Lexuesit pyesin . . .
A kanë të gjithë mundësi të njëjta për ta njohur Perëndinë?
Kur e pyetën se cili ishte urdhërimi më i madh, Jezui tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Megjithatë, para se njerëzit ta duan Perëndinë, kanë nevojë të marrin njohuri të saktë për të. (Gjoni 17:3) A do të kenë të gjithë mundësi të njëjta për ta marrë këtë njohuri?
Burimi kryesor i njohurisë për Perëndinë është Bibla. (2 Timoteut 3:16) Shumë veta jetojnë në komunitete ku Bibla mund të gjendet me lehtësi. Gjithashtu, të njëjtëve individë mund t’u bëhen ftesa të vazhdueshme që të marrin njohuri të saktë për Perëndinë me anë të një studimi personal të Biblës. (Mateu 28:19) Disa po rriten nga prindër të dashur të krishterë, të cilët çdo ditë u japin mundësi fëmijëve të tyre të mësojnë për Perëndinë.—Ligji i përtërirë 6:6, 7; Efesianëve 6:4.
Gjithsesi, të tjerë jetojnë në rrethana më pak të favorshme. Disa individë vijnë nga familje të dhunshme, ku prindërit nuk kanë treguar ndonjë përzemërsi të natyrshme për vetë fëmijët e tyre. (2 Timoteut 3:1-5) Ata që janë rritur në një ambient të tillë mund ta kenë të vështirë ta shohin Perëndinë si një Atë të dashur qiellor. Shumë veta nuk kanë pasur mundësi të marrin arsim bazë, dhe kjo ua vështirëson leximin e Biblës. Ndërsa të tjerë e kanë pasur mendjen të verbuar nga mësimet e rreme fetare ose jetojnë në familje, komunitete a vende ku e vërteta biblike nuk tolerohet. (2 Korintasve 4:4) A ua heqin rrethanat këtyre individëve mundësinë që të mësojnë për Perëndinë dhe ta duan atë?
Jezui e pranoi se disa individë nuk do ta kishin të lehtë ta donin dhe t’i bindeshin Perëndisë, ngaqë do të hasnin vështirësi. (Mateu 19:23, 24) Sido që të jetë, Jezui u kujtoi dishepujve se «për Perëndinë gjithçka është e mundur», ndonëse disa pengesa duken të pakapërcyeshme për njerëzit.—Mateu 19:25, 26.
Shqyrtoni këto fakte: Perëndia Jehova ka bërë të mundur që Fjala e tij, Bibla, të jetë libri më i përhapur i të gjitha kohëve. Bibla paratha se lajmi i mirë për Perëndinë dhe për qëllimin e tij në lidhje me tokën do të predikohej në «gjithë tokën e banuar». (Mateu 24:14) Sot, Dëshmitarët e Jehovait e predikojnë këtë lajm të mirë në më tepër se 230 vende dhe shtypin literaturë të bazuar në Bibël në rreth 500 gjuhë. Edhe ata që s’kanë mundësi të lexojnë Biblën, prapëseprapë mund të mësojnë shumë për Perëndinë e vërtetë duke vëzhguar gjërat që ai ka bërë.—Romakëve 1:20.
Përveç kësaj, Fjala e Perëndisë thotë: «Jehovai heton gjithë zemrat dhe dallon çdo prirje të mendimeve. Nëse e kërkon, ai do të të lërë që ta gjesh.» (1 Kronikave 28:9) Prandaj, megjithëse Jehovai nuk premton se çdo individ do të ketë tamam të njëjtën mundësi, ai sigurohet që të gjithëve atyre me zemër të ndershme t’u jepet të paktën një mundësi. Madje, ai do të sigurohet që ata të cilët s’kanë pasur kurrë rastin të mësojnë për të, t’u jepet një mundësi me anë të një ringjalljeje në një botë të re e të drejtë.—Veprat 24:15.