Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e kërkon Perëndia rrëfimin e mëkateve?

A e kërkon Perëndia rrëfimin e mëkateve?

A e kërkon Perëndia rrëfimin e mëkateve?

Rrëfimi i mëkateve te një prift ose te një shërbëtor fetar vazhdon të jetë pjesë e ritualit dhe e adhurimit në shumë kisha. Por, a ia vlen ose a është i nevojshëm rrëfimi në shoqërinë e sotme liberale dhe tolerante?

PËR këtë çështje ka pikëpamje të ndryshme. Për shembull, gazeta National Post e Kanadasë raporton për një person që e pranon se, ndonëse është e vështirë t’i tregosh dikujt për gabimet e tua, «provon një ndjesi të këndshme kur dikush është në dijeni të tyre, lutet bashkë me ty dhe të thotë se çfarë duhet të bësh për ta rregulluar situatën». Ndryshe nga kjo, libri Bless Me, Father, for I Have sinned (Më beko, o Atë, sepse kam mëkatuar) citon një burrë që tha: «Rrëfimi është një nga ritualet më dërrmuese nga ana emocionale që ka kisha. Bën që njerëzit të jenë tepër në ankth.» Çfarë thotë Bibla për këtë temë?

Pikëpamja e Biblës

Në ligjin që Perëndia i dha kombit të Izraelit, gjejmë udhëzime specifike se çfarë duhej bërë kur një individ mëkatonte. Për shembull, kur dikush mëkatonte ndaj një tjetri ose thyente një nga ligjet e Perëndisë, ai duhej të rrëfehej te prifti i caktuar nga fisi i Levit, i cili do të bënte shlyerjen për të, duke i ofruar Perëndisë një flijim për faljen e mëkatit.—Levitiku 5:1-6.

Shekuj më vonë, si reagoi mbreti David kur profeti Natan e qortoi për mëkatet e tij? Davidi e pranoi menjëherë: «Kam mëkatuar kundër Jehovait.» (2 Samuelit 12:13) Gjithashtu, iu lut Perëndisë duke iu përgjëruar që t’i jepte hir. Me ç’rezultat? Më vonë Davidi shkroi: «Më në fund ta rrëfeva mëkatin tim dhe fajin që bëra nuk e mbulova, porse thashë: ‘Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Jehovait.’ Dhe ti e fale ligësinë e mëkateve të mia.»—Psalmi 32:5; 51:1-4.

Rrëfimi i mëkateve mbeti kërkesë nga Perëndia edhe për kongregacionin e krishterë në shekullin e parë të erës sonë. Jakovi, gjysmëvëllai i Jezuit dhe një nga burrat që merrnin drejtimin në kongregacionin në Jerusalem, i nxiti të bashkëkrishterët: «Rrëfejani hapur mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni.» (Jakovi 5:16) Atëherë, çfarë u kërkohet të krishterëve të rrëfejnë dhe kujt duhet t’i rrëfehen?

Çfarë duhet të rrëfejmë?

Çdo ditë, nga papërsosmëria priremi të veprojmë pa u menduar ose ta keqpërdorim gjuhën, e kështu mëkatojmë kundër një tjetri. (Romakëve 3:23) A do të thotë kjo se duhet t’ia rrëfejmë çdo shkelje të tillë një njeriu të caktuar me autoritet?

Edhe pse çdo mëkat që kryejmë është fyerje në sytë e Perëndisë, ai me mëshirë i merr parasysh mangësitë tona për shkak të papërsosmërisë njerëzore të trashëguar. Vërtet, psalmisti pranoi: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë? Ti fal me të vërtetë, që të kenë frikë nga ti.» (Psalmi 130:3, 4) Prandaj, çfarë duhet të bëjmë kur gabojmë dhe kur mëkatojmë kundër të tjerëve, ndoshta edhe pa dashje? Kujtoni që lutja model, të cilën Jezui ua mësoi dishepujve, përfshin këtë kërkesë: «Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim ata që mëkatojnë kundër nesh.» (Luka 11:4) Po, Perëndia do të na falë nëse i afrohemi dhe i kërkojmë falje në emër të Jezuit.—Gjoni 14:13, 14.

Vini re se Jezui përfshiu kushtin që edhe ne t’i falim ata «që mëkatojnë kundër nesh». Apostulli Pavël u kujtoi bashkëbesimtarëve: «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia ju ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit.» (Efesianëve 4:32) Kur ua falim të tjerëve fajet, kemi shumë arsye të presim që Perëndia të na i falë tonat.

Megjithatë, çfarë të themi për mëkate të tilla serioze, si: vjedhja, gënjeshtra të qëllimshme, imoraliteti seksual, dehja etj? Çdokush që kryen mëkate të tilla thyen ligjet e Perëndisë, dhe kështu mëkaton kundër Tij. A duhet t’i rrëfejmë këto mëkate?

Kujt duhet t’ia rrëfejmë mëkatet?

Perëndia nuk autorizon njerëz për të falur mëkatet që kryhen kundër tij. Vetëm ai mund ta bëjë këtë. Bibla na e thotë qartë: «Nëse i rrëfejmë mëkatet tona, ai është i besueshëm dhe i drejtë, e kështu do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi.» (1 Gjonit 1:9) Gjithsesi, kujt duhet t’ia rrëfejmë mëkate të tilla?

Meqenëse vetëm Perëndia na i fal mëkatet, atij duhet t’i rrëfehemi. Pikërisht këtë bëri Davidi, siç e kemi përmendur. Por, mbi ç’bazë mund të falet dikush? Bibla na thotë: «Prandaj pendohuni dhe kthehuni, që t’ju fshihen mëkatet, që nga vetë Jehovai të vijnë kohë freskuese.» (Veprat 3:19) Po, që Perëndia të na falë, nuk duhet vetëm ta pranojmë dhe ta rrëfejmë mëkatin, por edhe të jemi të gatshëm ta braktisim rrugën e gabuar. Shpeshherë, hapi i dytë është i vështirë për t’u ndërmarrë. Por kemi ndihmë.

Kujtoni fjalët e dishepullit Jakov që përmendëm më parë: «Rrëfejani hapur mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni.» Jakovi shtoi më tej: «Përgjërimi i të drejtit vepron me shumë forcë.» (Jakovi 5:16) ‘I drejti’ mund të jetë një nga «pleqtë e kongregacionit», që Jakovi i përmendi në vargun 14. Në kongregacionin e krishterë, ka burra të kualifikuar që quhen ‘pleq’, të cilët janë caktuar për të ndihmuar ata që duan të marrin falje nga Perëndia. Sigurisht, këta ‘pleq’ nuk mund t’ia lajnë mëkatet askujt, pasi asnjë njeri nuk është i autorizuar të falë një tjetër për mëkatet kundër Perëndisë. * Megjithatë, ata janë të kualifikuar sipas Shkrimeve për të qortuar dhe për të ndrequr dikë që ka kryer një mëkat serioz, duke e ndihmuar të kuptojë sa i rëndë është mëkati i tij dhe nevojën për t’u penduar.—Galatasve 6:1.

Pse t’i rrëfejmë mëkatet?

Qoftë mëkat i rëndë apo jo, ai që e ka kryer, ka dëmtuar marrëdhënien me tjetrin dhe me Perëndinë. Si pasojë, mund të ndihet i trazuar ose në ankth. Kjo është puna që bën ndërgjegjja, me të cilën na ka pajisur Krijuesi që në lindje. (Romakëve 2:14, 15) Çfarë mund të bëhet?

Po të kthehemi edhe një herë te libri i Jakovit, aty gjejmë këto fjalë inkurajuese: «A ka mes jush ndonjë të sëmurë [që ka dëmtuar marrëdhënien me Perëndinë]? Le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten për të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait. E lutja e besimit do ta shërojë të pamundurin, dhe Jehovai do ta ngrejë. Gjithashtu, nëse ka kryer mëkate, do t’i falen.»—Jakovi 5:14, 15.

Përsëri, pleqtë thirren për t’iu përgjigjur nevojave të kopesë. Si? Jo thjesht duke dëgjuar një rrëfim. Në vend të kësaj, meqenëse bëhet fjalë për dikë që ka dëmtuar marrëdhënien me Perëndinë, duhet bërë diçka që ‘të shërohet i pamunduri’. Jakovi përmendi dy gjëra që mund të bëhen.

Së pari është ‘lyerja me vaj’. Kjo i referohet fuqisë shëruese të Fjalës së Perëndisë. Apostulli Pavël shpjegoi se «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi. . . . Është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës», duke depërtuar thellë në mendjen dhe në zemrën e dikujt. (Hebrenjve 4:12) Duke e përdorur me mjeshtëri Biblën, pleqtë mund ta ndihmojnë atë që ka këtë problem të kuptojë shkakun dhe të ndërmarrë hapat e duhur për t’i rregulluar gjërat me Perëndinë.

Pastaj përmendet «lutja e besimit». Edhe pse lutjet e pleqve nuk do ta ndryshojnë zbatimin e drejtësisë nga Perëndia, ato janë të rëndësishme për Perëndinë, i cili mezi pret të falë mëkatin në bazë të flijimit shpërblyes të Krishtit. (1 Gjonit 2:2) Perëndia është i gatshëm të ndihmojë çdo mëkatar që është penduar vërtet dhe që shfaq «vepra të denja për pendim».—Veprat 26:20.

Arsyeja kryesore pse duhet ta rrëfejmë mëkatin—e kryer ndaj një njeriu tjetër ose ndaj Perëndisë—është që të fitojmë një qëndrim të miratuar para Perëndisë. Jezu Krishti tregoi që, para se të adhurojmë Perëndinë me një ndërgjegje të mirë, duhet të zgjidhim mosmarrëveshjet që mund të kemi me të tjerët dhe të bëjmë paqe me ta. (Mateu 5:23, 24) Proverbat 28:13 thotë: «Kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë.» Kur përulemi në sytë e Perëndisë Jehova dhe i kërkojmë falje, do të fitojmë miratimin e tij dhe ai do të na lartësojë në kohën e duhur.—1 Pjetrit 5:6.

[Shënimi]

^ par. 16 Disa i konsiderojnë fjalët e Jezuit që gjenden te Gjoni 20:22, 23 si pikë referimi për të mbështetur rolin e rrëfyesve njerëzorë. Për një shqyrtim të hollësishëm të kësaj pike, shih Kullën e Rojës të 15 prillit 1996, faqet 28-29.

[Diçitura në faqen 23]

Perëndia nuk do të na i marrë parasysh të metat tona dhe do të na falë nëse i afrohemi dhe i kërkojmë falje në emër të Jezuit

[Figura në faqen 24]

Arsyeja kryesore pse duhet ta rrëfejmë mëkatin, është të fitojmë një qëndrim të miratuar para Perëndisë