Si të kemi një familje të lumtur?
Të përballosh vitin e parë të martesës
Burri: «Po habitem sa të ndryshëm jemi unë dhe gruaja ime! Për shembull, mua më pëlqen të zgjohem herët, kurse asaj i pëlqen të rrijë deri natën vonë. Sa për ndryshimet e saj të humorit, s’i kuptoj fare! Dhe diçka tjetër: kur unë gatuaj, ajo bëhet kaq kritike, sidomos kur i pastroj duart me pecetën e enëve.»
Gruaja: «Burrit tim nuk i pëlqen të flasë shumë. Por unë jam mësuar ndryshe në familjen time. Ata flasin shumë, sidomos gjatë vakteve. Dhe kur burri gatuan, ai përdor të njëjtën pecetë për të tharë pjatat e për të pastruar duart. Kjo më acaron! Pse janë kaq të vështirë për t’u kuptuar burrat? Si ia dalin njerëzit të kenë sukses në martesë?»
NËSE je i sapomartuar, a ke hasur sfida si këto? A të duket sikur papritur bashkëshorti shfaq të meta dhe huqe që nuk i kishte kur po njiheshit? Si t’i kalosh më lehtë ‘shqetësimet e përditshme që kanë çiftet e martuara’?—1 Korintasve 7:28, Today’s English Version.
Pikësëpari mos mendo se, meqë keni bërë betimin martesor, ti dhe bashkëshorti tani jeni ekspertë të jetës martesore. Si beqar mund të kesh fituar aftësi të vyera për marrëdhëniet shoqërore dhe këto aftësi mund të jenë përmirësuar kur i hyre lidhjes. Gjithsesi, martesa do të t’i vërë në provë këto aftësi në mënyra të reja dhe ka të ngjarë që të të duhet të fitosh aftësi të tjera. A do të bësh gabime? Sigurisht. A mund t’i fitosh aftësitë që të duhen? Patjetër!
Cilado qoftë aftësia që duhet përmirësuar, mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të konsultohesh me specialistin përkatës dhe t’i zbatosh këshillat që të jep. Specialisti më i madh i martesës është Perëndia Jehova. Mbi të gjitha, ai është personi që na krijoi me dëshirën për t’u martuar. (Zanafilla 2:22-24) Vër re si Fjala e tij, Bibla, mund të të ndihmojë t’i kapërcesh sfidat dhe të fitosh aftësitë e nevojshme që martesa jote të zgjatë përtej vitit të parë.
AFTËSIA 1. MËSO TË KËSHILLOHESH ME BASHKËSHORTIN
Cilat janë sfidat?
Keji, * një bashkëshort nga Japonia, nganjëherë harronte se vendimet që merrte ndikonin te gruaja. «I pranoja ftesat pa u këshilluar me gruan,—thotë ai.—Më vonë, kuptoja se ato takime nuk ishin të volitshme për të.» Aleni, një bashkëshort në Australi, thotë: «Mendoja se nuk ishte burrë ai që pyeste gruan për vendimet që duheshin marrë.» E kishte sfidë për shkak të formimit. E njëjta gjë ndodhte edhe me Dajanën, e cila jeton në Britani. Ajo thotë: «Isha mësuar t’i kërkoja këshilla familjes. Prandaj, në fillim këshillohesha me ta e jo me burrin kur merrja vendime.»
Cila është zgjidhja?
Mos harro se Perëndia Jehova e shikon një çift të martuar si ‘një mish të vetëm’. (Mateu 19:3-6) Në sytë e tij, asnjë marrëdhënie njerëzore nuk është më e rëndësishme se ajo burrë e grua. Për ta mbajtur të fortë këtë marrëdhënie, është jetësor komunikimi i mirë.
Burri dhe gruaja mund të mësojnë shumë duke shqyrtuar mënyrën si komunikoi Perëndia Jehova me Abrahamin. Për shembull, lexo të lutemi bisedën e dokumentuar te Zanafilla 18:17-33. Vër re se Perëndia e nderoi Abrahamin në tri mënyra. (1) Jehovai i shpjegoi çfarë kishte ndër mend të bënte. (2) E dëgjoi ndërsa Abrahami i tregonte pikëpamjen që kishte. (3) Aq sa ishte e mundur, Jehovai e përshtati mënyrën e tij të të vepruarit sipas kërkesës së Abrahamit. Si ta ndjekësh këtë model kur këshillohesh me bashkëshortin tënd?
SUGJERIM: Kur diskuton çështje që do të ndikojnë te partneri, (1) shpjego si do të doje të zgjidhej ajo çështje, por paraqiti mendimet si sugjerime, jo si vendime përfundimtare ose ultimatume; (2) kërkoji bashkëshortit të t’i shprehë mendimet që ka e pranoje të drejtën e tij për të pasur pikëpamje të ndryshme; dhe (3) «arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë», duke iu përshtatur preferencave të bashkëshortit kurdo që është e mundur.—Filipianëve 4:5.
AFTËSIA 2. MËSO TË TREGOSH TAKT
Cila është sfida?
Në varësi të prejardhjes familjare ose kulturore, mund ta kesh zakon ta shprehësh mendimin tënd prerazi, madje pa takt fare. Për shembull, Liami, i cili jeton në Evropë, thotë: «Në vendin nga vij unë, njerëzit priren të jenë pa takt. Mënyra pa takt si shprehesha, shpesh e mërziste gruan. Duhej të mësoja të isha më i ëmbël.»
Cila është zgjidhja?
Mos nxirr përfundimin se bashkëshorti dëshiron që t’i flasësh siç je mësuar. (Filipianëve 2:3, 4) Këshilla që i dha apostulli Pavël një misionari është e dobishme edhe për të sapomartuarit. Ai shkroi: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël.» Sipas greqishtes origjinale, fjala «i ëmbël» mund të përkthehet edhe «me takt». (2 Timoteut 2:24) Takti është aftësia për të kuptuar kur duhet treguar kujdes në një situatë dhe për ta trajtuar çështjen me mirëdashje, pa ofenduar dikë.
SUGJERIM: Kur je i mërzitur me bashkëshortin, imagjino sikur je duke biseduar me një shok të ngushtë ose me punëdhënësin tënd e jo me bashkëshortin. A do të përdorje të njëjtin ton zëri ose të njëjtat fjalë? Pastaj, mendo për arsyet pse bashkëshorti e meriton t’i flasësh edhe më me respekt e takt se shokut ose punëdhënësit.—Kolosianëve 4:6.
AFTËSIA 3. MËSO T’I PËRSHTATESH ROLIT TËND TË RI
Cila është sfida?
Në fillim një burrë mund ta ushtrojë kryesinë në një mënyrë që e lëndon pa dashje bashkëshorten ose një bashkëshorte mund të mos jetë mësuar të japë sugjerime me takt. Për shembull, Antonio, një bashkëshort në Itali, thotë: «Babai im zor se e pyeste ndonjëherë nënën për vendimet familjare. Prandaj, në fillim sundoja në familje si të isha monark.» Debi, një bashkëshorte në Kanada, thotë: «Kërkoja që burri të ishte më i rregullt. Por, kur i afrohesha me një qëndrim si prej shefeje, kjo vetëm sa e bënte më kryeneç.»
Cila është zgjidhja për burrin?
Disa bashkëshortë e ngatërrojnë atë që thotë Bibla për nënshtrimin e gruas me atë që thotë për bindjen e fëmijës ndaj prindit. (Kolosianëve 3:20; 1 Pjetrit 3:1) Megjithatë, Bibla thotë se një bashkëshort duhet «të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm». Por nuk thotë të njëjtën gjë për një prind me fëmijën e tij. (Mateu 19:5) Jehovai e përshkruan një bashkëshorte si plotësim për burrin e saj. (Zanafilla 2:18) Ai nuk i referohet asnjëherë një fëmije si të ishte një plotësim për prindin. Si mendon, nëse një bashkëshort e trajton gruan si fëmijë, a po e nderon martesën?
Në fakt, Fjala e Perëndisë të nxit ta trajtosh gruan ashtu siç e trajton Jezui kongregacionin e krishterë. Gruaja do ta ketë më të lehtë të të shohë si kreun e saj nëse (1) ti nuk pret që ajo të të tregojë nënshtrim të menjëhershëm e të përsosur dhe (2) e do si trupin tënd, edhe kur lindin vështirësi.—Efesianëve 5:25-29.
Cila është zgjidhja për gruan?
Pranoje se tani është burri kreu yt i caktuar nga Perëndia. (1 Korintasve 11:3) Në qoftë se e nderon burrin, nderon Perëndinë. Nëse nuk e pranon kryesinë e tij, tregon se ç’qëndrim ke jo vetëm ndaj bashkëshortit, por edhe ndaj Perëndisë e kërkesave të tij.—Kolosianëve 3:18.
Kur diskuton për probleme të vështira, mëso të sulmosh problemin—jo karakterin e bashkëshortit. Për shembull, mbretëresha Ester donte që burri i saj, mbreti Asuer, të ndreqte një padrejtësi. Në vend që të sulmonte atë, ajo u shpreh me takt. Burri ia pranoi sugjerimin, e së fundi bëri atë që duhej. (Estera 7:1-4; 8:3-8) Burri ka të ngjarë të të dojë më shumë nëse (1) i lë kohë të ambientohet me rolin e ri si kreu i familjes dhe (2) e trajton me respekt, edhe kur bën gabime.—Efesianëve 5:33.
SUGJERIM: Në vend që t’u kushtosh vëmendje ndryshimeve që mendon se duhet të bëjë bashkëshorti yt, përqendrohu te ndryshimet që ti vetë ke nevojë të bësh. Burra: nëse e mërzitni gruan me mënyrën si e ushtroni apo nuk e ushtroni fare autoritetin, pyeteni si mund të përmirësoni dhe pastaj shkruajeni sugjerimin. Gra: nëse burri mendon se nuk po tregoni respekt, pyeteni si mund të përmirësoni dhe mbajeni shënim sugjerimin.
Ji i arsyeshëm për atë që pret
Të mësosh të mbash një martesë të lumtur e të ekuilibruar, është si të mësosh të ngasësh një biçikletë. E di se do të rrëzohesh disa herë derisa të fitosh siguri. Po ashtu, në martesë do të bësh disa gabime të sikletshme ndërsa fiton përvojë.
Mbaj një ndjenjë humori. Merri seriozisht gjërat që e shqetësojnë bashkëshortin, por mëso të qeshësh me gafat e tua. Shfrytëzo mundësitë për ta gëzuar bashkëshortin gjatë vitit të parë të martesës. (Ligji i përtërirë 24:5) Mbi të gjitha, lejoni Fjalën e Perëndisë t’ju udhëheqë në marrëdhënien tuaj. Nëse bëni kështu, martesa juaj do të bëhet gjithnjë e më e fortë vit pas viti.
^ par. 9 Disa emra janë ndryshuar.
PYET VETEN . . .
-
A është bashkëshorti njeriu të cilit i hapem më shumë apo preferoj të këshillohem me të tjerë?
-
Çfarë kam bërë konkretisht këto 24 orët e fundit që tregon se e dua dhe e respektoj bashkëshortin?