Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si e konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait bashkimin e feve?

Si e konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait bashkimin e feve?

Lexuesit pyesin . . .

Si e konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait bashkimin e feve?

▪ Sipas një enciklopedie, ka rreth «10.000 fe në mbarë botën». Ngaqë konfliktet midis tyre kanë çuar në dëme të tejskajshme, ideja e bashkimit të feve u sjell shpresë shumë adhuruesve. Ata besojnë se kjo gjë nxit paqen dhe unitetin në një botë të përçarë.

Ç’është e vërteta Bibla nxit unitetin. Apostulli Pavël e krahasoi kongregacionin e krishterë me trupin e njeriut, ku gjymtyrët janë ‘të lidhura së bashku në mënyrë të harmonishme dhe të bëra për të bashkëvepruar’. (Efesianëve 4:16) Po kështu, apostulli Pjetër i nxiti të bashkëkrishterët: «Jini të gjithë të një mendjeje.»—1 Pjetrit 3:8.

Në kohën e të krishterëve të hershëm, kishte një mori kulturash dhe fesh. Por, kur shkroi për përzierjen me njerëz që nuk besonin te krishterimi, Pavli pyeti: «Ç’pjesë ka një besimtar me një jobesimtar?» Pastaj i paralajmëroi të krishterët ‘të dilnin nga mesi i tyre’. (2 Korintasve 6:15, 17) Qartë, Pavli ishte kundër bashkimit të feve. Përse?

Apostulli shpjegoi se adhurimi i një të krishteri së bashku me një jo të krishterë do të ishte zgjedhë e pabarabartë, e papërshtatshme. (2 Korintasve 6:14) Kjo veç do ta dëmtonte besimin e të krishterit. Meraku i Pavlit ishte si meraku i babait që e di se disa fëmijë në lagjen e tij sillen keq. Si prind i kujdesshëm, me mençuri i vendos kufij fëmijës se me kë të luajë. Ky kufizim mund të duket i çuditshëm. Por në këto rrethana, veçimi do ta mbronte fëmijën nga ndikimet e këqija. Po kështu, Pavli e dinte se veçimi nga fetë e tjera do t’i mbronte të krishterët nga praktikat e dëmshme.

Me këtë qëndrim, Pavli po imitonte Jezuin. Megjithëse Jezui la shembullin më të madh duke nxitur paqen midis njerëzve, ai nuk u përzie me fetë e tjera. Kur ai shërbente në tokë, vepronin mjaft grupe fetare, si farisenjtë dhe saducenjtë. Jezui i udhëzoi dishepujt «të ruheshin . . . nga mësimet e farisenjve dhe të saducenjve». (Mateu 16:12) Në fakt, këto sekte u bashkuan kundër tij, madje arritën deri aty sa komplotuan për ta vrarë.

Po sot? A vlen ende paralajmërimi i Biblës për përzierjen e feve? Po. Sepse bindjet fetare që ndryshojnë nuk mund të përzihen duke i bashkuar, ashtu si vaji e uji nuk mund të përzihen thjesht duke i futur në një enë. Për shembull, kur njerëz të feve të ndryshme bashkohen që të luten për paqe, cilit perëndi i drejtohen? Perëndisë Trinitet të krishterimit? Brahmës së hinduizmit? Budës? Apo ndonjë tjetri?

Profeti Mikea paratha se «në ditët e fundit» njerëz nga të gjitha kombet do të thoshin: «Ejani, le të ngjitemi në malin e Jehovait dhe në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit. Ai do të na mësojë udhët e tij, dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.» (Mikea 4:1-4) Rezultati do të ishte paqja dhe uniteti në shkallë mbarëbotërore, jo sepse të gjitha besimet do të bashkoheshin disi, por sepse të gjithë njerëzit do të pranonin të vetmin besim të vërtetë.

[Figura në faqen 27]

Pjesëtarë të feve kryesore të botës në një konferencë të feve të ndryshme, 2008

[Burimi]

REUTERS/Andreas Manolis