Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kemi një familje të lumtur?

Të rritim fëmijë të përgjegjshëm

Të rritim fëmijë të përgjegjshëm

Xhorxhi: * «Çdo mbrëmje ishte i njëjti avaz. Majkëlli, djali im katërvjeçar, i linte lodrat rrëmujë nëpër shtëpi. Përpiqesha ta nxitja që t’i sistemonte para se të flinte. Por Majkëlli nevrikosej, çirrej dhe sillej keq. Disa herë mërzitesha kaq shumë, saqë i bërtisja, por kjo vetëm sa na bënte të ndiheshim keq të dy. Doja që momenti para se të flinim të ishte i bukur. Prandaj, hiqja dorë dhe e ndreqja vetë rrëmujën.»

Emilia: «Telashet nisën kur vajza ime 13-vjeçare, Xheni, e pati të vështirë të kuptonte kërkesat e mësueses në lidhje me një detyre në shkollë. Kur u kthye nga shkolla, Xheni qau për një orë. I thashë të kërkonte ndihmë në shkollë, por Xheni këmbënguli se mësuesja ishte e keqe, prandaj nuk guxonte të fliste me të. Isha gati të shkoja drejt e në shkollë e t’ia nxirrja inatin mësueses. Mendoja që askush nuk kishte të drejtë ta trishtonte kaq shumë vogëlushen time.»

A NDIHESH ndonjëherë si Xhorxhi dhe Emilia? Ashtu si ata prindër, shumë ndihen keq kur shohin që fëmijën e tyre e mundon një problem ose nuk është i lumtur. Është më se normale që prindërit përpiqen t’i mbrojnë fëmijët. Megjithatë, situatat e përshkruara më sipër faktikisht ishin raste për prindërit që t’u mësonin fëmijëve një mësim të vlefshëm për të qenë të përgjegjshëm. Patjetër, mësimet që mund të nxjerrë një katërvjeçar dhe një trembëdhjetëvjeçare janë të ndryshme.

Sidoqoftë, e vërteta është se ti nuk do të jesh gjithnjë pranë fëmijës që t’i bëhesh mburojë përballë vështirësive të jetës. Në fund, fëmija do të lërë babanë e nënën dhe «do të mbajë ngarkesën e vet» të përgjegjësisë. (Galatasve 6:5; Zanafilla 2:24) Që t’i ndihmojnë fëmijët t’i dalin zot vetes, prindërit duhet të kenë si synim t’u mësojnë atyre të bëhen të rritur altruistë, të përgjegjshëm e që interesohen për të tjerët. Kjo nuk është një detyrë e lehtë.

Prindërit, megjithatë, kanë shembullin e mrekullueshëm të Jezuit dhe të mënyrës si sillej me dishepujt. Jezui vetë nuk ishte prind. Por, kur zgjodhi dhe stërviti dishepujt, kishte si synim t’i forconte që të vazhdonin veprën, edhe pasi të mos ishte më me ta. (Mateu 28:19, 20) Ajo që bëri Jezui është e ngjashme me synimin që shpreson të arrijë çdo prind për të rritur fëmijë të përgjegjshëm. Shqyrto vetëm tri aspekte të shembullit që la Jezui për prindërit.

‘Lër modelin’ për fëmijën

Nga fundi i jetës së tij Jezui u tha dishepujve: «Unë ju lashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.» (Gjoni 13:15) Po kështu, prindërit duhet të shpjegojnë e të tregojnë me anë të shembullit se ç’do të thotë të jesh vërtet i përgjegjshëm.

Pyet veten: «A flas shpesh në mënyrë pozitive në lidhje me përgjegjësitë që kam? A e shpreh kënaqësinë që provoj duke punuar fort për të tjerët? Apo shpesh ankohem dhe e krahasoj veten me ata që duket sikur bëjnë një jetë më të rehatshme?»

Sigurisht, askush nuk është i përsosur. Të gjithë ndihemi të mbingarkuar ndonjëherë. Por, shembulli yt është ndoshta mënyra më e fuqishme për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë sa e rëndësishme dhe e vlefshme është të jenë të përgjegjshëm.

SUGJERIM: Nëse është e mundur, herë pas here merre fëmijën në punë dhe tregoji se çfarë bën për të mbajtur familjen nga ana financiare. Bashkë me fëmijën ndihmoni dikë që ka nevojë për ndihmë. Më pas, flitni për kënaqësinë që provuat duke u kujdesur për atë përgjegjësi.​—Veprat 20:35.

Ji realist në atë që pret

Jezui e pranoi që do të duhej kohë para se dishepujt të ishin gati për të marrë përsipër rolet dhe përgjegjësitë që priste të përmbushnin. Njëherë ai u tha: «Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë, por tani për tani nuk jeni në gjendje t’i kuptoni.» (Gjoni 16:12) Jezui nuk u kërkoi menjëherë dishepujve të bënin diçka vetë. Përkundrazi, kaloi mjaft kohë duke u mësuar shumë gjëra. Vetëm kur mendoi se ishin gati, Jezui i dërgoi vetëm dishepujt.

Po kështu, është e paarsyeshme që prindërit t’u kërkojnë fëmijëve të marrim përgjegjësi që janë për të rriturit, para se ata të jenë gati. Gjithsesi, teksa fëmijët rriten, prindërit duhet të përcaktojnë se çfarë punësh dhe detyrash janë të përshtatshme për ta. Për shembull, prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve të kujdesen për pastërtinë e vetes, të pastrojnë dhomën e tyre, të jenë të përpiktë dhe t’i administrojnë paratë me mençuri. Kur fëmija fillon shkollën, prindërit duhet të presin që ai t’i shohë detyrat e shkollës si një përgjegjësi e rëndësishme për të cilën duhet të kujdeset.

Prindërit nuk duhet të mjaftohen vetëm duke i dhënë disa përgjegjësi fëmijës. Ata duhet edhe ta mbështetin në përpjekjet që bën për t’ia dalë mbanë. Xhorxhi, babai i përmendur më parë, kuptoi se një arsye pse Majkëlli e kishte kaq shumë problem të sistemonte lodrat, ishte se i dukej mjaft e vështirë. «Në vend që t’i bërtisja Majkëllit që t’i vinte lodrat në vend,—thotë Xhorxhi,—u përpoqa t’i mësoja një mënyrë për ta bërë këtë gjë.»

Çfarë bëri Xhorxhi konkretisht? «Së pari,—thotë ai,—caktova një orar fiks për të mbledhur lodrat çdo natë. Pastaj, bashkëpunoja me Majkëllin duke sistemuar fillimisht një pjesë të dhomës e më pas një tjetër. E ktheva këtë punë në një lojë, madje bënim garë se kush do ta mbaronte më parë. Shumë shpejt, kjo u bë një gjë e zakonshme para se të flinim. I premtova Majkëllit që po ta bënte punën shpejt, do t’i lexoja një histori më tepër para se të flinte. Por, nëse vonohej, atëherë do t’i lexoja më pak.»

SUGJERIM: Analizo se ç’gjë që do të çonte në mbarëvajtjen e shtëpisë, mund të presësh në mënyrë të arsyeshme nga secili fëmijë. Pyet veten: «A po bëj ende gjëra që fëmijët mund t’i bëjnë vetë?» Nëse po, bashkëpuno me fëmijët derisa të jesh i sigurt se mund t’i bëjnë vetë punët. Bëje të qartë se do të kenë pasoja ose do të shpërblehen, në varësi të faktit se sa mirë do të kujdesen për punën që u është caktuar. Më pas, mbaje fjalën.

Jep udhëzime specifike

Jezui, ashtu si çdo mësues i aftë, e dinte se mënyra më e mirë për të mësuar është nëpërmjet praktikës. Për shembull, kur Jezui gjykoi se ishte momenti i duhur, i dërgoi dishepujt «dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte». (Luka 10:1) Megjithatë, ai nuk i la pa ndihmë. Para se t’i dërgonte, u dha udhëzime mjaft specifike. (Luka 10:2-12) Kur dishepujt u kthyen dhe raportuan për suksesin që patën, Jezui i lavdëroi dhe u dha zemër. (Luka 10:17-24) Ai shprehu besimin tek aftësitë e tyre dhe miratimin e tij.

Si reagon kur fëmijët kanë përgjegjësi sfiduese? A përpiqesh të mos i lejosh fëmijët të përballen me gjërat që kanë frikë, zhgënjimet dhe dështimet? Reagimi i parë instinktiv mund të jetë që «ta shpëtosh» fëmijën ose të mbash barrën e tij.

Por, mendo pak: çdo herë që turresh «për të shpëtuar» në ndonjë mënyrë fëmijët, çfarë mesazhi po u përcjell? A po tregon se ke besim tek ata dhe tek aftësitë e tyre? Apo përkundrazi po u thua se ende mendon që janë foshnja të pambrojtura që duhet të varen te ti për çdo gjë?

Për shembull, si veproi për problemin e vajzës së saj Emilia e përmendur më sipër? Në vend që të ndërhynte, vendosi që Xheni të fliste drejtpërdrejt me mësuesen. Së bashku, Emilia dhe Xheni shkruan një listë me pyetje që ta merrte me vete Xheni. Më pas, diskutuan se kur do të fliste me mësuesen. Madje bënë një provë se si mund të bëhej biseda. Emilia thotë: «Xheni mori guxim për të folur me mësuesen dhe mësuesja e lavdëroi për iniciativën e saj. Xheni ndihej shumë krenare me veten, por edhe unë ndihesha krenare me të.»

SUGJERIM: Shkruaj një vështirësi që po has fëmija. Pranë shkruaj se çfarë mund të bësh për ta ndihmuar fëmijën ta përballojë vështirësinë pa «e shpëtuar». Provo me fëmijën hapat e nevojshëm që duhet të bëjë për të kapërcyer vështirësinë. Shpreh besimin tënd tek aftësia e tij.

Nëse gjithmonë nuk i lë fëmijët të përballen me vështirësitë, në të vërtetë mund t’i pengosh të zhvillojnë aftësinë për t’u bërë ballë sfidave të jetës. Në vend të kësaj, forcoji fëmijët duke i rritur në atë mënyrë që të pranojnë përgjegjësitë. Kjo do të jetë dhurata më e çmuar që mund t’u japësh.

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

PYET VETEN . . .

  • A jam realist në atë që pres nga fëmijët e mi?

  • A ua tregoj me fjalë e me vepra se çfarë u nevojitet që t’ia dalin mbanë?

  • Kur ishte hera e fundit që e inkurajova dhe e lavdërova fëmijën?