Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ti do të veprosh me besnikëri»

«Ti do të veprosh me besnikëri»

Afrojuni Perëndisë

«Ti do të veprosh me besnikëri»

2 SAMUELIT 22:26

PAK janë gjërat që na lëndojnë më shumë sesa zhgënjimi ose tradhtia nga dikush që i besojmë. Këto zhgënjime janë më se të zakonshme në këtë botë të pabesë. (2 Timoteut 3:1-5) A ka ndonjë që me siguri nuk do ta tradhëtojë kurrë besimin tonë? Le të shohim çfarë mësojmë nga rasti i mbretit David në Izraelin e lashtë.

Gjatë jetës së tij, Davidi e provoi pabesinë në format më të hidhura. Pa të drejtë Sauli xheloz, mbreti i parë i Izraelit, e detyroi të arratisej dhe e përndoqi. Vetë gruaja e tij, Mikala, nuk i qëndroi besnike, por «filloi ta përbuzte në zemër të vet». (2 Samuelit 6:16) Ahithofeli, këshilltari i tij i besueshëm, u kthye në tradhtar dhe u bashkua me të tjerë në një komplot kundër Davidit. Po cili ishte në krye të komplotit? Askush tjetër veçse Absalomi, i biri. Me gjithë këto tradhti, a u dorëzua Davidi dhe a arriti në përfundimin se s’ka asnjë që mund të na qëndrojë besnik deri në fund?

Përgjigjen e marrim nga fjalët e Davidit të dokumentuara te 2 Samuelit 22:26. Me besim të patundur, në një këngë poetike, Davidi thotë për Perëndinë Jehova: «Me atë që është besnik ti do të veprosh me besnikëri.» Davidi ishte i sigurt se, sado ta zhgënjenin njerëzit, Jehovai do t’i qëndronte besnik.

Le t’i shohim më nga afër fjalët e Davidit. Shprehja hebraike e përkthyer «të veprosh me besnikëri», mund të ketë edhe kuptimin «të veprosh me dashamirësi». Besnikëria e vërtetë i ka rrënjët në dashuri. Jehovai me dashuri lidhet me ata që i qëndrojnë besnikë. *

Kini parasysh edhe se besnikëria nuk është thjesht ndjenjë; ajo të shtyn të veprosh e jo të jesh pasiv. Jehovai vepron me besnikëri, siç e mësoi Davidi nga përvoja. Gjatë periudhave më të këqija të jetës, Jehovai veproi në dobi të tij duke e mbrojtur dhe duke e udhëhequr me besnikëri mbretin besnik. Plot mirënjohje, Davidi ia dha meritën Jehovait që e çliroi «nga dora e gjithë armiqve».​—2 Samuelit 22:1.

Çfarë nënkuptojnë fjalët e Davidit për ne? Jehovai nuk lëkundet ose nuk ndryshon. (Jakovi 1:17) Ai u qëndron besnik normave të tij dhe i mban gjithmonë premtimet. Në një psalm tjetër, Davidi shkroi: «Jehovai . . . nuk do t’i braktisë besnikët e vet.»​—Psalmi 37:28.

Jehovai e vlerëson besnikërinë tonë. E çmon kur i bindemi me besnikëri dhe na nxit ta imitojmë duke u treguar besnikë edhe ndaj të tjerëve. (Efesianëve 4:24; 5:1) Nëse tregojmë besnikëri në këto mënyra, mund të jemi të sigurt se ai nuk do të na braktisë kurrë. Sado të na zhgënjejnë njerëzit, mund të kemi besim se Jehovai do të veprojë me besnikëri në dobinë tonë. Ai do të na ndihmojë të përballojmë çfarëdo sprove që mund të hasim. A nuk nxiteni t’i afroheni më shumë Jehovait, ‘Besnikut’ më të madh.​—Zbulesa 16:5.

[Shënimi]

^ par. 4 Ajo që thuhet te 2 Samuelit 22:26 ka të njëjtin kuptim me Psalmin 18:25. Një përkthim biblik e shpreh kështu këtë psalm: «Atij që të qëndron besnik, ti i tregon gjithë dashurinë tënde.»​—The Psalms for Today.