Emri i Perëndisë Jehova në një tempull egjiptian
Emri i Perëndisë Jehova në një tempull egjiptian
SA HERËT në histori shfaqet emri i Perëndisë, Jehova ose Jahveh, në burimet jobiblike? Disa studiues përgjigjen të sigurt: që në shekullin e 14-të p.e.s. Pse e thonë këtë?
Rreth vitit 1370 p.e.s., egjiptianët kishin pushtuar shumë vende. Sundimtari egjiptian i asaj kohe, faraoni Amenofi III, ndërtoi një tempull madhështor në Soleb, në Nubi, që tani njihet si Sudani. Kur arkeologët zbuluan këtë tempull, gjetën një mbishkrim hieroglifik egjiptian që duket se përmban Tetragramin hebraik—JHVH ose Jehova. Ky mbishkrim është 500 vjet më i vjetër se Guri i famshëm i Moabit, që më parë mendohej se ishte dokumenti më i vjetër i njohur ku shfaqej emri i Perëndisë. Pse emri i Perëndisë së Biblës mund të jetë gdhendur në një tempull egjiptian?
«Vendi shasu i Jahut»
Tempullin që ndërtoi faraoni Amenofi III, ia kushtoi perëndisë Amun-Ra. Tempulli ishte rreth 120 metra i gjatë dhe ngrihej buzë lumit Nil, në anën perëndimore të tij. Në hieroglifet që dekorojnë bazat e kolonave në një nga sallonet e tij, renditen emrat e territoreve që Amenofi pretendonte se i kishte pushtuar. Çdo territor paraqitet nga një i burgosur që i ka duart e lidhura pas shpine dhe përpara ka një mburojë mbi të cilën është gdhendur emri i vendit ose i popullit të tij. Në këto mbishkrime hieroglifike përfshihen vendet e disa të ashtuquajturve banorë shasu ose shosu. Cilët ishin banorët shasu?
Shasu ishte emri i përgjithshëm që egjiptianët përdornin për beduinët, fise të përçmuara që jetonin përtej kufirit lindor të Egjiptit. Vendet e banorëve shasu përfshinin jugun e Palestinës, jugun e Transjordanisë dhe Sinain. Disa studiues thonë se vendet që sipas përshkrimit u përkitnin banorëve shasu, shtriheshin në veri deri në Liban e në Siri. Në listën e vendeve
të pushtuara që tregohen në Soleb, përfshihet një vend që është lexuar në mënyra të ndryshme: «Jahve në vendin e shosut», «vendi shasu i Jahut» ose «vendi shasu-jhv». Egjiptologu Zhan Lëklan thotë se emri që shfaqet i gdhendur te mburoja që ndodhet në Soleb, «përkon me ‘tetragramin’ e perëndisë së Biblës, JHVH».Shumica e studiuesve mendojnë që emri Jahu ose Jahve në këtë kontekst dhe në kontekste të tjera, duhet t’i referohet një vendi ose një rajoni. Studiuesi Shmul Ahituv thotë se mbishkrimi identifikon «zonën e shtegtimit të klanit të adhuruesve të Jahut, Perëndisë së Izraelit». * Nëse ky përfundim është i saktë, emri i këtij vendi do të ishte vetëm një nga mjaft shembujt e lashtë të emërtimeve semitike që identifikojnë edhe vendin, edhe perëndinë e tij. Një shembull tjetër është Asuri, i cili identifikon vendin e Asirisë dhe hyjninë e tij më të lartë.
Në lidhje me mbishkrimin në tempullin e Nubisë, studiuesi biblik dhe arkeologu Roland de Vo thotë: «Në një zonë me të cilën paraardhësit e Izraelit kishin pasur kaq shumë lidhje, që në mesin e mijëvjeçarit të dytë para Krishtit ekzistonte një emër gjeografik ose etnik shumë i ngjashëm, në mos identik, me emrin e Perëndisë së Izraelit.»
Një emër që nderohet ende
Solebi nuk është i vetmi vend në Nubi ku shfaqet emri Jahve në shkrimet hieroglifike egjiptiane. Disa lista që duket se janë kopje të listës së Solebit, janë gjetur edhe në tempujt e Ramsesit II në Amarën Perëndimore dhe në Aksë. Në listën e Amarës, shkrimi hieroglifik për frazën «Jahve në vendin e shosut», duket i ngjashëm me shkrimet që janë përdorur për territoret e tjera shosu, të cilat mendohet se janë Seiri dhe Labani. Bibla i lidh këto zona me jugun e Palestinës, Edomin dhe Sinain. (Zanafilla 36:8; Ligji i përtërirë 1:1) Këto ishin zona që frekuentoheshin shpesh nga njerëz që e njihnin dhe e adhuronin Jehovain para dhe pas qëndrimit të Izraelit në Egjipt.—Zanafilla 36:17, 18; Numrat 13:26.
Ndryshe nga emrat e perëndive të tjera që shfaqen në mbishkrimet e lashta, emri i Perëndisë së Biblës, Jehova, ende përdoret dhe nderohet gjerësisht. Për shembull, në më tepër se 230 vende, më shumë se shtatë milionë Dëshmitarë të Jehovait e përdorin jetën për të ndihmuar të tjerët që jo vetëm të mësojnë këtë emër, por edhe t’i afrohen Perëndisë që mban emrin unik Jehova.—Psalmi 83:18; Jakovi 4:8.
[Shënimi]
^ par. 7 Disa studiues vënë në diskutim çështjen nëse ky hieroglif nënkupton që banorët shasu «ishin besimtarët e perëndisë Jahveh». Ata mendojnë se emri i këtij vendi, që përndryshe do të ishte i panjohur, mund të ketë vetëm një ngjashmëri të rastësishme, por befasuese, me emrin e Perëndisë së Izraelit.
[Diçitura në faqen 21]
Pse emri i Perëndisë së Biblës, Jehova, është gdhendur në një tempull pagan egjiptian?
[Harta në faqen 21]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
EGJIPT
Tempulli në Soleb
SUDAN
Lumi Nil
[Figurat në faqen 21]
Kopje e kolonës së tempullit
[Figura në faqen 22]
Vendndodhja e rrënojave të tempullit të Amun-Rasë, Soleb, Sudan
[Burimi]
Ed Scott/Pixtal/age fotostock
[Burimi i figurës në faqen 21]
Sfondi: Asian and Middle Eastern Division/The New York Public Library/Astor, Lenox and Tilden Foundations