Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

500 vjet kalvinizëm Çfarë është arritur?

500 vjet kalvinizëm Çfarë është arritur?

500 vjet kalvinizëm Çfarë është arritur?

ZHAN KOVENI ose siç njihet ndryshe Xhon Kalvini lindi në Nuajon të Francës, në vitin 1509. Ai themeloi një lëvizje fetare që pati ndikim të madh në jetën e shumë njerëzve në pjesë të Evropës, Amerikës së Veriut dhe të Jugut, Afrikës së Jugut dhe gjetkë. Ai konsiderohet si një prej reformatorëve më të mëdhenj të Kishës në historinë Perëndimore.

Sot, rreth 500 vjet pas lindjes së Kalvinit, kalvinizmi—idetë dhe mësimet e Kalvinit—ndikon ende në një formë apo në një tjetër te grupet fetare, si tek ato të reformuara, presbiteriane, kongregacionale, puritane etj. Shtatorin e kaluar, Aleanca Botërore e Kishave të Reformuara raportoi se kishte 75 milionë përkrahës në 107 vende.

Konflikti i tij me katolicizmin

Babai i Kalvinit ishte avokat dhe punonte si sekretar për kishën katolike në Nuajon. Ka mundësi që puna ta kishte ballafaquar goxha me sjelljen e keqe të klerikëve, shumë e përhapur në atë kohë. Nuk jemi të sigurt nëse kjo çoi në protesta a veprime pa respekt ndaj kishës, por me kalimin e kohës babai dhe vëllai i Xhonit u shkishëruan. Kur i vdiq babai, Xhoni e kishte të vështirë t’i bënte një varrim të krishterë. Ka të ngjarë që ky incident t’ia ketë thelluar më tej mungesën e besimit te katolicizmi.

Shumica e veprave rreth Kalvinit nuk flasin shumë për rininë e tij, përveçse e përshkruajnë me natyrë të ndrojtur e të mbyllur. Madje, edhe kur ishte student në Paris, Orlean dhe Burzh, duket se kishte pak shokë. Por Kalvini kishte si dhunti një mendje të mprehtë dhe kujtesë të paparë. Këto, bashkë me një vullnet të paepur për punën—duke qenë se studionte çdo ditë nga ora pesë e mëngjesit deri në mesnatë—e ndihmuan të bëhej doktor i ligjit para se të mbushte 23 vjeç. Gjithashtu mësoi hebraisht, greqisht dhe latinisht që të studionte Biblën. Por, mbi të gjitha, Kalvini ishte i njohur për qëndrimin serioz dhe të disiplinuar ndaj punës, karakteristikë të cilën shumë veta e lidhin me kalvinizmin edhe sot.

Ndërkohë, përtej kufirit, në Gjermani, Martin Luteri e kritikonte hapur Kishën Katolike për korrupsionin dhe mësimet e saj jobiblike. Mendohet gjerësisht se në vitin 1517 ai nguli te dera e një kishe, në Vitenberg, 95 tezat ose protestat e tij, duke nxitur kështu reformën e kishës. Shumë veta ranë dakord me Luterin dhe Reforma u përhap me shpejtësi në gjithë Evropën. Kuptohet, kjo shkaktoi mjaft kundërshtim në shumë zona dhe protestuesit, ose protestantët, vuajtën ngaqë mbrojtën pikëpamjet e tyre. Në vitin 1533, në Paris, Nikola Kopi mbajti një fjalim duke mbështetur Luterin dhe, meqenëse Kalvini e ndihmoi të shkruante fjalimin, të dyve iu desh të largoheshin që të mos i vritnin. Kalvini nuk u kthye më kurrë të jetonte në Francë.

Në vitin 1536, Kalvini botoi Institucionet e fesë së krishterë, libër i plotë studimi për besimin protestant. Ai ia paraqiti atë mbretit Fransis I, në mbrojtje të protestantëve francezë, më vonë të njohur si hygenotë. Kalvini sulmoi mësimet katolike dhe mbështeti pikën më të rëndësishme të besimit të tij—sovranitetin e Perëndisë. Përveçse ndikoi te çështjet fetare, libri Institucionet që shkroi Kalvini, është mjaft i njohur edhe për influencën që ka pasur te frëngjishtja dhe stili letrar. Kalvinin e mbanin si një prej reformatorëve më të mëdhenj. Më së fundi, ai u vendos me banim në Gjenevë, Zvicër, dhe prej vitit 1541 e më tej e bëri atë qytet qendrën e reformave të tij.

Vazhdon reformat në Gjenevë

Kalvini ushtroi ndikim të fuqishëm në Gjenevë. I motivuar nga një ndjenjë e fortë morali dhe drejtësie, e ndryshoi Gjenevën nga «një qytet me reputacion të keq në një qytet me kod të rreptë moral që i udhëhiqte të gjithë njerëzit», siç vëren një enciklopedi (The Encyclopedia of Religion). Gjithashtu pati ndryshime të tjera. Dr. Sabina Viti, kujdestare e Muzeut Historik Gjerman të Berlinit, shpjegon: «Si pasojë e luftërave fetare në Francë, popullsia [e Gjenevës] u dyfishua brenda pak vjetësh pas fluksit të mijëra refugjatëve protestantë.» Hygenotët, të përkushtuar pas punës, siç ishte edhe Kalvini, e forcuan ekonominë e qytetit duke e bërë Gjenevën qendër për prodhimin e orëve dhe për shtypje.

Gjithashtu, në Gjenevë erdhën refugjatë nga vende të tjera, përfshirë shumë veta nga Anglia, ku protestantët ishin nën kërcënimin e mbretëreshës Maria I. Meqë kalvinistët përbëheshin kryesisht nga minoritete të mërguara, zhvilluan atë që gazeta fetare Christ in der Gegenwart (I krishteri bashkëkohor) e përshkruan si «teologjia e të përndjekurve». Në vitin 1560, refugjatët botuan Biblën e Gjenevës, Bibla e parë në anglisht që përmban vargje të ndara me numra. Për shkak të formatit të saj të vogël, kjo Bibël e lehtësoi studimin personal të Fjalës së Perëndisë. Ka mundësi që ky të ishte përkthimi i Biblës që puritanët e morën kur emigruan për në Amerikën e Veriut në vitin 1620.

Gjithsesi, Gjeneva nuk siguronte mbrojtje të sigurt për këdo. Migel Servetosi, i lindur në vitin 1511 në Spanjë, studioi greqisht, latinisht, hebraisht e për mjekësi dhe mund ta ketë takuar Kalvinin kur ishin studentë në Paris. Nga studimi i Biblës, Servetosi kuptoi se doktrina e Trinitetit ishte jobiblike. Ai u përpoq të mbante korrespondencë me Kalvinin për këtë temë, por ky i fundit e konsideroi Servetosin më shumë si armik se mik. I përndjekur nga katolikët në Francë, Servetosi ia mbathi për te qyteti i Kalvinit, në Gjenevë. Në vend që ta mirëpritnin, e arrestuan, e gjykuan për herezi dhe e dogjën në turrën e druve në vitin 1553. «Ekzekutimi i Servetosit vazhdon të jetë një njollë në jetën dhe në punën [e Kalvinit], që përndryshe do të quhej Reformatori i madh»,—thotë historiani Fridrik Oninger.

Kalvini shkroi shumë vepra ndërsa po punonte për të bërë reformë. Thuhet se ka shkruar më tepër se 100 vepra referimi e 1.000 letra dhe se ka mbajtur rreth 4.000 fjalime në Gjenevë. Në të gjitha këto, Kalvini jo vetëm paraqiti pikëpamjen e tij si duhej të ishte krishterimi, por edhe u përpoq të impononte mënyrën si duhej të jetonin të krishterët sipas tij, veçanërisht në Gjenevë, të cilën e shihte deri diku si qytetin e Perëndisë. *

Çfarë kanë sjellë përpjekjet e palodhura të Kalvinit në Gjenevë për reformë? Sipas Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës, në vitin 2000 vetëm 16 për qind e banorëve të Gjenevës i përkitnin Kishës së Reformuar (Kalviniste) dhe në atë qytet ka më shumë katolikë se kalvinistë.

Uniteti fetar përçahet shpejt

Si pasojë e Reformës, qytete dhe shtete të caktuara deklaruan besnikërinë e tyre ndaj katolicizmit, luteranizmit dhe kalvinizmit, duke e bërë Evropën vatër përçarjesh fetare. Megjithëse reformatorët ishin të bashkuar në kritikat që i bënin Kishës Katolike, ata kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin. Dr. Viti, e cituar më sipër, vëren: «Mosmarrëveshjet teologjike u zhvilluan edhe mes protestantëve.» Edhe pse të gjithë e pranonin se Bibla duhej të ishte baza e besimit të krishterë, kishte mjaft mospajtime në mësimet e tyre. Çështje të cilave u duhej kushtuar menjëherë vëmendje kishin të bënin me domethënien e Darkës së Fundit dhe të pranisë së Krishtit. Me kalimin e kohës, kalvinizmi zhvilloi një prej doktrinave më të debatuara: paracaktimin e fatit.

Kishte shumë debate në lidhje me përkufizimin e paracaktimit të fatit. Një grup kalvinistësh thoshte që, para se njerëzit të mëkatonin, Perëndia kishte vendosur që disa persona të zgjedhur të shpëtoheshin nëpërmjet Krishtit, kurse gjithë të tjerët të liheshin në mëshirë të fatit. Prandaj, ky grup besonte se shpëtimi ishte dekreti i Perëndisë dhe se njerëzit nuk ishin të gjithë të barabartë. Kalvinistë të tjerë mendonin se dera e shpëtimit ishte e hapur për gjithë njerëzimin dhe se shpëtimi ishte çështje zgjedhjeje personale, nëse do ta pranonin apo jo. Kjo nënkuptonte se shpëtimi varej nga vullneti i lirë i njeriut. Shumë kohë pas vdekjes së Kalvinit, kalvinizmi vazhdoi të luftonte për çështje të tilla, si: dekreti i Perëndisë, vullneti i lirë i njeriut dhe mundësitë e barabarta mes njerëzve.

Trashëgimia e njollosur e kalvinizmit

Në shekullin e 20-të, Kisha e Reformuar Holandeze Kalviniste e paraqiti paracaktimin e fatit si bazë për diskriminimin racial në Afrikën e Jugut. Në lidhje me politikën e qeverisë për epërsinë e të bardhëve, Nelson Mandela, i cili u bë presidenti i parë me ngjyrë në Afrikën e Jugut, pohoi: «Politika kishte mbështetjen e Kishës së Reformuar Holandeze e cila i dha apartejdit ngjyrim fetar, duke sugjeruar se afrikanët e bardhë ishin populli i zgjedhur i Perëndisë dhe se zezakët ishin lloj që duhej të nënshtroheshin. Sipas pikëpamjes së një afrikani për botën, apartejdi dhe kisha shkonin krah për krah.»

Në vitet 90, Kisha e Reformuar Holandeze kërkoi falje publike për mbështetjen që i kishte dhënë apartejdit. Në një deklaratë formale të quajtur Deklarata e Rustenburgut, të parët e kishave pranuan: «Disa nga ne e kanë keqpërdorur Biblën për të justifikuar apartejdin, duke i bërë shumë veta të besojnë se ai kishte miratimin e Perëndisë.» Gjatë viteve, qëndrimi i kishës në lidhje me apartejdin jo vetëm që u kontribuonte vuajtjeve për shkak të paragjykimit racial, por edhe hidhte idenë se fajin e kishte Perëndia.

Xhon Kalvini vdiq në Gjenevë në vitin 1564. Thuhet se në fund i falënderoi bashkëklerikët e tij, «që i kishin bërë kaq shumë nderime dikujt që në mënyrë të dukshme nuk i meritonte ato» dhe kërkoi falje që tregoi dobësi për një kohë të gjatë duke qenë i paduruar dhe duke shfaqur zemërim. Edhe pse mund t’i ketë pasur dobësi të tilla, nuk mund të mohohet që qëndrimi protestant ndaj punës—e karakterizuar nga papërtueshmëria, vetëdisiplina dhe përkushtimi ndaj detyrës—i ngjason jashtë mase personit dhe vlerave të Xhon Kalvinit.

[Shënimi]

^ par. 13 Për më shumë informacion, shih librin Njerëzimi në kërkim të Perëndisë (anglisht), faqet 321-325, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 21]

Si pasojë e Reformës, qytete dhe shtete të caktuara deklaruan besnikërinë e tyre ndaj katolicizmit, luteranizmit dhe kalvinizmit, duke e bërë Evropën vatër përçarjesh fetare

[Harta në faqen 18]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

SPANJË

FRANCË

PARIS

Nuajon

Orlean

Burzh

ZVICËR

GJENEVË

[Figura në faqen 19]

Libri «Institucionet» (1536) i Kalvinit siguroi bazën për besimin protestant

[Burimi]

© INTERFOTO/​Alamy

[Figura në faqen 20]

Ekzekutimi i Servetosit mbetet një njollë në jetën dhe në punën e Kalvinit

[Burimi]

© Mary Evans Picture Library

[Figura në faqen 21]

«Bibla e Gjenevës» (1560) është Bibla e parë në anglisht që përmban vargje të ndara me numra

[Burimi]

Me mirësjellje nga Shoqëria Biblike Amerikane

[Burimi i figurës në faqen 18]

Qytet francez: © Mary Evans Picture Library