Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është vërtet një veprim i pandershëm?

A është vërtet një veprim i pandershëm?

A është vërtet një veprim i pandershëm?

«Ndryshoje pak raportin rreth aksidentit dhe gjithçka do të jetë në rregull»

«Ata të tatimores s’kanë pse të dinë gjithçka»

«E rëndësishme është të mos të zbulojnë»

«Pse ta paguash kur mund ta marrësh falas?»

SHPREHJE të tilla mund t’i dëgjosh kur kërkon këshilla për çështje financiare ose për çështje të tjera. Disa njerëz duket sikur kanë «zgjidhje» të zgjuara për gjithçka. Pyetja është: A janë në të vërtetë këto zgjidhje veprime të ndershme?

Pandershmëria është kaq e përhapur sot saqë shpesh njerëzit e konsiderojnë gënjeshtrën, mashtrimin dhe vjedhjen si mënyra të pranueshme për të shmangur ndëshkimin, për të fituar para ose për të çarë përpara në jetë. Shpesh, pjesëtarë të shquar të shoqërisë nuk lënë një shembull të mirë në lidhje me ndershmërinë. Në një vend të Evropës, rastet e mashtrimit dhe të përvetësimit të paligjshëm u rritën me mbi 85 për qind nga viti 2005 deri në 2006-n. Dhe këtu nuk përfshiheshin shumë raste më pak të rënda pandershmërie, të cilat disa njerëz i quajnë «mëkate të vogla». Ndoshta nuk ishte kaq befasuese që disa personalitete të biznesit dhe politikës në atë vend, ishin përfshirë në një skandal ku u zbulua se ata kishin përdorur diploma të falsifikuara për të bërë përpara në karrierën e tyre.

Edhe pse sot pandershmëria është kaq e përhapur, prapëseprapë shumë njerëz duan të bëjnë atë që është e drejtë. Ka të ngjarë që edhe ti të jesh një nga ata. Ndoshta, ngaqë e do Perëndinë, dëshiron të bësh atë që është e drejtë në sytë e tij. (1 Gjonit 5:3) Mund të ndihesh si apostulli Pavël i cili shkroi: «Jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër, pasi duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Për këtë arsye, të ftojmë të shqyrtosh disa situata që mund të vënë në provë dëshirën për t’u sjellë «me ndershmëri në çdo gjë». Do të shqyrtojmë gjithashtu parime biblike që mund të jenë të dobishme në rrethana të tilla.

Kush duhet të paguajë në rast aksidenti?

Një ditë, ndërsa një vajzë e re e quajtur Liza * është duke ngarë makinën, bën një gabim dhe përplaset me një makinë tjetër. Askush nuk lëndohet, por makinat dëmtohen të dyja. Në vendin ku ajo jeton, shoferët në moshë të re paguajnë tarifa të larta për sigurimin e makinës, dhe këto tarifa rriten pas çdo aksidenti. Meqenëse me të ndodhet Gregori, një kushëri i saj më i madh në moshë, një mik sugjeron që ata të raportojnë se ishte Gregori ai që po i jepte makinës. Në këtë mënyrë, Liza mund të shmangë tarifa më të larta për sigurimet. Kjo duket një zgjidhje e zgjuar. Çfarë duhet të bëjë ajo?

Kompanitë e sigurimeve i përdorin shumat e paguara nga klientët e tyre, për të shlyer detyrimet e parashikuara në rast aksidenti. Kështu që po të ndjekë sugjerimin e mikut të saj, në thelb Liza do ishte duke i detyruar të siguruarit e tjerë të paguanin tarifa më të larta sigurimesh për shkak të aksidentit të saj. Në këtë mënyrë, ajo jo vetëm do të bënte një raport të rremë, por edhe do të vidhte të tjerët. E njëjta gjë do të ishte e vërtetë në lidhje me deklaratat e rreme që dikush mund të bëjë për të marrë një dëmshpërblim më të madh në rast aksidenti.

Ndëshkimet ligjore mund të jenë një masë e fortë frenuese për veprime të tilla të pandershme. Por një arsye më e rëndësishme që të mos jemi të pandershëm, gjendet në Fjalën e Perëndisë. «Mos vidh»,—thuhet te një nga Dhjetë Urdhërimet. (Dalja 20:15) Apostulli Pavël e përsëriti këtë urdhërim për të krishterët duke thënë: «Vjedhësi të mos vjedhë më.» (Efesianëve 4: 28) Po t’i bindesh Fjalës së Perëndisë në çështje të kësaj natyre që lidhen me sigurimet, nuk do të bësh ndonjë gjë që Perëndia e dënon. Gjithashtu, do të tregosh dashurinë dhe respektin tënd për ligjin e Perëndisë dhe për të tjerët.—Psalmi 119:97.

«Cezarit gjërat e Cezarit»

Piteri është biznesmen. Llogaritari i tij i sugjeron që të bëjë kërkesë për ulje taksash për «blerjen» e pajisjeve të shtrenjta kompjuterike. Kjo blerje është normale për një biznes si ai i Piterit. Edhe pse Piteri kurrë nuk e ka bërë blerjen, nuk ka të ngjarë që qeveria ta hetojë këtë shpenzim. Kjo ulje do t’i kursente Piterit shumë para nga pagimi i taksave. Çfarë duhet të bëjë ai? Ku duhet të mbështetet për të marrë një vendim?

Apostulli Pavël u tha të krishterëve në kohën e tij: «Çdo shpirt të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta. . . . Jepuni të gjithëve atë që u takon: taksën atij që kërkon taksën, haraçin atij që kërkon haraçin.» (Romakëve 13:1, 7) Ata që duan të kenë miratimin e Perëndisë, i paguajnë të gjitha taksat që autoritetet u kërkojnë. Nga ana tjetër, nëse ligji i vendit lejon taksa më të ulëta për disa individë ose biznese, s’ka asgjë të keqe të kërkosh një gjë të tillë nëse sipas ligjit kualifikohesh.

Ja një situatë tjetër që përfshin pagimin e taksave. Davidi është i punësuar si zdrukthëtar në një kompani në zonën ku jeton. Por shokët dhe komshinjtë e tij i kërkojnë t’u bëjë rafte e mobilie për shtëpitë, dhe ai i bën ato jashtë orarit të punës. Ata i ofrojnë pagesë më të lartë se sa fiton në punën e tij dhe i thonë se nuk do t’i kërkojnë faturë për porositë. Kështu askush nuk e regjistron punën e bërë. Davidi shmang taksën mbi të ardhurat, kurse klientët nuk paguajnë taksën për shërbimin e bërë. Shumë njerëz do ta pranonin menjëherë këtë ofertë. Meqë Davidi interesohet të kënaqë Perëndinë, si duhet ta konsiderojë ai punën e pafaturuar?

Edhe pse mund të mos e zbulojnë dikë që punon në këtë mënyrë, ai nuk po paguan taksat që qeveria ka të drejtë të mbledhë. Jezui urdhëroi: «Paguajini pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (Mateu 22:17-21) Jezui e tha këtë për të ndrequr mënyrën e të menduarit të dëgjuesve të tij në lidhje me pagimin e taksave. Autoritetet qeveritare, të cilat Jezui i quajti Cezar, e konsiderojnë pagimin e taksave si e drejtë që u takon. Prandaj, ata që ndjekin Krishtin, e konsiderojnë pagimin e të gjitha taksave si detyrim biblik.

Të kopjosh në provime

Marta, një nxënëse e shkollës së mesme, po përgatitet për provimet përfundimtare. Meqenëse shpresat për të gjetur një punë të mirë varen nga rezultatet e larta, ajo ka kaluar orë të tëra duke studiuar. Edhe disa nga shokët e saj të klasës janë përgatitur, por në një mënyrë tjetër. Ata do të përdorin pajisje elektronike për të kopjuar që të marrin nota sa më të mira. A duhet të bëjë Marta si «të gjithë» për t’u siguruar që të marrë nota të mira?

Ngaqë është kaq e zakonshme, shumë veta mendojnë se s’ka asgjë të keqe të kopjosh. «E rëndësishme është të mos të zbulojnë»,—arsyetojnë ata. Mirëpo, ky arsyetim është i papranueshëm për të krishterët e vërtetë. Edhe pse mësuesi mund të mos i shohë ata që kopjojnë, është dikush që i sheh. Perëndia Jehova e di se çfarë bëjmë dhe do të na kërkojë llogari për veprimet tona. Pavli shkroi: «Nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara tij, por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.» (Hebrenjve 4:13) Duke ditur se Perëndia po na shikon ngaqë dëshiron të bëjmë atë që është e drejtë, a nuk është ky një motiv i fortë për të qenë të ndershëm në provime?

Çfarë do të bësh?

Liza, Gregori, Piteri, Davidi dhe Marta i morën seriozisht situatat në të cilat u gjendën. Ata vendosën të vepronin me ndershmëri dhe kështu mbajtën një ndërgjegje të pastër dhe integritet moral. Çfarë do të bësh kur të gjendesh në situata të ngjashme?

Kolegët e tu, shokët e klasës dhe komshinjtë mund të mos e kenë problem të gënjejnë, të mashtrojnë ose të vjedhin. Në fakt, ata mund të të tallin, si presion që të ndjekësh shembullin e tyre. Çfarë mund të të ndihmojë të marrësh vendimin e duhur, pavarësisht nga presioni për të vepruar në mënyrë të pandershme?

Mbaj parasysh se kur veprojmë në harmoni me vullnetin e Perëndisë, do të kemi një ndërgjegje të pastër si dhe miratimin e pëlqimin e tij. Mbreti David shkroi: «O Jehova, kush do të jetë mysafir në tendën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë? Ai që ecën në mënyrë të patëmetë dhe praktikon drejtësinë, që thotë të vërtetën që ka në zemër. . . . Ai që i bën këto, nuk do të lëkundet kurrë.» (Psalmi 15:1-5) Një ndërgjegje e pastër dhe një miqësi me Perëndinë, vlejnë më tepër se çdo përfitim material që mund të marrim duke qenë të pandershëm.

[Shënimi]

^ par. 10 Disa emra janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 12]

«Vjedhësi të mos vjedhë më»

Respekti për ligjin e Perëndisë dhe dashuria për të afërmin na shtyn të jemi të ndershëm në çështjet që lidhen me sigurimet

[Diçitura në faqen 12]

«Jepuni të gjithëve atë që u takon: taksën atij që kërkon taksën»

Për të fituar miratimin e Perëndisë, ne i paguajmë të gjitha taksat që kërkon ligji

[Diçitura në faqen 13]

«Të gjitha gjërat janë . . . fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari».

Edhe pse mësuesit mund të mos na zbulojnë që po kopjojmë, duam të jemi të ndershëm përpara Perëndisë

[Kutia dhe figurat në faqen 14]

Vjedhje «e padukshme»

Shoku yt ka blerë versionin më të fundit të një programi kompjuterik që do të doje ta kishe edhe ti. Ai të ofron të kursesh para duke të bërë një kopje të programit. A është kjo një gjë e pandershme?

Kur përdoruesit blejnë programe kompjuterike, bien dakord t’u përmbahen kufizimeve të shpjeguara qartë në marrëveshjen për licensën e atij programi. Në bazë të licensës, blerësi mund ta instalojë dhe ta përdorë programin vetëm në një kompjuter. Prandaj, kopjimi i programit për dikë tjetër, thyen marrëveshjen për licensën dhe është i paligjshëm. (Romakëve 13:4) Kopjimi është gjithashtu vjedhje, pasi kjo i mohon autorit fitimet që i takojnë.—Efesianëve 4:28.

Disa mund të arsyetojnë: «Askush s’ka për ta marrë vesh ndonjëherë.» Kjo mund të jetë e vërtetë, por duhet të mbajmë në mendje fjalët e Jezuit: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Të gjithë ne e vlerësojmë kur na paguajnë siç duhet për punën që bëjmë dhe gjithashtu duam që të tjerët ta trajtojnë me respekt pronën tonë. Prandaj, edhe ne duhet të tregojmë të njëjtën konsideratë për të tjerët. Ne e shmangim vjedhjen e «padukshme», siç është përvetësimi i pronës intelektuale * që nuk na përket.—Dalja 22:7-9.

[Shënimi]

^ par. 40 Prona intelektuale përfshin materiale që kanë të drejtën e autorit, si: muzika, librat ose programet kompjuterike, qoftë në formë të shtypur, qoftë në atë elektronike. Në këtë kategori futen edhe markat tregtare, patentat, sekretet tregtare dhe të drejtat e reklamimit.