Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ndikojnë yjet në jetën tënde?

A ndikojnë yjet në jetën tënde?

A ndikojnë yjet në jetën tënde?

NË NJË natë të kthjellët dhe larg dritave të qytetit, qielli duket si pëlhurë e zezë me mijëra diamantë të veckël që vezullojnë në hapësirën e paanë. Vetëm 350 vitet e fundit njeriu ka filluar të kuptojë sa të mëdha dhe sa larg nesh janë yjet. Jemi në fillimet e kuptueshmërisë për forcat kolosale që veprojnë në gjithë universin tonë të mahnitshëm.

Që në lashtësi, njerëzit kanë vëzhguar lëvizjet e sakta të trupave qiellorë natën dhe ndryshimet stinore që vijnë nga pozicioni i tyre në qiell. (Zanafilla 1:14) Shumë kanë shprehur ndjenja si mbreti David i Izraelit, i cili rreth 3.000 vjet më parë shkroi: «Kur shoh qiejt, veprën e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje?!»—Psalmi 8:3, 4.

Megjithatë, e kuptojmë ose jo, trupat qiellorë dhe lëvizja e tyre ndikojnë në jetën tonë në mënyra më të drejtpërdrejta. Dielli, ylli i shtëpisë sonë, përreth të cilit rrotullohet toka, përcakton ndarjet bazë të kohës, domethënë gjatësinë e ditëve dhe të vitit. Hëna shërben «për të përcaktuar kohën» ose «për të shënuar stinët». (Psalmi 104:19; Simon Filipaj) Yjet janë udhërrëfyes të besueshëm jo vetëm për anijet e avionët, por edhe për astronautët që drejtojnë anijet kozmike. Nga kjo shumë njerëz mendojnë nëse yjet mund të bëjnë më shumë sesa të na ndihmojnë të përcaktojmë kohën e stinët dhe të na rritin vlerësimin për veprat e krijimit të Perëndisë. A mund ta parashikojnë të ardhmen tonë ose të na paralajmërojnë për fatkeqësitë?

Origjina dhe qëllimi i astrologjisë

Praktika e vëzhgimit drejt qiellit për të kërkuar ogure që të drejtonin jetën e njerëzve, e ka origjinën në Mesopotaminë e lashtë dhe daton që nga mijëvjeçari i tretë p.e.s. Astrologët e hershëm ishin vëzhgues të kujdesshëm të qiellit. Astronomia lindi nga përpjekjet e tyre për të pasqyruar lëvizjet e trupave qiellorë, për të regjistruar pozicionin e yjeve, për të bërë kalendarë dhe për të parashikuar eklipset. Por astrologjia nuk studion vetëm ndikimin natyror që ka dielli dhe hëna te toka. Ajo pohon se pozicioni dhe radhitja e diellit, hënës, planetëve, yjeve dhe yjësive, jo vetëm ndikon te ngjarjet kryesore që ndodhin në tokë, por edhe kontrollon jetën e secilit prej nesh. Në cilat mënyra?

Disa praktikues të astrologjisë mbështeten te trupat qiellorë që të mbledhin të dhëna ose paralajmërime për të ardhmen dhe ata që i njohin këto shenja, përfitojnë prej tyre në mënyra të ndryshme. Të tjerë mendojnë se astrologjia na tregon fatin ose na ndihmon të kuptojmë kohën e duhur për t’u përfshirë në një aktivitet a për të ndërmarrë diçka. Thuhet se ky informacion merret duke vëzhguar radhitjen e trupave qiellorë kryesorë dhe «duke llogaritur» ndërveprimin që kanë me njëri-tjetrin dhe me tokën. Mendohet se ndikimi që kanë këta trupa te një individ varet nga radhitja e tyre në kohën e lindjes së tij.

Astrologët e hershëm e përfytyronin tokën si qendrën e universit dhe planetët e yjet të kufizuar në një seri sferash qiellore të radhitura sipas madhësisë, të cilat rrotulloheshin përreth tokës. Gjithashtu mendonin se një herë në vit dielli lëvizte midis yjeve dhe yjësive sipas një udhe të caktuar. Këtë udhë e quajtën ekliptikë dhe e ndanë në 12 zona ose segmente. Çdo segment mori emrin e yjësisë ku ndodhej e ku kalonte dielli. Kështu u krijuan 12 shenjat e zodiakut. Këto zona ose «shtëpi në qiell» konsideroheshin si vendbanimet e disa hyjnive. Sigurisht, me kalimin e kohës, shkencëtarët kuptuan se dielli nuk rrotullohet rreth tokës, por se toka rrotullohet rreth diellit. Ky zbulim i dha një goditje përfundimtare shkencës së astrologjisë.

Nga Mesopotamia, vendi i origjinës, praktikimi i astrologjisë u përhap thuajse në mbarë botën dhe zuri rrënjë në forma të ndryshme në të gjitha qytetërimet e mëdha. Pas pushtimit të Babilonisë nga persët, astrologjia u përhap në Egjipt, Greqi dhe Indi. Nga India, misionarët budistë e çuan në Azinë Qendrore, Kinë, Tibet, Japoni dhe në Azinë Juglindore. Ndonëse nuk dihet konkretisht si arriti te fiset maja, ky qytetërim i përdori gjerësisht vëzhgimet astrologjike, njësoj si babilonasit. Forma bashkëkohore e astrologjisë me sa duket u zhvillua në Egjiptin e helenizuar dhe ka ndikuar mjaft në pikëpamjet e përkrahësve të judaizmit, islamizmit dhe krishterizmit.

Edhe para se të mërgonin në Babiloni në shekullin e shtatë p.e.s., kombi i Izraelit nuk ishte i mbrojtur nga ndikimi i astrologjisë. Bibla na tregon për përpjekjet e mbretit besnik Josia që të hiqte nga populli praktikimin e flijimeve për ‘diellin, hënën, yjësitë e zodiakut dhe gjithë ushtrinë e qiejve’.—2 Mbretërve 23:5.

Burimi i astrologjisë

Astrologjia bazohet në gabime të rënda për strukturën dhe mënyrën si funksionon universi. Prandaj është e qartë se nuk vjen nga Perëndia. Meqë argumentet e saj bazohen në gënjeshtra, astrologjia nuk është burim i saktë informacioni për të ardhmen. Dështimi i saj ilustrohet qartë nga dy ngjarje historike interesante.

Gjatë mbretërimit të mbretit babilonas, Nabukodonosorit, priftërinjtë dhe astrologët nuk ishin në gjendje t’i interpretonin një ëndërr. Danieli, profet i Perëndisë së vërtetë Jehova, shpjegoi përse: «Të fshehtën që po kërkon mbreti, nuk mund t’ia tregojnë burrat e mençur, ndjellësit e frymërave, priftërinjtë që merren me magji dhe astrologët. Megjithatë, ka një Perëndi në qiej që është Zbulues i të fshehtave dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nabukodonosor se çfarë do të ndodhë në ditët e fundit.» (Danieli 2:27, 28) Po, Danieli u mbështet te Perëndia Jehova, ‘Zbuluesi i të fshehtave’—jo te dielli, hëna dhe yjet. Prandaj ia shpjegoi saktë ëndrrën mbretit.—Danieli 2:36-45.

Llogaritjet astrologjike jashtëzakonisht të sakta të fiseve maja nuk e shpëtuan qytetërimin e tyre nga shkatërrimi në shekullin e nëntë të erës sonë. Këto dështime jo vetëm që tregojnë se astrologjia është mashtrim, e paaftë të parashikojë saktë, por edhe ia nxjerrin në shesh qëllimin e vërtetë: ta mbajë njerëzimin larg Perëndisë që të mos mbështeten tek ai për informacion të saktë rreth së ardhmes.

Astrologjia bazohet në gënjeshtra, dhe kjo na ndihmon të identifikojmë kush qëndron pas saj. Jezui tha për Djallin: «Nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të. Kur thotë gënjeshtra, i thotë se ashtu e ka natyrën, sepse ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.» (Gjoni 8:44) Satanai pretendon se është «engjëll drite» dhe demonët hiqen si «shërbëtorë drejtësie». Në të vërtetë ata i mashtrojnë qëllimisht njerëzit që t’i futin në kurth. (2 Korintasve 11:14, 15) Fjala e Perëndisë i demaskon ‘veprat e fuqishme, shenjat dhe çudirat e gënjeshtërta’ si ‘veprime të Satanait’.—2 Selanikasve 2:9.

Pse nuk duhet të përfshihesh?

Astrologjia bazohet në gënjeshtra dhe për këtë arsye është e neveritshme për Perëndinë e së vërtetës, Jehovain. (Psalmi 31:5) Prandaj Bibla e dënon qartë dhe na nxit të mos kemi të bëjmë fare me të. Te Ligji i përtërirë 18:10-12, Perëndia thotë qartë: «Mes teje të mos gjendet asnjë . . . që [kërkon] ogure, ndonjë shtrigë . . . që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.»

Meqë Satanai dhe demonët janë fuqia që fshihet pas astrologjisë, nëse merremi sadopak me të, jemi të ekspozuar ndaj ndikimit të tyre. Kur dikush eksperimenton me drogën mund të vihet nën kontrollin e trafikantëve të saj. E njëjta gjë ndodh kur eksperimenton me astrologjinë: ai e vë veten nën kontrollin e mashtruesit të madh, Satanait. Prandaj, ata që e duan Perëndinë dhe të vërtetën duhet ta hedhin poshtë krejtësisht astrologjinë dhe të ndjekin këshillën e Biblës: «Urreni të keqen, doni të mirën.»—Amosi 5:15.

Astrologjia lulëzon falë dëshirës së njerëzve për të ditur të ardhmen. A është e mundur të dimë të ardhmen? Nëse po, si? Bibla na tregon se nuk mund të dimë se ç’do të na ndodhë personalisht nesër, muajin tjetër ose vitin tjetër. (Jakovi 4:14) Megjithatë na jep një pamje të përgjithshme të asaj që do t’i ndodhë njerëzimit në të ardhmen e afërt. Na thotë se së shpejti do të vijë Mbretëria e Perëndisë, të cilën e përmendim në lutjen «Ati ynë». (Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10) Ajo pohon edhe se vuajtjet do të marrin fund njëherë e mirë së shpejti. (Isaia 65:17; Zbulesa 21:4) Në vend që t’u parathotë të ardhmen njerëzve, Perëndia i fton të gjithë të mësojnë për të dhe për ç’ka do të bëjë në dobi të tyre. Si e dimë këtë? Bibla e bën të qartë se vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës».—1 Timoteut 2:4.

Qiejt e mrekullueshëm dhe çdo gjë në ta, nuk janë vënë atje që të na kontrollojnë jetën. Përkundrazi, na e drejtojnë vëmendjen te fuqia dhe Hyjnia e Jehovait. (Romakëve 1:20) Mund të na nxitin të hedhim tej gënjeshtrat dhe të mbështetemi te Perëndia dhe Fjala e tij, Bibla, për udhëheqje të besueshme dhe për një jetë të suksesshme. «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»—Proverbat 3:5, 6.

[Diçitura në faqen 19]

Fiset maja i përdorën gjerësisht vëzhgimet astrologjike

[Diçitura në faqen 20]

Llogaritjet e sakta të majave nuk e shpëtuan dot qytetërimin e tyre nga shkatërrimi

[Diçitura në faqen 20]

«Ka një Perëndi në qiej që është Zbulues i të fshehtave dhe ai ka bërë të njohur . . . se çfarë do të ndodhë në ditët e fundit»

[Figura në faqen 19]

Observatori El Karakol, Çiçen-Itsa, Jukatan, Meksikë, vitet 750-900 të e.s.

[Burimet e figurës në faqen 19]

Faqja 18 dhe 19, nga e majta në të djathtë: yjet: NASA, ESA dhe A. Nota (STScI); kalendari i majave: © Lynx/Iconotec com/age fotostock; astronomi maja: © Albert J. Copley/age fotostock; observatori i majave: El Karakol (Guaska e Madhe), Mayan/Chichen Itza, Yucatan, Mexico/Giraudon/The Bridgeman Art Library