Mëkati—Si ka ndryshuar koncepti për të?
Mëkati—Si ka ndryshuar koncepti për të?
«NJERËZVE sot nuk u pëlqen ideja se janë fajtorë për një mëkat që kryen prindërit tanë të parë. Por atyre nuk u pëlqen as edhe vetë ideja e mëkatit. . . . Njerëz si Adolf Hitleri dhe Josif Stalini mund të kenë mëkatuar, megjithatë ne të tjerët jemi të pafajshëm.»—The Wall Street Journal.
Siç tregojnë citimet e mësipërme, sot koncepti i mëkatit duket se është në krizë të thellë. Po pse? Çfarë ka ndryshuar? Çfarë është mëkati që njerëzve u duket kaq i pakëndshëm?
Ka dy aspekte që lidhen me konceptin e mëkatit: mëkati i trashëguar dhe mëkatet personale. Mëkati i trashëguar është diçka që duam s’duam e kemi të gjithë, kurse mëkatet personale janë ato që i bëjmë me vetëdije. Le të shqyrtojmë më nga afër secilin aspekt.
A jemi ndotur nga mëkati i parë?
Bibla thotë se mëkati i parë, domethënë dështimi moral i prindërve tanë të parë, iu kalua të gjithë njerëzimit. Si pasojë, të gjithë ne kemi lindur me njollën e papërsosmërisë. Bibla thotë: «Çdo padrejtësi është mëkat.»—1 Gjonit 5:17.
Sidoqoftë, për shumë njerëz që shkojnë në kisha, ideja se të gjithë njerëzit kanë lindur të papërsosur për shkak të ndonjë keqbërjeje të lashtë tek e cila nuk patën gisht dhe për të cilën nuk mbajnë përgjegjësi, është e pakuptueshme dhe e papranueshme. Sipas profesorit të teologjisë Eduard Oks, kur përmendet kjo doktrinë «ose bie një heshtje e sikletshme, ose njerëzit e mohojnë haptazi, ose bëjnë sikur e pranojnë, edhe pse nuk e kanë idenë se si lidhet me jetën e një besimtari».
Një faktor që ua bën të vështirë njerëzve të pranojnë konceptin e mëkatit të parë është ajo që kanë mësuar kishat për të. Për shembull, në Këshillin e Trentos (1545-1563), kisha dënonte këdo që thoshte se foshnjat nuk duhej të pagëzoheshin që t’u faleshin mëkatet. Nëse një foshnjë vdiste pa u pagëzuar, thoshin teologët, mëkatet e saj të pafalura do ta pengonin përgjithmonë që të shkonte në qiell te Perëndia. Kalvini shkoi deri aty sa mësonte se foshnjat ‘e marrin ndëshkimin që në bark të nënës’. Sipas tij, gjendja e tyre është ‘e urryer dhe e neveritshme për Perëndinë’.
Shumica e njerëzve instinktivisht mendojnë se foshnjat e sapolindura janë krijesa të pafajshme dhe do të ishte kundër natyrës njerëzore të mendosh se ato duhet të vuajnë për shkak të mëkatit të trashëguar. Është e lehtë të kuptosh pse mësime të tilla kanë bërë që njerëzit t’i qëndrojnë larg doktrinës së mëkatit të parë. Për këtë arsye, disa udhëheqësve fetarë u dukej i papranueshëm dënimi në ferr i një foshnjeje *
të papagëzuar. Për ta mbetej dilemë teologjike fati përfundimtar i një foshnjeje të tillë. Ndonëse nuk u bë kurrë një dogmë e kishës, për shekuj të tërë mësimi katolik tradicional ishte se shpirtrat e foshnjave të papagëzuara qëndronin në limbo, zona neutrale.Një faktor tjetër që e dobësoi më tej besimin te mëkati i parë, ishte se filozofët, shkencëtarët dhe teologët në shekullin e 19-të, filluan të vinin në dyshim nëse tregimet e Biblës duheshin pranuar si të vërteta nga ana historike. Teoria e evolucionit e Darvinit ka bërë që shumë njerëz të mendojnë se historia e Adamit dhe Evës është një mit. Si pasojë e gjithë kësaj, shumë njerëz tani e konsiderojnë Biblën veçse një pasqyrim të mentalitetit dhe të traditave të shkrimtarëve, e jo një zbulesë nga Perëndia.
Çfarë mbetet si pasojë nga doktrina e mëkatit të parë? Natyrisht, nëse ata që shkojnë në kisha besojnë se Adami dhe Eva nuk kanë qenë njerëz realë, përfundimi logjik është se mëkati i parë nuk është kryer kurrë. Edhe për ata që janë të gatshëm të pranojnë se njerëzimi në thelb është i papërsosur, koncepti i mëkatit të parë është kthyer në jo më shumë se një shpjegim të natyrës së papërsosur njerëzore.
Kështu, ideja e mëkatit të parë është hedhur poshtë. Por, nëse nuk ekziston mëkati i parë, ç’të themi për idenë e mëkateve personale?
A është vërtet mëkat?
Kur i pyesin për mëkatet personale, shumë mendojnë për Dhjetë Urdhërimet që ndalonin vrasjen, tradhtinë bashkëshortore, epshin, seksin para martesës, vjedhjen etj. Mësimi tradicional i kishave ishte se kushdo që vdiste pa u penduar për këto mëkate, do të pësonte mundimet e përjetshme të ferrit të zjarrtë. *
Kisha katolike mëson që, nëse dikush dëshiron të mos ketë këtë fund, duhet t’ia rrëfejë mëkatet një prifti, i cili sipas tyre ka autoritetin t’i falë. Mirëpo për shumicën e katolikëve riti i rrëfimit, faljes së mëkateve dhe pendesës është bërë një gjë e së kaluarës. Për shembull, një sondazh i kohëve të fundit tregon se më tepër se 60 për qind e katolikëve italianë nuk shkojnë më të rrëfehen.
Është e qartë se koncepti tradicional për mëkatet personale dhe për pasojat e tyre—siç shpjegohet nga kishat—nuk ka arritur t’i ndihmojë njerëzit të mposhtin praktikën e mëkatit. Shumë njerëz fetarë nuk besojnë më se të
gjitha këto gjëra janë të gabuara. Për shembull, disa arsyetojnë që, nëse dy të rritur kanë marrëdhënie seksuale me pëlqimin e njëri-tjetrit dhe askush tjetër nuk dëmtohet, ç’të keqe ka?Një shpjegim i mundshëm për këtë lloj arsyetimi është se thellë-thellë njerëzit nuk janë të bindur për atë që u është mësuar rreth mëkatit. Në të vërtetë, shumë e kanë të vështirë të besojnë që një Perëndi i dashur do t’i mundonte mëkatarët përgjithmonë në ferrin e zjarrtë. E ndoshta ky mosbesim shpjegon, të paktën pjesërisht, pse «mëkati» duket se nuk merret po aq seriozisht sa dikur. Por, edhe faktorë të tjerë kanë bërë që njerëzit të mos jenë më të ndjeshëm ndaj mëkatit.
Mohimi i vlerave tradicionale
Ngjarjet e shekujve të fundit kanë sjellë ndryshime të jashtëzakonshme në shoqëri dhe në mentalitetin e njerëzve. Dy luftërat botërore, luftërat më të vogla të panumërta dhe gjenocidet, kanë bërë që disa të vënë në pikëpyetje rëndësinë e vlerave tradicionale. «A ka kuptim që në një epokë të përparuar nga ana teknologjike të jetosh sipas normave të vendosura shekuj më parë e krejtësisht të shkëputura nga realiteti i sotëm?»—pyesin ata. Shumë racionalistë dhe moralistë kanë nxjerrë përfundimin se një gjë e tillë është pa kuptim. Ata besojnë se shoqëria duhet të shkundë nga vetja disa vargonj moralë e besëtytni dhe njerëzimi të zhvillojë potencialin e tij të jashtëzakonshëm nëpërmjet arsimimit.
Kjo mënyrë të menduari i ka larguar shumë njerëzit nga Perëndia. Në shumë vende evropiane pak njerëz shkojnë në kishë. Gjithnjë e më tepër njerëz nuk besojnë te ndonjë gjë në veçanti dhe shumë janë haptazi kundër kredove të kishave, të cilat ata i konsiderojnë absurde. Nëse njerëzit janë thjesht produkt i mjedisit dhe i përzgjedhjes natyrore, arsyetojnë ata, atëherë pse duhet të flasim për mëkat kur thyhen normat morale?
Një frymë e përgjithshme liberale ndaj normave morale në botën perëndimore në shekullin e 20-të, ka çuar ndër të tjera në të ashtuquajturin revolucion seksual. Protestat e studentëve, lëvizjet kundër kulturës tradicionale dhe përdorimi i gjerë i kontraceptivëve kanë luajtur të gjithë rolin e tyre në mohimin e ideve tradicionale për sjelljen e moralshme.
Shumë shpejt normat biblike u hodhën poshtë. Një brez i ri përqafoi një moral të ri dhe një qëndrim të ri ndaj mëkatit. Që nga ajo kohë, thotë një shkrimtar, «i vetmi ligj ishte ligji i dashurisë», i cili në thelb u bë i dukshëm kur u pranuan gjerësisht marrëdhëniet seksuale imorale.Kultura fetare e të ndjerit mirë
Duke komentuar për situatën në Shtetet e Bashkuara, revista Newsweek thoshte troç: «Shumë klerikë që po konkurrojnë për klientelë besimtarësh, mendojnë se nuk mund t’ia lejojnë vetes të bëhen armiqësorë.» Ata kanë frikë se po t’u bëjnë kërkesa të larta morale besimtarëve, do t’i humbin. Njerëzit nuk duan të dëgjojnë se duhet të kultivojnë përulësinë, vetëdisiplinën dhe virtytin, apo se duhet të dëgjojnë ndërgjegjen që i ngacmon e të pendohen për mëkatet. Prandaj, shumë kisha po përqafojnë atë që gazeta Chicago Sun-Times e quajti «mesazh që konsiderohet i krishterë, por në të vërtetë përqendrohet tek uni».
Kjo sjell si pasojë lindjen e një lloj mendimi fetar që e përkufizon Perëndinë sipas termave të këtij mendimi. Pra, pasoja është formimi i kishave që nuk përqendrohen te Perëndia apo te kërkesat e tij, por te njeriu dhe se çfarë do t’ia rritë atij vlerësimin për veten. Synimi i tyre i vetëm është të plotësojnë nevojat e besimtarëve. Si pasojë ata kanë një fe pa ndonjë doktrinë. «Çfarë e zëvendëson boshllëkun që zinte më parë kodi moral i krishterë?—ngre pyetjen gazeta The Wall Street Journal.—I vetmi parim ‘moral’ është të jesh shumë i dhembshur me të tjerët.»
Logjikisht, rezultati i gjithë kësaj është qëndrimi se çdo fe që të bën të ndihesh mirë është e shkëlqyer. Kushdo që përvetëson një pikëpamje të tillë, vëren The Wall Street Journal, «mund të përqafojë çdo fe, për sa kohë ajo nuk bën kërkesa morale të mirëfillta, pra ajo duhet të ngushëllojë, por të mos gjykojë». Nga ana e tyre, kishat janë të gatshme t’i pranojnë njerëzit «pikërisht siç janë», pa u bërë ndonjë kërkesë morale.
Ajo që kemi thënë më sipër na sjell ndër mend një profeci që shkroi apostulli Pavël në shekullin e parë të e.s. Ai tha: ‘Do të vijë një periudhë kohe kur ata njerëz nuk do ta durojnë dot mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta.’—2 Timoteut 4:3, 4.
Udhëheqësit fetarë u bëjnë një dëm të madh besimtarëve duke justifikuar mëkatin, duke mohuar ekzistencën e tij dhe ‘duke ua gudulisur’ veshët me fjalë që ata dëshirojnë t’i dëgjojnë e jo me atë çfarë thotë Bibla. Një mesazh i tillë është i rremë dhe i rrezikshëm. Ai keqparaqet një prej mësimeve themelore të krishterimit. Mëkati dhe falja e mëkateve zënë një vend kryesor në lajmin e mirë që Jezui dhe apostujt u mësuan njerëzve. Për të kuptuar pse themi kështu, ju ftojmë të lexoni artikullin vijues.
[Shënimet]
^ par. 9 Ndoshta ngaqë i linte në mëdyshje shumë njerëz, doktrina jobiblike e limbos është hequr nga katekizmat më të fundit katolikë. Shih kutinë «Një kthesë teologjike 180 gradë», në faqen 10.
^ par. 14 Besimi i mundimit të përjetshëm në një ferr të zjarrtë nuk bazohet në Bibël. Për hollësi shih kapitullin 6 me titull «Ku janë të vdekurit?», në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 7]
Kultura fetare e të ndjerit mirë sjell fryte të këqija
[Kutia në faqen 6]
Mëkati? «Nuk e vrasim më mendjen për të»
▪ «Një nga pengesat më të mëdha të kishave sot është pikërisht kjo çështje. Nuk e shohim më veten si ‘mëkatarë’ që kanë nevojë për falje. Ndoshta dikur mëkati na shqetësonte, por tani nuk e vrasim më mendjen për të. Kështu, ndërsa kishat kanë një zgjidhje për problemin e mëkatit, kjo s’ka më rëndësi për shumicën e amerikanëve.»—Xhon Studëbejkër, shkrimtar fetar.
▪ «Njerëzit thonë: ‘Unë kam standarde të larta morale për veten dhe e pres këtë edhe nga të tjerët, por e di se të gjithë jemi njerëz, prandaj dua të bëj më të mirën time.’ Ne gjejmë një zonë morali të rehatshme, një lloj niveli mesatar të shtresës së mesme të shoqërisë ku mendojmë se po veprojmë mirë. Jemi fqinj të mirë, por shpërfillim çështjet më të mëdha siç është mëkati.»—Albert Mohler, president i Seminarit Teologjik Baptist Jugor.
▪ «Tani njerëzit krenohen me gjëra që dikur ishin të turpshme [si për shembull, ato që quhen shtatë mëkatet vdekjeprurëse]: prindërit nxitin krenarinë si të domosdoshme për vetëvlerësimin; një grup kryekuzhinierësh i ka kërkuar Vatikanit të deklarojë se të jesh grykës nuk është mëkat. Smira është ajo që i magjeps njerëzit drejt mediave të njohura. Epshi është një strategji për reklamat; zemërimi konsiderohet normal kur të fyejnë. Ndonjëherë unë dua vërtet të jem përtace.»—Nensi Gibs, nga revista Time.
[Figura në faqen 5]
Shumë njerëz sot e konsiderojnë një mit tregimin e Adamit dhe të Evës
Shumë njerëz sot e konsiderojnë një mit tregimin e Adamit dhe të Evës