Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

ÇFARË hapash konkretë bëri për të mposhtur veset një person që bënte pjesë në një bandë dhe drogohej me marihuanë? Pse pjesëtari i një bande të muzikës thrash metal preu flokët e gjatë dhe ndryshoi qëndrim ndaj muzikës që donte? Çfarë e nxiti një njeri që refuzonte autoritetet fetare dhe qeveritare të bëhej pjesëtar i një organizate fetare? Shqyrtoni se çfarë thonë këta persona.

E mposhta vesin e marihuanës.​—PITER KAUSANGA

MOSHA: 32 vjeç

VENDI I LINDJES: NAMIBI

MË PARË: PJESËTAR I NJË BANDE DHE PËRDORUES I MARIHUANËS

E KALUARA IME: U rrita në Kehemu, një nga katër lagjet e mëdha të qytetit të Rundut. Njerëzit atje e siguronin jetesën duke shitur mel, dru dhe qymyr druri.

Kur isha vetëm dy vjeç, më vdiq mamaja, kështu që më rriti gjyshja. Bënim jetë të thjeshtë. Nga natyra nuk isha rebel, por për shkak të presionit të moshatarëve, u futa në telashe. Në shkollë u bëra pjesëtar i një bande. Si pasojë, përleshesha rrugëve, i kërcënoja njerëzit, vidhja, merresha me kontrabandë diamantesh dhe abuzoja me alkoolin e drogën. Dy herë më kapën e më burgosën për grabitje dhe mashtrim.

E lashë përgjysmë shkollën e mesme dhe përfundimisht u largova nga qyteti im dhe nga banda. Doja të nisja një jetë të re. Megjithatë, isha ende nën varësinë e marihuanës. Ndonjëherë bëja kilometra të tërë vetëm për të gjetur një cigare marihuane.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Në fillim të vitit 1999, takova disa Dëshmitarë të Jehovait që po u ofronin literaturën e tyre njerëzve në rrugë. Më trajtuan me respekt e dinjitet dhe kjo më preku shumë. Mesazhi që përmbante literatura e tyre më bindi se kisha gjetur fenë e vërtetë. Fillova të studioja me zell Biblën dhe shpejt kuptova se duhej të bëja ndryshime në jetë, nëse doja t’i pëlqeja Perëndisë Jehova.

Caktova një datë se kur do t’i lija zakonet e mia të këqija dhe më pas hodha çdo gjë timen që kishte lidhje me duhanin dhe marihuanën. Gjithashtu, u thashë shokëve të mos më jepnin cigare dhe të mos pinin duhan afër meje. Pavarësisht nga këto, gjërat nuk shkuan sipas planit. Dy herë iu dorëzova dëshirës së zjarrtë për cigare dhe marihuanë. Por kjo nuk më shkurajoi. Mbaja në mendje parimin e dokumentuar te Proverbat 24:16: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur.» Në fund, arrita t’i lija zakonet e këqija.

Sa më shumë mësoja për Jehovain, aq më tepër doja ta kisha mikun tim më të ngushtë. Një varg biblik që më preku zemrën ishte Psalmi 27:10: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.» Ndërsa vazhdoja studimin e thellë të Biblës, përjetoja vërtetësinë e këtyre fjalëve. E ndjeva se Jehovai u bë për mua një Atë i vërtetë dhe që interesohej për mua.

Gjithashtu, shoqërohesha rregullisht me Dëshmitarët e Jehovait. Mes tyre mund të shihja miqësinë dhe dashurinë e vërtetë. Kurrë më parë nuk kisha përjetuar një ndjenjë të tillë.

DOBITË: Me ndihmën e Jehovait dhe të Dëshmitarëve kam përmirësuar paraqitjen e jashtme, veshjen, sjelljen dhe të folurit. Kur mendoj për të kaluarën, mendoj se jeta ime ka ndryshuar ashtu si një larvë e shëmtuar bëhet një flutur e bukur. Të afërmit e mi janë mirënjohës për këtë ndryshim dhe tani kam fituar besimin e tyre. Sot jam i martuar dhe përpiqem të jem një burrë i dashur për gruan dhe një atë i kujdesshëm për fëmijët e mi.

«Kam gjetur qëllim të vërtetë në jetë.»​—MARKOS PAULO DE SOZA

MOSHA: 29 vjeç

VENDI I LINDJES: BRAZIL

MË PARË: PJESËTAR I NJË BANDE TË MUZIKËS THRASH METAL

E KALUARA IME: Familja ime jetonte në qytetin e Zhaguariunës, në San-Paulo. Prindërit e mi ishin katolikë të flaktë dhe kur isha i vogël shërbeja si ndihmës i priftit. Si pasojë, shokët e klasës fillore më vunë nofkën «atë». Por, në moshën 15-vjeçare zbulova muzikën rok hevi metëll. Fillova të rrija me këngëtarë roku. Lashë flokë të gjatë dhe në vitin 1996, babai më ndihmoi të blija baterinë time të parë.

Në vitin 1998, u futa në një bandë roku thrash metal. Muzika që luanim ishte satanike dhe e ndyrë. Lartësoja dhunën. Muzika ndikonte në mendimet, sjelljen dhe qëndrimin tim. U bëra gjithnjë e më negativ dhe agresiv.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Për herë të parë i takova Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1999. Ata u ofruan të studionin Biblën me mua dhe pranova, ndonëse nuk kisha shumë interes. Mirëpo, ajo që mësoja nga Bibla, e ndryshoi këndvështrimin tim për jetën.

Njihesha si «djali flokëgjatë», «ylli i rokut» ose «bateristi». Por, fillova të kuptoja se, ngaqë luaja me bandën, isha bërë egocentrik dhe kisha frymën e konkurrencës. Nuk më pëlqente më reputacioni që kisha. U bëra i vetëdijshëm se këngëtarët që adhuroja nuk kishin një qëllim të vërtetë në jetë. Dalëngadalë kuptova që, nëse doja t’i pëlqeja Perëndisë Jehova, duhej të hiqja dorë nga muzika hevi metëll, si dhe nga imoraliteti e idhujtaria që lidhen me të.

Më pëlqente muzika dhe flokët e gjatë. Pyesja veten nëse do të jetoja dot pa to. Gjithashtu, kisha një temperament të dhunshëm dhe e dija se duhej të mësoja që ta mbaja nën kontroll. Sidoqoftë, me anë të studimit të Biblës, fillova ta doja Jehovain gjithnjë e më shumë. Duke mësuar për dashurinë, durimin dhe mëshirën e Perëndisë, tërhiqesha pas tij. Iu luta Jehovait për ndihmë që të ndryshoja dhe ai më ndihmoi. Nga përvoja ime kam mësuar vërtetësinë e asaj që thuhet te Hebrenjve 4:12. Ky varg thotë: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.»

Kur fillova të shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait, zbulova se ishin ndryshe. Për herë të parë në jetën time pashë dashurinë e vërtetë në veprim. Kjo dashuri dukej sidomos në kongreset e mëdha të Dëshmitarëve. Më bëri përshtypje mënyra si punonin vullnetarët e zellshëm për t’i bërë mbledhjet më të rehatshme për të tjerët.

DOBITË: Me ndihmën e Jehovait, tani jam në gjendje të mbaj nën kontroll temperamentin tim. E ndiej që nuk jam më egocentrik dhe krenar.

Duhet ta pranoj se për njëfarë kohe më mungonte jeta që bëja më parë, por tani jo më. Kam gjetur një qëllim të vërtetë në jetë. Jam i lumtur që po mësoj të interesohem për të tjerët dhe për mirëqenien e tyre.

«Provoj gëzim duke u interesuar për të tjerët.»​—XHEFRI NOBËLL

MOSHA: 59 vjeç

VENDI I LINDJES: SHTETET E BASHKUARA

MË PARË: REFUZONTE AUTORITETET FETARE DHE QEVERITARE

E KALUARA IME: Jam rritur në Ipsuiç, Masaçusets, një qytezë bregdetare e përbërë nga punëtorë të thjeshtë. Kur u rrita, vendosa të jetoja në një zonë të largët të Vermontit. Në përputhje me standardet e amerikanëve në veri, unë dhe e dashura ime bënim një jetë shumë të thjeshtë. Nuk kishim energji elektrike, prandaj ngroheshim dhe gatuanim me dru që i mblidhnim në pyll. Banja ndodhej jashtë dhe për shumicën e vitit nuk kishim ujë të rrjedhshëm. Kishim refuzuar shoqërinë dhe pamja jonë e jashtme e tregonte këtë. Ishte një periudhë kur krenohesha që nuk isha krehur për gjashtë muaj.

Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara ishin përfshirë në Luftën e Vietnamit. Kjo ndikoi në qëndrimin tim ndaj autoritetit. Pashë hipokrizinë në qeveri dhe në fe. Mendoja se s’mund të gjeja përgjigje në këto institucione dhe se çdo njeri duhej të vendoste vetë ç’është e drejtë ose e gabuar. Kështu që nuk e vritja mendjen nëse ishe e gabuar të vidhja atë që më nevojitej.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Unë dhe e dashura ime kishim filluar të lexonim Biblën, por nuk kuptonim asgjë. Unë merrja drogë, edhe pse përpiqesha të hiqja dorë. E dashura ime donte të martohej e të kishte fëmijë. Në atë kohë, në shtëpinë tonë erdhi një Dëshmitare e Jehovait dhe filloi të studionte Biblën me ne.

Shumë shpejt arrita t’i lija zakonet e këqija, megjithatë e kisha më të vështirë të ndryshoja qëndrim ndaj autoritetit. Isha mësuar të vija në dyshim çdo gjë. Isha rritur pa shumë kufizime në sjellje, prandaj e kisha të vështirë të pranoja idenë që të jetoja sipas rregullave të ndokujt.

Gjithmonë kisha besuar te një Krijues, por kisha vetëm një koncept të mjegullt për të. Gjithsesi, teksa studioja Biblën, personaliteti i Perëndisë Jehova bëhej më i qartë për mua. Shihja se ai më thoshte troç se çfarë donte nga unë. Kërkesat e tij ishin të qarta. Gjithashtu, mësova se ai ka një qëllim të përcaktuar për ta bërë tokën parajsë. (2 Pjetrit 3:13) Këto të vërteta më nxitën të ndryshoja në mënyrë që të kualifikohesha për t’i shërbyer Perëndisë.

Më bëri përshtypje në veçanti mënyra se si Dëshmitarët e Jehovait refuzonin të përfshiheshin në luftë. Asnjë fe tjetër mbarëbotërore që njihja nuk i përmbahej të njëjtit standard të bazuar në Bibël.

E dija që, nëse doja t’i shërbeja Jehovait, duhej të ndryshoja paraqitjen. Në fillim nuk ndihesha rehat me standardet e veshjes që nxitnin Dëshmitarët. As unë, as shokët e mi nuk kishim këmisha, pantallona ose këpucë për raste formale. Dhe natyrisht, unë nuk kisha kollare. Megjithatë, i preva flokët dhe e përmirësova paraqitjen time. Prapëseprapë, më kujtohet hera e parë kur predikova shtëpi më shtëpi. Në një xham pashë pamjen time. Pyeta veten: «Çfarë kam bërë?» Por, me kalimin e kohës ndihesha rehat me paraqitjen që kisha.

DOBITË: U martova me të dashurën time dhe jemi ende të martuar e të lumtur. Të dy kemi mundur të rritim tre fëmijë që e duan dhe i shërbejnë Jehovait. Po ashtu, kam pasur kënaqësinë që t’i ndihmoj të tjerët të mësojnë të njëjtat të vërteta biblike që më ndihmuan të ndryshoja jetën time.

Më parë krenohesha që nuk doja t’ia dija se ç’mendonin të tjerët. Tani provoj gëzim ngaqë interesohem për të tjerët dhe ngaqë të tjerët interesohen për mua.

[Diçitura në faqen 26]

«Bëja kilometra të tërë vetëm për të gjetur një cigare marihuane»

[Diçitura në faqen 28]

«Ajo që mësoja nga Bibla, e ndryshoi këndvështrimin tim për jetën»

[Diçitura në faqen 29]

«Nuk ndihesha rehat me standardet e veshjes që nxitnin Dëshmitarët»