Një ditë në plazh
Letër nga Grenada:
Një ditë në plazh
GËZIMI që provohet kur dikush caktohet si misionar në vend të huaj është i papërshkrueshëm. Si një fëmijë i habitur dhe kureshtar, mezi pret të mësojë për njerëzit, vendin dhe përvojat që e presin në predikim.
Kur bashkë me gruan u caktuam në Grenadë, mezi pritnim t’i shihnim plazhet e saj, pasi ka një rrip bregdetar madhështor me rreth 45 plazhe. Së shpejti do të kalonim një ditë të bukur në njërin prej tyre, por gëzimi ynë lidhej më shumë me njerëzit, sesa me diellin dhe sërfin.
Për të shkuar nga shtëpia jonë deri në plazhin e Grand-Ansit, duhet të bëjmë një rrugë të shkurtër me makinë. Por çfarë rruge e mrekullueshme që është! Ka shumë kthesa dhe na ofron pamjet më spektakolare që të vijnë në mendje. Faqet e kodrave spikatin nga gjelbërimi. Malet, pyjet e shiut, ujëvarat dhe pamjet madhështore nga oqeani na mirëpresin thuajse në çdo kthesë. S’është çudi që këtu vijnë turistë nga e gjithë bota. Panoramat janë kaq të bukura sa shoferi duhet të bëjë kujdes që të mos shpërqendrohet. Rrugët gjarpërojnë e ndërthuren dhe ndonjëherë janë kaq të ngushta sa pyesim veten nëse mund të kalojnë dy makina pa u prekur.
Mbërritëm në Qendrën Tregtare, ku do të mbahej kongresi, që ndodhet përgjatë rrugës së plazhit të Grand-Ansit. Shpejt u mblodh një grup me afro 600 Dëshmitarë të Jehovait, që të kalonin një ditë të këndshme në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe që të mësonin nga Bibla. Kjo ditë ishte veçanërisht domethënëse për Leslin dhe Dafnën, një çift në të 70-at. Lesli do të pagëzohej. Dafna kishte kohë që mezi e priste këtë ditë, pasi ishte pagëzuar si Dëshmitare e Jehovait që në vitin 1958.
Dëshmitarët e konsiderojnë shumë domethënës pagëzimin, që bëhet duke u zhytur krejtësisht në ujë. Është një hap që dikush e bën kur merr njohuri të saktë për të vërtetën biblike dhe kur e zbaton atë që mëson. Është një ceremoni publike ku, ai që do të pagëzohet, tregon para të gjithëve se i është kushtuar Perëndisë Jehova.
Më kërkuan të bëja fjalimin për pagëzimin, ku do të shpjegoja çfarë thonë Shkrimet për të. Në fund të fjalimit, Lesli dhe dy
të tjerë që do të pagëzoheshin u ngritën në këmbë. Ai kishte veshur këmishë të bardhë të hekurosur mirë, si edhe kollare. Buzët i shkonin vesh më vesh. Bëra pyetjen: «A jeni penduar për mëkatet tuaja dhe a i jeni kushtuar Jehovait për të bërë vullnetin e tij?» Sinqeriteti e përkushtimi i Leslit dhe i të tjerëve, u dukën qartë kur u përgjigjën me gjithë zemër: «Po!»U preka sidomos kur mendova për përvojën e Leslit. Për dekada nuk kishte pranuar të studionte Biblën. Njëherë, ai bashkë me gruan vizituan një ishull tjetër. Gjatë kohës që ishin atje, vendosën që secili të ndiqte fenë e vet. «Ti shko te kisha jote unë tek imja»,—i kishte thënë Lesli Dafnës.
Lesli e çoi Dafnën me makinë në Sallën e Mbretërisë dhe vetë shkoi në kishën anglikane në po atë lagje. Kur mbaruan shërbesat fetare, Lesli u kthye në Sallën e Mbretërisë të merrte gruan. Atje u rrethua nga njerëz të sjellshëm e miqësorë, të cilët e mirëpritën ngrohtësisht, ndonëse nuk e kishin takuar më parë. Kjo e preku Leslin. Në kishën e tij askush nuk i tha gjysmë fjale. «Nuk do të shkoj më në atë kishë,—i tha ai Dafnës.—Askush nuk më përfilli, madje as prifti. Askush s’më përshëndeti. Siç hyra, dola.» Por kur doli prej andej, Lesli iku njëherë e mirë.
Pas kësaj, ai filloi të studionte seriozisht Fjalën e Perëndisë. Dhe tani ishte gati të pagëzohej. Kandidatët shkuan për t’u pagëzuar në det, kurse ne i shihnim nga aty pranë. Me oqeanin kaq afër, nuk ishte e nevojshme të ngrinim pishina për pagëzimin, siç bëhet zakonisht në kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait. Këtu vetëm sa kaluam rrugën.
Plazhi mahnitës i Grand-Ansit ka një shtrirje prej tre kilometrash me rërë të bardhë dhe uji është i ngrohtë e i kaltër gjatë gjithë vitit. Turistët u çuditën kur panë grupin tonë tek vinte në plazh, burrat me këmisha e kollare dhe gratë me fustane e funde. Lesli ishte ndërruar dhe kishte veshur bluzë dhe pantallona të shkurtra. Imagjinoni si u ndie Dafna tek shihte burrin t’i pagëzohej rreth 50 vjet pas pagëzimit të saj. Dielli i mesditës shndriste, e po kështu edhe buzëqeshja e saj. Edhe turistët u gëzuan me këtë rast. Ata duartrokitnin bashkë me ne pas çdo pagëzimi.
Me qiellin blu, rërën e bardhë dhe dallgët e lehta, ky plazh tashmë i jep lavdi Krijuesit të vet. Por i dha edhe më shumë lavdi Atij kur tre të sapopagëzuarit dolën nga uji. Kjo na i ngrohu zemrat më shumë sesa dielli. Ishte vërtet ditë e veçantë. Por ishte dita më e bukur, sidomos për Leslin dhe Dafnën.