A e kemi humbur idenë e mëkatit?
A e kemi humbur idenë e mëkatit?
JO DHE aq shumë kohë më parë, njerëzit që shkonin në kishë e dëgjonin predikuesin e tyre që gjëmonte nga katedra kundër atyre që quhen «shtatë mëkatet vdekjeprurëse», pra, epshi, grykësia, lakmia, përtacia, zemërimi, smira dhe krenaria. Shpesh predikuesi përshkruante pasojat e tmerrshme të mëkatit dhe u bënte thirrje dëgjuesve të pendoheshin. «Por tani,—thotë një shkrimtar,—shumica e mesazheve fetare e lënë pas dore realitetin e sikletshëm të mëkatit dhe përqendrohen në tema që i bëjnë njerëzit të ndihen mirë.»
Edhe disa gazetarë kanë vërejtur të njëjtën prirje. Më poshtë jepen disa komente nga shtypi:
▪ «Kategorive të vjetra të mëkatit, pendimit dhe shëlbimit u ka ikur koha dhe gjuha qetësuese e vetëvlerësimit dhe e dashurisë për veten janë të modës.»—Star Beacon, Ashtabjulla, Ohajo.
▪ «Ngacmimi që sjell vetëdija për mëkatin pothuajse është zhdukur.»—Newsweek.
▪ «Ne nuk pyesim më ‘çfarë kërkon Perëndia nga unë’, por ‘çfarë mund të bëjë Perëndia për mua’.»—Chicago Sun-Times.
Në shoqërinë e sotme pluraliste dhe tolerante, njerëzit ngurrojnë të japin gjykime morale. Thuhet se nuk është e mirësjellshme të gjykosh normat morale të të tjerëve. Mëkati më i madh duket se është të gjykosh veprimet e një tjetri. Kështu, ekziston ky mendim: «Ajo që beson ti mund të jetë e shkëlqyer për ty, por faktikisht nuk duhet të përpiqesh t’ia imponosh mendimin tënd dikujt tjetër. Në ditët e sotme, njerëzit e organizojnë jetën sipas normave të ndryshme. Askush nuk e ka monopolin për të thënë se çfarë është e drejtë. Normat e të tjerëve janë po aq të vlefshme sa edhe të tuat.»
Ky lloj arsyetimi ka sjellë një ndryshim në qëndrimin e njerëzve. Fjala «mëkat» rrallë përdoret tani në kontekste serioze. Për shumicën është bërë një temë shakash. Bashkëjetesa, kurorëshkelja dhe homoseksualizmi, nuk shihen më si mëkate të rënda.
S’ka dyshim se ka ndryshuar ajo që njerëzit janë të prirur për ta pranuar si «normale» ose për ta dënuar si «mëkat». Por, pse kanë ndryshuar qëndrimet e njerëzve? A ekziston ende mëkati? A ka vërtet rëndësi pikëpamja juaj?