshiruar gjithnjë dhe kohën e përdor për t’i ndihmuar të tjerët që ta njohin Perëndinë.