Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lexuesit pyesin . . .

Çfarë është Salla e Mbretërisë?

Çfarë është Salla e Mbretërisë?

Salla e Mbretërisë është një vend adhurimi që Dëshmitarët e Jehovait e përdorin për shërbimet e tyre fetare. Në mbarë botën përdoren dhjetëra mijë Salla Mbretërie. Çdo javë, në këto salla mblidhen më tepër se 105.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait.

Çdo Sallë Mbretërie ka një auditor ku zhvillohen programe dhe mbahen fjalime për studimin e Biblës. Në shumicën e auditorëve ka një platformë ku drejtohen mbledhjet. Zakonisht, ka vende për t’u ulur për 100 deri në 300 veta. Gjithashtu, Salla e Mbretërisë mund të ketë një ose më shumë ambiente mësimdhënieje, një zyrë, si dhe një bibliotekë të vogël me literaturë dhe vepra referimi që kanë lidhje me Biblën, të cilat mund t’i përdorë për të bërë kërkime çdo pjesëtar i kongregacionit.

Megjithatë, në një Sallë Mbretërie ju nuk do të gjeni ndonjë simbol ose objekt fetar që zakonisht gjendet nëpër kisha. Aty nuk ka altarë, shëmbëlltyra ose kryqe. Pse jo? Dëshmitarët e Jehovait besojnë se përdorimi i këtyre objekteve bie ndesh me urdhrin biblik «ikni nga idhujtaria». (1 Korintasve 10:14; Gjoni 4:24) Shumë kisha dhe tempuj janë tejet të stolisur e të dekoruar. Në kontrast me këtë, Sallat e Mbretërisë ndërtohen në atë mënyrë që të jenë praktike dhe të thjeshta. Theksi vihet te mësimdhënia biblike që zhvillohet brenda ndërtesës e jo te struktura e saj.

Pse quhet Salla e Mbretërisë? Mbledhjet që mbahen në një Sallë Mbretërie përqendrohen te mësimet e Biblës dhe te mesazhi i saj kryesor për «mbretërinë e Perëndisë», tema e shërbimit të Jezuit. (Luka 4:43) Prandaj, emërtimi Salla e Mbretërisë, i cili u përdor fillimisht në vitet 30 të shekullit të 19-të, përshkruan me të drejtë qëllimin e këtyre ndërtesave​—të përhapin adhurimin e vërtetë dhe të shërbejnë si qendra për predikimin e ‘lajmit të mirë për mbretërinë’. (Mateu 24:14) Pra, Sallat e Mbretërisë nuk përdoren për aktivitete shoqërore ose tregtare. Ndërtimi dhe shpenzimet e funksionimit të sallave, si edhe shpenzimet për të mbështetur veprën e predikimit, financohen tërësisht nga kontributet vullnetare. Askush nuk është i detyruar të kontribuojë pará gjatë këtyre mbledhjeve. Përkundrazi, ka një kuti në një vend të caktuar ku cilido që dëshiron, mund të japë një kontribut.

Sallat e Mbretërisë shërbejnë për të njëjtin qëllim në të gjitha viset e botës, megjithatë ato ndërtohen me përmasa dhe stile të ndryshme. Projekti ndryshon në varësi të materialeve vendëse të ndërtimit, të klimës dhe të gjendjes financiare të Dëshmitarëve të Jehovait në zonën ku jetojnë. Disa ndërtesa janë me tulla, drurë dhe gur. Të tjera mund të jenë të hapura anash, me mure bambuje dhe çati kashte.

Vizitorët janë gjithnjë të mirëpritur për të ndjekur mbledhjet në çfarëdo Sallë Mbretërie. (Hebrenjve 10:25) Në fakt, çdo javë mbahet një mbledhje specifike për publikun e cila përqendrohet në një temë të bazuar në Bibël që është me interes jo vetëm për pjesëtarët e kongregacionit, por edhe për vizitorët. Pse të mos e vizitoni Sallën e Mbretërisë që ndodhet në zonën tuaj?