Për adhurimin e vërtetë
Çfarë mësojmë nga Jezui
Për adhurimin e vërtetë
A e miraton Perëndia çdo formë adhurimi?
▪ Jezuit i vinte keq për njerëzit që ishin mashtruar nga feja e rreme. Ai i paralajmëroi për «profetët e rremë, që vijnë . . . të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë». (Mateu 7:15) A e ke vënë re që disa njerëz e përdorin fenë për qëllimet e tyre të liga?
Jezui i tha në lutje Perëndisë: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Pra, Perëndia nuk e miraton adhurimin që bie ndesh me të vërtetën e Biblës. Prandaj, duke iu referuar fetarëve hipokritë, Jezui citoi fjalët e Perëndisë: «Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjesht urdhërime njerëzish.»—Mateu 15:9.
A ekziston një fe e vërtetë?
▪ Kur takoi në Samari një grua që ishte mashtruar nga feja e rreme, Jezui i tha: «Ju adhuroni atë që nuk e njihni. . . . Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.» (Gjoni 4:22, 23) Kjo tregon qartë se nuk është e pamundur të gjesh adhurimin e vërtetë.
Jezui tha: «Nuk bëj asgjë me nismën time, por i them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.» Pra, Jezui e dinte se feja që ai u mësonte njerëzve, ishte e vetmja fe e vërtetë. (Gjoni 8:28) Për këtë arsye, ai tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Përderisa adhuruesit e vërtetë duhet të ndjekin të njëjtën udhë drejt Perëndisë, atëherë duhet të jenë të bashkuar në të njëjtën fe të vërtetë.
Si mund t’i dallosh adhuruesit e vërtetë?
▪ Të krishterë quhen ata që ndjekin Jezu Krishtin. Le të shohim katër mënyra se si ndjekja e shembullit të Jezuit bën të qartë se cilët janë dishepujt e tij.
1. Jezu Krishti i tha në lutje Jehovait: ‘Unë e kam bërë të njohur emrin tënd.’ (Gjoni 17:26) Edhe të krishterët e vërtetë bëjnë të njëjtën gjë sot e kësaj dite.
2. Jezui predikoi për Mbretërinë e Jehovait dhe i dërgoi dishepujt e tij shtëpi më shtëpi për të bërë të njëjtën gjë. Ai tha: «Në çdo qytet ose fshat që të hyni, kërkoni atë që e meriton.» Më vonë u tha dishepujve: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Mateu 10:7, 11; 28:19) Edhe sot nuk është aspak e vështirë t’i dallosh të krishterët e vërtetë, pasi vazhdojnë të bëjnë të njëjtën vepër.
3. Jezui nuk pranoi të mbante anën e askujt në politikë. Prandaj, ai tha për dishepujt e tij: «Nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:14) Adhuruesit e vërtetë duhet të njihen për asnjanësinë e tyre në çështjet politike.
4. Jezui kishte dashuri vetëmohuese për të tjerët. Ai tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Të krishterët e vërtetë kujdesen për njëri-tjetrin dhe nuk marrin pjesë në luftë.
Ç’dobi mund të nxjerrësh nga adhurimi i vërtetë?
▪ Që të ndjekësh adhurimin e vërtetë, së pari duhet të njohësh mirë Jehovain. Njohuria për Perëndinë do të të ndihmojë të jetosh në mënyrën më të mirë dhe do të të mbushë zemrën me dashuri për Të. Jehovai u premton jetë pa fund atyre që e duan. Ja pse Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.»—Gjoni 17:3.
Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 15, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 16]
«Kini kujdes nga profetët e rremë, që vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.»—Mateu 7:15