Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A shkojnë të gjithë njerëzit e mirë në qiell?

A shkojnë të gjithë njerëzit e mirë në qiell?

A shkojnë të gjithë njerëzit e mirë në qiell?

PAS darkës së fundit me apostujt, natën para ekzekutimit të tij, Jezui u premtoi se do t’u jepte si shpërblim një vend në qiell. Ai tha: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, do t’jua kisha thënë. Unë po shkoj t’ju përgatit një vend.» (Gjoni 14:2) Pse Jezui do t’u siguronte një vend në qiell? Çfarë do të bëjnë atje?

Jezui kishte në mendje një caktim të veçantë për dishepujt e tij. Po atë mbrëmje, ai tha: «Ju keni qëndruar bashkë me mua në sprovat e mia. Prandaj unë po bëj me ju një besëlidhje për një mbretëri, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua.» (Luka 22:28, 29) Perëndia i kishte premtuar Jezuit se ai do të ishte Mbreti që do të plotësonte një nga nevojat më të mëdha të njerëzimit—një qeveri e mirë. Jezui do t’i shpëtojë njerëzit nga mundimi dhe do të dërrmojë ata që i mashtrojnë. Megjithëse Jezui do të ketë nënshtetas «deri në skajet e tokës», froni i tij do të jetë në qiell.—Psalmi 72:4, 8; Danieli 7:13, 14.

Megjithatë, Jezui nuk do të sundojë i vetëm. Ja pse u premtoi apostujve një vend në qiell. Ata ishin të parët që u zgjodhën ‘për të mbretëruar mbi tokën’.—Zbulesa 5:10.

Sa janë ata që shkojnë në qiell? Si në çdo qeveri, sunduesit në Mbretërinë qiellore të Perëndisë janë të paktë në krahasim me gjithë njerëzit që jetojnë nën drejtimin e saj. Atyre që do të sundojnë bashkë me të, Jezui u tha: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë mbretërinë.» (Luka 12:32) Kjo «kope e vogël» në fund do të arrijë në 144.000 veta. (Zbulesa 14:1) Ky numër është i vogël në krahasim me ata miliona njerëz që do të gëzojnë jetën e pafund në tokë si nënshtetas besnikë të Mbretërisë.—Zbulesa 21:4.

Pra, jo të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell. Për mbretin e mirë David, apostulli Pjetër tha hapur: ‘Davidi nuk u ngjit në qiej.’ (Veprat 2:34) Gjon Pagëzori ishte njeri i mirë e prapëseprapë, Jezui tregoi se ai nuk do të lartësohej si mbret në qiell. «Ndër ata që kanë lindur nga gratë,—tha Jezui,—s’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori, e megjithatë më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.»—Mateu 11:11.

A do të marrësh edhe ti shpërblimin e njerëzve të mirë?

Çfarë duhet të bëjë një njeri për të marrë jetën e përhershme në tokë? Jezui pohoi: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Siç thotë shkrimi, dashuria për botën e shtyn Perëndinë që t’ua ofrojë të gjithëve jetën e përhershme, por faktikisht këtë shpërblim do ta marrin vetëm ata që ‘tregojnë besim’.

Besimi duhet bazuar mbi një njohuri të saktë. (Gjoni 17:3) Mund të tregosh se je njeri i mirë duke mësuar më shumë për qëllimin që ka Jehovai për njeriun. Vepro me besim sipas asaj që mëson. Dhe ji i sigurt se para teje shtrihet mundësia për të jetuar pa fund.

[Kutia në faqen 7]

Çfarë thotë Bibla?

Pyetja:

Çfarë ndodh me njerëzit e mirë kur vdesin?

Përgjigjja:

«Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.»EKLISIASTIU 9:5.

Pyetja:

Çfarë shprese jep Bibla për njerëzit e mirë që kanë vdekur?

Përgjigjja:

«Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e [Jezuit] dhe do të dalin.»GJONI 5:28, 29.

Pyetja:

Ku do të jetojë pjesa më e madhe e njerëzve të mirë?

Përgjigjja:

«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»PSALMI 37:29.