Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ruhu nga mashtrimi

Ruhu nga mashtrimi

Ruhu nga mashtrimi

DON KISHOTI është një personazh shumë i njohur, i krijuar rreth shekullit të 16-të nga autori spanjoll Migel de Servantes në romanin e tij të famshëm me po këtë emër. Në këtë roman, Don Kishoti e mbush mendjen me legjenda dhe fabula rreth kalorësve trima me armatura vezulluese, që shkojnë për të shpëtuar zonjusha në rrezik. Shumë shpejt fillon të besojë se edhe ai është një kalorës fisnik. Në një episod të famshëm, sulmon disa mullinj me erë, që i duken si një bandë e rrezikshme gjigantësh. Me mendjen top se duke vrarë ata gjigantë po u shërben interesave të Perëndisë, përfundon në poshtërim të plotë.

Patjetër që Don Kishoti është vetëm trillim, por zor se do të qeshnim po të na mashtronin. Për shembull, një i alkoolizuar mendon se mund të pijë sa të dojë, por vetëm sa shkatërron shëndetin dhe jetën familjare. Ose mendo për një vajzë të mjerë që vuan nga anoreksia, e cila mendon se ushqehet mirë dhe se është e shëndetshme, por që gradualisht po vdes urie.

A mund të bjerë secili prej nesh në kurthin e mashtrimit? Mjerisht po. Ç’është e vërteta të gjithë rrezikojmë. Mund të mashtrohemi edhe për sa u përket bindjeve fetare që i kemi për zemër, e ky mashtrim mund të ketë pasoja të rënda. Pse është kështu? Si të ruhesh nga mashtrimi?

Rreziqet e mashtrimit

Sipas një fjalori, të mashtrosh do të thotë «të bësh që të pranohet si e vërtetë ose e vlefshme atë që është e rreme ose e pavlefshme». Gjithashtu mashtrimi nënkupton «të ngulitësh një besim a ide të rreme që sjell padije, pështjellim ose çoroditje». Ideja kryesore e fjalës mashtroj, si dhe e fjalëve «shtrembëroj» dhe «gënjej», është të çosh në rrugë të shtrembër dikë duke përdorur dredhi. Patjetër, një individ që nuk e kupton se ndodhet në një gjendje padijeje, pështjellimi ose çoroditjeje ngaqë e kanë keqinformuar qëllimisht, rrezikon seriozisht.

Ajo që të trishton vërtet është se shpesh ai që mashtrohet ose gënjehet, përpiqet t’i mbrojë bindjet e veta, edhe pse ekzistojnë prova të forta që vërtetojnë të kundërtën. Mbase individë të tillë lidhen kaq shumë emocionalisht me bindjet e tyre, sa i mbyllin sytë dhe veshët përballë çdo prove që mund t’ua lëkundë bindjet.

A jemi në rrezik?

«A nuk është e ekzagjeruar të thuash se të gjithë ne rrezikojmë të mashtrohemi për sa u përket bindjeve tona fetare?»—mund të pyesësh. Jo, nuk është. Themi kështu sepse Satana Djalli, të cilin Jezui e quajti «ati i gënjeshtrës», është i vendosur të na mashtrojë të gjithëve. (Gjoni 8:44) Ai përshkruhet në Bibël edhe si «perëndia i kësaj bote». Satanai «ua ka verbuar mendjen» miliona vetave gjatë historisë. (2 Korintasve 4:4) Edhe sot po «mashtron gjithë tokën e banuar».—Zbulesa 12:9.

Satanai filloi ta mashtronte njerëzimin që në fillim të historisë njerëzore. Për shembull, mashtroi Evën duke e bërë të besonte se nuk kishte pse t’u bindej ligjeve të Krijuesit të saj dhe se mund të ‘ishte si Perëndi, e të njihte të mirën e të keqen’, domethënë, të vendoste vetë çfarë ishte e mirë dhe e keqe. (Zanafilla 3:1-5) Ky ishte mashtrimi i parë i madh, ngaqë, edhe pse iu dha liria për të zgjedhur çfarë të bënin, njerëzit nuk u krijuan me aftësinë për t’i vendosur vetë normat për atë që është e drejtë dhe e gabuar. Si Krijues e Sovran, këtë të drejtë dhe autoritet e ka vetëm Perëndia. (Jeremia 10:23; Zbulesa 4:11) Çfarë mashtrimi është të besosh se të kesh të drejtën të zgjedhësh midis së mirës dhe së keqes do të thotë të kesh të drejtën të vendosësh çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe! Mjerisht, ky është një kurth ku ne njerëzit e papërsosur biem kollaj.

Po ti a mund të mashtrohesh?

Bindjet fetare që ke për zemër mund të kenë ekzistuar prej shekujsh e ndoshta janë trashëguar brez pas brezi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ato janë medoemos të vërteta. Pse jo? Sepse Bibla tregon që fill pas vdekjes së apostujve të Krishtit në gjirin e kongregacionit të krishterë u ngritën njerëz mashtrues që mësonin «gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt». (Veprat 20:29, 30) Me shumë mjeshtëri ata i mashtruan njerëzit «me argumente mbushamendëse» dhe me ‘filozofi e mashtrime boshe, sipas traditës së njerëzve’.—Kolosianëve 2:4, 8.

A janë ndryshe gjërat sot? Jo nuk janë, pasi apostulli Pavël paralajmëroi se gjërat do të keqësoheshin në «ditët e fundit», kohën që po jetojmë tani. Ai shkroi: «Njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke mashtruar e duke u mashtruar edhe vetë.»—2 Timoteut 3:1, 13.

Kështu është e mençur ta marrim seriozisht paralajmërimin e apostullit Pavël: «Prandaj, ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.» (1 Korintasve 10:12) Natyrisht, Pavli po fliste për qëndrimin që duhet të kemi para Perëndisë. Në fakt, vetë mendimi se Satanai nuk do të të mashtrojë kurrë, është një mashtrim i madh. Nuk ka asnjë që të jetë i imunizuar ndaj «intrigave të Djallit». (Efesianëve 6:11) Ja pse apostulli shprehu merakun për të bashkëkrishterët ‘se mos, ashtu si gjarpri joshi Evën me dinakërinë e tij, edhe mendjet e tyre korruptoheshin në ndonjë mënyrë dhe largoheshin nga çiltërsia dhe dëlirësia që i takojnë Krishtit’.—2 Korintasve 11:3.

Si të ruhesh nga mashtrimi?

Atëherë, si të mos mashtrohesh nga Satanai? Si të sigurohesh se po ‘adhuron [Perëndinë] me frymë dhe të vërtetë’? (Gjoni 4:24) Përdor ato që të ka dhënë Perëndia Jehova. Pikësëpari të ka dhënë «aftësi intelektuale» që të dallosh të vërtetën nga gënjeshtrat. (1 Gjonit 5:20) Gjithashtu ta ka bërë të mundur t’i dallosh intrigat e Satanait. (2 Korintasve 2:11) Ç’është e vërteta, të ka dhënë gjithçka që të duhet për të mos lejuar që përpjekjet e Satanait të të mashtrojnë.—Proverbat 3:1-6; Efesianëve 6:10-18.

Mbi të gjitha, Perëndia të ka siguruar një mjet të pagabueshëm për t’u mbrojtur. Çfarë mjeti? Të njëjtin mjet tek i cili apostulli Pavël e nxiti shokun e tij, Timoteun, të mbështetej kur të vinte puna te besimi fetar. Pasi e paralajmëroi për «njerëzit e ligj dhe mashtrues», ai i tha Timoteut t’u bënte ballë atyre duke e bazuar çdo gjë që besonte te «shkrimet e shenjta», domethënë te Fjala e shenjtë e Perëndisë, Bibla.—2 Timoteut 3:15.

Sigurisht disa mund të thonë se ata që besojnë te Perëndia dhe e pranojnë Biblën si Fjalën e tij të frymëzuar, mashtrohen. Por në të vërtetë, ata që po mashtrohen janë njerëzit që me kokëfortësi shpërfillin të gjitha provat që dëshmojnë se ekziston një Krijues dhe se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. *Romakëve 1:18-25; 2 Timoteut 3:16, 17; 2 Pjetrit 1:19-21.

Në vend që të mashtrohesh nga ajo që «në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’», përdor Fjalën e Perëndisë për të gjetur të vërtetën. (1 Timoteut 6:20, 21) Ji si burrat e gratë me mendje fisnike, të cilëve u predikoi apostulli Pavël në Bere. Ata «e pranuan fjalën me etje të madhe». Jo vetëm e besuan sinqerisht atë që u mësoi apostulli Pavël, por «çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu».—Veprat 17:11.

Mos ki frikë t’i shqyrtosh bindjet e tua në këtë mënyrë. Në fakt, Bibla të inkurajon të ‘sigurohesh për të gjitha gjërat’ para se t’i pranosh si të vërteta. (1 Selanikasve 5:21) Nga fundi i shekullit të parë të e.s., apostulli Gjon i nxiti të bashkëkrishterët: «Të dashur, mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar, por vërini në provë ato për të parë nëse vijnë nga Perëndia.» (1 Gjonit 4:1) Po, edhe nëse një mësim fetar të duket se është ‘i frymëzuar’ ose se vjen nga Perëndia, prapë është e mençur që, para se ta pranosh si të vërtetë, të shqyrtosh Shkrimet që të sigurohesh.—Gjoni 8:31, 32.

Vepro sipas asaj që mëson

Megjithatë kërkohet diçka më shumë se më sipër. Dishepulli Jakov shkroi: «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë veten me arsyetime të rreme.» (Jakovi 1:22) Nuk mjafton vetëm të dish çfarë mëson Bibla. Duhet edhe ta zbatosh. Si? Duke zbatuar urdhërimet e Perëndisë e duke mos bërë gjërat që ai i ndalon. Për shembull, mendo për rënien e vlerave morale përreth. A nuk të tregon kjo se sa i suksesshëm ka qenë Satanai për të mashtruar njerëzit që të mendojnë se mund t’i shkelin ligjet morale të Perëndisë pa pasoja? Prandaj apostulli Pavël i paralajmëroi hapur të krishterët: «Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë. Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—Galatasve 6:7.

Mos ji si ‘njeriu mendjelehtë’ për të cilin Jezui tha se ia «dëgjon» fjalët, por nuk «i zbaton». Ashtu si Don Kishoti i Servantesit që u mashtrua nga imagjinata e vet, njeriu për të cilin po fliste Jezui ishte mashtruar ngaqë mendonte se mund të ndërtonte një shtëpi të qëndrueshme e të sigurt në një themel të paqëndrueshëm e të pasigurt rëre. Përkundrazi, ji si njeriu që «e ndërtoi shtëpinë e vet në shkëmb». Jezui e quajti këtë njeri ‘të matur’, sepse ia dëgjon fjalët dhe «i zbaton».—Mateu 7:24-27.

[Shënimi]

^ par. 18 Për më shumë hollësi, shih librat A ka një Krijues që interesohet për ju? dhe Bibla​—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve? të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqet 12, 13]

Pamja të mashtron

Në vitet 30 të shekullit të njëzetë, artisti suedez Oskar Rojtersvardi vizatoi dhe bëri publike një seri me vizatime që më vonë u quajtën figura të pamundura ose iluzione optike. Një shembull i kohëve të fundit tregohet në këtë faqe, majtas. Kur i sheh kalimthi, duket sikur këto vizatime të bëjnë të besosh atë që kundërshton qartë logjikën e shëndoshë. Por, po t’i shikojmë me kujdes, këto figura janë marifete të shpikura nga artisti që t’ia ngatërrojë apo mashtrojë vëzhguesit syrin dhe mendjen.

Figurat e pamundura nuk janë të vetmet që duken ndryshe nga ç’janë vërtet. Rreth dy mijë vjet më parë, Bibla paralajmëroi: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit.»​—Kolosianëve 2:8.

Ajo që u jep peshë fjalëve të mësipërme është fakti se vetë shkrimtari kishte qenë viktimë e mashtrimit. Nuk ta merrte mendja kurrë që ky njeri të mashtrohej kollaj, pasi ishte arsimuar në këmbët e njërit prej mësuesve fetarë më të shquar të kohës së tij e njihte njerëz me pozitë.​—Veprat 22:3.

Këtij njeriu, Saulit nga Tarsi, ia kishin mbushur mendjen se të gjithë ata që nuk ndiqnin traditat dhe zakonet e tij fetare, ishin të dënuar. Me autoritetin që i kishin dhënë udhëheqësit fetarë judenj, ai e konsideronte detyrë nga Perëndia të përndiqte të gjithë ata që refuzonin të mohonin besimin e krishterë. Madje mbështeti vrasjen e një bashkëkombësi me akuzën e rreme për blasfemi.​—Veprat 22:4, 5, 20.

Me kalimin e kohës, Saulin e ndihmuan të dallonte të drejtën nga e gabuara, çfarë miraton dhe çfarë nuk miraton Perëndia. Sapo kuptoi se e kishte gabim, ky njeri i zellshëm ndryshoi rrugë dhe u bë i njohur si Pavli, apostull i Jezu Krishtit. I çliruar nga mashtrimi, Pavli gjeti mënyrën e duhur të adhurimit.​—Veprat 22:6-16; Romakëve 1:1.

Si Pavli, shumë njerëz të sinqertë dikur kanë qenë të mashtruar nga mësime që mund të krahasohen me figurat e pamundura, domethënë, nga bindje që duken të besueshme, por që nuk bazohen në Fjalën e Perëndisë. (Proverbat 14:12; Romakëve 10:2, 3) Më vonë janë ndihmuar t’i shohin bindjet dhe frytet e fesë së tyre siç janë në të vërtetë. (Mateu 7:15-20) Ndërsa merrnin njohurinë e saktë të Biblës, bënë ndryshime në bindjet fetare dhe në mënyrën e jetesës që të kishin miratimin e Perëndisë.

A do të ishe i gatshëm të ndiqje shembullin e apostullit Pavël dhe të shqyrtoje bindjet e tua në dritën e Fjalës së Perëndisë, Biblës? Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmonin me kënaqësi.

[Burimi i figurës në faqen 10]

Gravurë nga Doré