Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të ndihmosh një mik të sëmurë?

Si të ndihmosh një mik të sëmurë?

Si të ndihmosh një mik të sëmurë?

A JE gjendur ndonjëherë në një situatë kur nuk dije çfarë t’i thoshe një miku të sëmurë rëndë? Ji i sigurt se mund ta kapërcesh këtë vështirësi. Si? Nuk ka rregulla të prera. Kjo sepse njerëzit vijnë nga kultura të ndryshme dhe personalitet e tyre mund të ndryshojnë shumë. Kështu, ajo që mund ta ndihmojë një të sëmurë të ndihet më mirë, mund të mos e ndihmojë një tjetër. Gjithashtu, rrethanat dhe ndjenjat mund të ndryshojnë mjaft nga dita në ditë.

Prandaj, gjëja më e rëndësishme është ta vësh veten në vendin e tjetrit dhe të kuptosh se për çfarë ka nevojë e çfarë do vërtet nga ti. Si mund ta bësh këtë? Më poshtë renditen disa sugjerime të bazuara në parime biblike.

Ji dëgjues i mirë

PARIME BIBLIKE:

«Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur.»JAKOVI 1:19.

«Ka një kohë . . . për të heshtur dhe një kohë për të folur.»EKLISIASTIU 3:1, 7.

▪ Kur shkon për të takuar një mik të sëmurë, dëgjoje me kujdes dhe me dhembshuri. Mos u nxito t’i japësh këshilla dhe mos mendo se duhet të gjesh zgjidhje për çdo gjë. Nëse nxitohesh në të folur, mund të thuash pa dashje diçka që mund ta lëndojë. Miku yt nuk ka nevojë medoemos për këshilla, por për dikë që ta dëgjojë me mendje e zemër të hapur.

Lëre mikun të shprehet lirshëm. Mos e ndërprit e mos ia minimizo gjendjen duke përdorur disa shprehje standarde. «Kisha meningjit kërpudhor dhe me kalimin e kohës humba shikimin,—thotë Emilio. *—Ndonjëherë ndihem vërtet përtokë dhe miqtë përpiqen të më ngushëllojnë duke thënë: ‘Nuk je i vetmi që ke probleme. Ka edhe më keq.’ Gjithsesi, ata s’kuptojnë se duke minimizuar gjendjen time nuk më ndihmojnë aspak. Përkundrazi, kjo ndikon për keq, më demoralizon.»

Lëre mikun të ta zbrazë zemrën pa frikën se mos e kritikon. Nëse të thotë se ndihet i frikësuar, kuptoji ndjenjat e tij në vend që thjesht t’i thuash të mos ketë frikë. «Kur më kap frika për gjendjen time dhe shpërthej në lot, kjo nuk do të thotë se nuk besoj më te Perëndia»,—thotë Eliana, e cila po lufton me kancerin. Përpiqu ta shohësh mikun siç është në të vërtetë, jo si do të doje të ishte. Ki parasysh se tani ai mund të preket më kollaj dhe se nuk është vetvetja si normalisht. Ki durim. Dëgjoje, edhe nëse të duhet të dëgjosh të njëjtat gjëra herë pas here. (1 Mbretërve 19:9, 10, 13, 14) Ai mund të ketë nevojë të të shprehet për atë që po kalon.

Trego empati dhe konsideratë

PARIME BIBLIKE:

«Gëzoni me ata që gëzojnë dhe qani me ata që qajnë.»​—ROMAKËVE 12:15.

«Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»—MATEU 7:12.

▪ Vëre veten në vendin e mikut. Nëse po pret të operohet, po merr mjekime ose po pret rezultatet e analizave, mund të jetë në ankth dhe mjaft i ndjeshëm. Përpiqu ta dallosh këtë dhe të përshtatesh me luhatjet e tij të humorit. Mund të mos jetë koha për t’i bërë tepër pyetje, sidomos nëse janë personale.

«Lëri të sëmurët të flasin për sëmundjen kur të duan dhe sipas ritmit të tyre,—thotë Ana Katalifozi, një psikologe klinike.—Kur janë të gatshëm për të biseduar, fol me ta për çfarëdolloj teme të duan. Por, kur nuk janë shumë në humor për të folur, thjesht mund të ulesh e të rrish në heshtje, dhe shtrëngimi i dorës së një miku mund të bëjë mrekulli. Ose mund të kuptosh se gjithçka për të cilën kanë nevojë është dikush me të cilin të qajnë.»

Respekto privacitetin e mikut. Autorja Rozana Kelik, që i ka mbijetuar dy herë kancerit, shkruan: «Nga vetë i sëmuri përpiqu të kuptosh se ajo që të thotë është konfidenciale. Nëse nuk të kërkohet të jesh zëdhënësi i familjes, mos fol me të tjerët. Pyete të sëmurin se çfarë do të donte t’u thoshte të tjerëve.» Edsoni, që i ka mbijetuar kancerit, thotë: «Një mik përhapi fjalën se kisha kancer dhe se nuk e kisha të gjatë. Imagjino, sapo kisha bërë operacionin. E dija se kisha kancer, por s’i kisha marrë akoma rezultatet e biopsisë. Në fakt, nuk kisha metastaza. Por, tashmë e keqja ishte bërë. Gruaja ndihej e shkatërruar nga komentet e pamenda dhe pyetjet e të tjerëve.

Nëse miku yt po përpiqet të zgjedhë trajtimin mjekësor, mos u nxito duke i thënë se çfarë do të bëje po të ishe në vend të tij. Shkrimtarja Lori Houp, që i ka i mbijetuar kancerit, thotë: «Para se t’i çosh ndonjë artikull ose informacion një të sëmuri me kancer ose që e ka kaluar, më mirë pyete nëse do ta donte. Përndryshe, edhe pse nisesh nga qëllime të mira, mund ta lëndosh mikun pa e kuptuar fare.» Jo të gjithë duan të mbushen me informacione pa fund rreth trajtimeve të ndryshme mjekësore.

Edhe nëse je një mik i ngushtë, mos qëndro shumë gjatë kur i bën vizitë. Prania jote është shumë e rëndësishme, por miku mund të mos jetë në gjendje të rrijë me ty. Mund të jetë i lodhur dhe të mos ketë fuqi për të biseduar, madje as për të dëgjuar shumë gjatë. Nga ana tjetër, mos lër përshtypjen sikur mezi pret të ikësh. Miku yt meriton të dijë sa shumë e do.

Të tregosh konsideratë do të thotë edhe të shfaqësh ekuilibër e gjykim të mirë. Për shembull, para se t’i përgatitësh një vakt ose t’i sjellësh lule, mund të pyesësh nëse vuan nga ndonjë alergji. Nëse je i sëmurë, ndoshta i ftohur, do të ishte diçka e dashur të prisje derisa të bëheshe mirë para se të shkosh tek ai.

Ji inkurajues

PARIME BIBLIKE:

«Gjuha e të mençurve është shërim.»​PROVERBAT 12:18.

«Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë.»KOLOSIANËVE 4:6.

▪ Nëse mban një pikëpamje pozitive për mikun e sëmurë, ka të ngjarë që këtë ta tregojnë fjalët dhe veprimet e tua. Mos e shih ndryshe nga më parë, pasi ai ka të njëjtat cilësi që të tërhoqën në fillim kur e njohe. Përqendrohu tek ai e jo te sëmundja e tij. Nëse i flet si të ishte një viktimë e pashpresë, edhe ai mund të fillojë ta shohë veten ashtu. Roberta, e cila ka një sëmundje kockash të rrallë e të trashëgueshme, thotë: «Më trajto si njeri normal. Vërtet jam e gjymtuar, por edhe unë kam mendimet e dëshirat e mia. Mos më shih me keqardhje. Mos më fol sikur të isha budallaqe.»

Mos harro se nuk ka rëndësi vetëm çfarë thua, por edhe si e thua. Madje, edhe toni i zërit ndikon. Pak pasi u diagnostikua me kancer, Ernestos i telefonoi një mik nga jashtë shtetit i cili i tha: «Nuk mund ta besoj se ti je me kancer!» Ernestoja kujton: «Theksi që u dha fjalëve ‘ti’ dhe ‘kancer’ më futi të dridhurat.»

Autorja Lori Houp jep një shembull tjetër: «Pyetja ‘si je?’ mund të interpretohet në mënyra të ndryshme nga një i sëmurë. Në varësi të tonit të zërit, gjesteve, marrëdhënies, afrimitetit dhe sigurisht momentit, kjo pyetje mund t’i qetësojë shpirtin, t’i shkaktojë dhembje ose t’i zgjojë një frikë të fshehur.»

Ka shumë të ngjarë që një mik i sëmurë dëshiron të ndiejë se dikush kujdeset për të, se e kupton dhe e respekton. Prandaj, siguroje se është shumë i rëndësishëm për ty dhe se do t’i gjendesh pranë. Rozmaria, një e sëmurë me tumor në tru, thotë: «Miqtë më thoshin se më donin dhe se do të më gjendeshin pranë çfarëdo që të ndodhte, e kjo më inkurajonte vërtet.»—Proverbat 15:23; 25:11.

Jep ndihmë praktike

PARIM BIBLIK:

«Le të mos duam veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.»1 GJONIT 3:18.

▪ Nevojat e mikut do të ndryshojnë nga koha kur diagnostikohet e deri kur të fillojë trajtimin mjekësor. Por gjatë gjithë kësaj kohe, ai mund të ketë nevojë për ndihmë. Në vend që thjesht t’i thuash «nëse ke nevojë për diçka, më telefono», përpiqu të jesh specifik. Nëse e ndihmon në gjëra të përditshme, si gatimi, pastrimi, hekurosja, kryerja e porosive, pazari dhe shoqërimi me makinë për në klinikë ose spital, i tregon në mënyrë praktike se interesohesh për të. Ji i besueshëm dhe i përpiktë. Mbaje fjalën dhe përmbushi zotimet.—Mateu 5:37.

«Çfarëdo që bëjmë, e madhe a e vogël qoftë, që mbush hendekun mes botës së tij të sëmundjes e të shëndetit, do të jetë e dobishme»,—thotë autorja Rozana Kelik. Silvia, që e ka kaluar dy herë kancerin, pajtohet me fjalët e mësipërme: «Fakti që çdo ditë miqtë më shoqëronin me radhë për të bërë rreze në një qytet tjetër, më qetësonte e më jepte zemër. Rrugës flisnim për tema të ndryshme dhe pas trajtimit ndalonim gjithmonë te ndonjë kafene. Kështu ndihesha sikur bëja sërish jetë normale.»

Por, mos mendo se e di me siguri për çfarë ka nevojë miku yt. «Pyet, pyet, pyet»,—sugjeron Keliku. Pastaj shton: «Edhe pse ke dëshirë ta ndihmosh, mos merr gjithçka nën kontroll. Kjo mund të ketë efektin e kundërt. Nëse nuk më lë të bëj asgjë, nga kjo kuptoj se s’jam në gjendje për asgjë. Kam nevojë të ndihem e zonja e vetes. Nuk dua të ndihem si viktimë. Më ndihmo të bëj ato që kam mundësi.»

Miku yt ka nevojë të ndihet i aftë. Adilsoni, i cili vuan nga SIDA, thotë: «Kur je i sëmurë, nuk dëshiron të të hedhin tutje sikur të ishe një hiç ose plotësisht i paaftë. Ti dëshiron të jesh disi i dobishëm, edhe nëse kjo do të thotë të bësh gjëra të vogla. Është bukur kur ndihesh akoma i aftë për diçka. Kjo të shton dëshirën për të jetuar. Më pëlqen të më lënë të vendos vetë dhe t’i respektojnë vendimet e mia. Të jesh sëmurë nuk do të thotë se s’mund ta përmbushësh më rolin si baba, nënë etj.»

Mbaji lidhjet

PARIM BIBLIK:

«Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»PROVERBAT 17:17.

▪ Nëse nuk i shkon dot për vizitë mikut për shkak të largësisë a rrethanave të tjera, mund t’i telefonosh për një bisedë miqësore, t’i shkruash një pusullë ose t’i dërgosh një mesazh me postë elektronike. Çfarë t’i shkruash? Psikologu Alan D. Ulfelti sugjeron: «Kujtoji kohët e bukura që keni kaluar bashkë. Premtoji se do t’i shkruash . . . prapë së shpejti dhe mbaje premtimin.»

Mos ngurro ta inkurajosh mikun e sëmurë nga frika se mos thua diçka të papërshtatshme ose bën ndonjë gabim. Në shumë raste, ajo që ka vërtet rëndësi është prania jote. Lori Houpi shkruan në librin e saj: «Të gjithë themi ose bëjmë gjëra që mund të keqkuptohen ose mund të lëndojnë pa dashje. Kjo nuk përbën problem. Problem është kur ke kaq frikë se mos bën ndonjë gabim, saqë i rri larg atij që ka nevojë për ty.»

Një mik i sëmurë rëndë mund të ketë nevojë për ty tani më shumë se kurrë. Trego se je ‘shok i vërtetë’. Përpjekjet e tua për ta ndihmuar mund të mos ia zhdukin dhembjen, por mund t’ia bëjnë më të lehtë situatën atij që ke për zemër.

[Shënimi]

^ par. 9 Disa emra janë ndryshuar.