Bisedë me një të interesuar—Çfarë është fryma e shenjtë?
Bisedë me një të interesuar—Çfarë është fryma e shenjtë?
DËSHMITARËT E JEHOVAIT kënaqen kur flasin për Biblën me të tjerët. A keni ndonjë pyetje biblike dhe dëshironi të merrni përgjigje? A jeni kureshtar për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të flitni për këto herën tjetër që do të takoni një Dëshmitar. Ai ose ajo do të bisedojë me kënaqësi për këto çështje.
Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitar bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitar që quhet Sajmir ka shkuar të predikojë në shtëpinë e një burri me emrin Bujar.
Çfarë kuptoni me shprehjen «shpirti i shenjtë»?
Bujari: Kam dëgjuar se Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të krishterë. Ju nuk besoni te shpirti i shenjtë.
Sajmiri: Së pari, ju siguroj se jemi të krishterë. Besimi te Jezu Krishti më solli në shtëpinë tuaj këtë mëngjes. Në fund të fundit, është ai që i urdhëron dishepujt të predikojnë. Por, a mund t’ju pyes se çfarëkuptoni me «shpirti i shenjtë»?
Bujari: Sipas meje është fryma e shenjtë, personi i tretë i Trinitetit, ndihmësi që Jezui premtoi të na dërgonte. Ky ndihmës është shumë i rëndësishëm për mua. Dua ta ndjej praninë e frymës së shenjtë në jetën time.
Sajmiri: Kështu e kuptojnë shumë veta frymën e shenjtë. Para ca kohësh, pata mundësi të shihja se ç’thotë Bibla për këtë temë. Nëse keni pak minuta, do të më pëlqente t’ju tregoja çfarë kam mësuar.
Bujari: Po, kam pak minuta.
Sajmiri: Meqë ra fjala, unë jam Sajmiri. Po ju?
Bujari: Unë quhem Bujar. Gëzohem!
Sajmiri: Gjithashtu! Që të mos ju mbaj gjatë, do të përqendrohem vetëm te një aspekt i kësaj teme. Ju përmendët se fryma e shenjtë është ndihmësi që na premtoi Jezui. Jam dakord me këtë. Por, a mendoni se fryma e shenjtë është një person dhe i barabartë me Perëndinë?
Bujari: Po, kështu më kanë mësuar.
A është person fryma e shenjtë?
Sajmiri: Le të shohim një fragment biblik që do të na ndihmojë të kuptojmë nëse fryma e shenjtë është person apo jo. Ndoshta i njihni këto vargje. Te Veprat 2:1-4 lexojmë: «Tani, gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë, ata ishin të gjithë së bashku në të njëjtin vend. Befas nga qielli u dëgjua një zhurmë si ajo e një ere të furishme, dhe mbushi gjithë shtëpinë ku po rrinin. Atyre iu shfaqën gjuhë si prej zjarri, të cilat u shpërndanë e qëndruan mbi secilin prej tyre. Atëherë të gjithë u mbushën me frymë të shenjtë dhe nisën të flitnin në gjuhë të ndryshme, ashtu si fryma i bënte të shpreheshin.»
Bujari: Po, po, e njoh këtë tregim.
Sajmiri: Bujar, a mund të mbushet një person me një person tjetër?
Bujari: Natyrisht që jo.
Sajmiri: Le të lexojmë pak më tej në të njëjtin kapitull, në vargun 17. Pjesa e parë e vargut thotë: «Në ditët e fundit,—thotë Perëndia,—do të derdh ca nga fryma ime mbi çdo lloj njeriu.» Më lejoni t’ju pyes, a është e logjikshme që Perëndia të derdhë një pjesë të një Perëndie të barabartë?
Bujari: Do të thosha sërish jo.
Sajmiri: Gjon Pagëzori e përshkroi ndryshe mbushjen me frymë të shenjtë. Këtë e gjejmë te Mateu 3:11. Ju lutem, a mund ta lexoni këtë shkrim?
Bujari: «Unë ju pagëzoj me ujë, për shkak të pendimit tuaj, por ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as t’i heq sandalet. Ai do t’ju pagëzojë me frymë të shenjtë dhe me zjarr.»
Sajmiri: Faleminderit! A e vutë re çfarë tha Gjon Pagëzori se do të bëhej me frymën e shenjtë?
Bujari: Ai foli për pagëzimin me frymë të shenjtë.
Sajmiri: Tamam. Vini re se ai përmendi edhe pagëzimin me zjarr. Dihet që zjarri nuk është person. Sipas jush, ky varg po thotë që fryma e shenjtë është një person?
Bujari: Jo.
Sajmiri: Pra, sipas shkrimeve që kemi parë, fryma e shenjtë nuk është person.
Bujari: Duket se jo.
Në ç’kuptim është ‘ndihmës’?
Sajmiri: Megjithatë, më parë ju përmendët fjalën «ndihmësi». Jezui iu referua frymës së shenjtë me këtë emër te Gjoni 14:26. Le ta lexojmë bashkë: «Ndihmësi, fryma e shenjtë, të cilën Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë gjithçka dhe do t’ju sjellë ndër mend të gjitha gjërat që ju thashë.» Disa mendojnë se ky shkrim duket sikur mbështet idenë se fryma e shenjtë është person, dikush që do të ndihmonte e do të mësonte.
Bujari: Pikërisht, kështu e kam ditur gjithmonë.
Sajmiri: Por, a ka të ngjarë që Jezui të përdorte një figurë letrare? Për shembull, të shohim si u shpreh Jezui për mençurinë te Luka 7:35: «Gjithsesi, mençuria del e drejtë me anë të të gjithë fëmijëve të saj.» A do të thotë kjo se mençuria është person, se ka vërtet fëmijë?
Bujari: Jo. Kjo kuptohet që është figurë letrare.
Sajmiri: Jam dakord. Jezui donte të thoshte se mençuria duket nga rezultatet. Bibla përdor shpesh një figurë letrare që quhet personifikim, domethënë flet për diçka si të ishte njeri. Edhe ne i përdorim shpesh figura të tilla në bisedat tona. Për shembull, a nuk do të thoshim natyrshëm këtë mëngjes të bukur: «Hapi perdet që të hyjë dielli.»
Bujari: Po. Do ta thoshim.
Sajmiri: A do të thotë kjo se dielli është një person që hyn si mysafir në shtëpinë tuaj?
Bujari: Ta pret mendja që jo. Është gjuhë e figurshme.
Sajmiri: Pra, kur Jezui foli për frymën e shenjtë si ndihmës apo mësues, a mund të ketë përdorur gjuhë të figurshme?
Bujari: Mendoj se po. Kjo përputhet edhe me shkrimet që sapo lexuat se fryma do të
derdhej mbi njerëzit dhe ata pagëzohen me të. Por, nëse fryma e shenjtë nuk është person, çfarë është?Çfarë është fryma e shenjtë?
Sajmiri: Te Veprat 1:8, Jezui na tregon se çfarë është fryma e shenjtë. A mund ta lexoni?
Bujari: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.»
Sajmiri: Vini re se Jezui e lidhi frymën e shenjtë me fuqinë. E nëse kujtoni nga vargjet e mëparshme, nga vjen kjo fuqi?
Bujari: Nga Perëndia, Ati.
Sajmiri: Ashtu është. Fryma e shenjtë është e njëjta forcë që Perëndia përdori për krijimin e universit. Vargu i dytë i Biblës flet për të. Zanafilla 1:2 thotë: «Forca vepruese e Perëndisë endej andej-këtej mbi sipërfaqen e ujërave.» Fjala hebraike që këtu është përkthyer «forca vepruese» është përkthyer edhe «frymë». Pikërisht këtë forcë vepruese të padukshme Perëndia e përdor për të përmbushur qëllimin dhe për të zbuluar vullnetin e tij. Le të shohim edhe një shkrim të fundit. Është Luka 11:13. A mund ta lexoni, ju lutem?
Bujari: «Kështu pra, nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, aq më shumë Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!»
Sajmiri: Nëse Ati në qiell ka nën kontroll frymën e shenjtë dhe ua jep atyre që ia kërkojnë, a mund të jetë ajo e barabartë me Atin?
Bujari: Jo. Tani e kuptoj ku do të dalësh.
Sajmiri: Nuk dua t’ju mbaj më Bujar. Më thatë se kishit vetëm pak minuta. Por le ta mbyllim bisedën me një pyetje. Sipas asaj që pamë në shkrime, çfarë mendoni se është fryma e shenjtë?
Bujari: Është forca vepruese e Perëndisë.
Sajmiri: Mirë e the. Edhe te Gjoni 14:26, kur Jezui foli për frymën e shenjtë si ndihmës a mësues, po përdorte një figurë letrare që quhet personifikim.
Bujari: Nuk e dija këtë.
Sajmiri: Ka diçka që na jep shumë siguri te fjalët e Jezuit.
Bujari: Çfarë?
Sajmiri: Po t’ia kërkojmë Perëndisë frymën e shenjtë në rrethana të vështira ai do të na ndihmojë. Gjithashtu mund t’ia kërkojmë këtë frymë që të na ndihmojë të mësojmë të vërtetën për të.
Bujari: Interesante! Duhet të mendohem për këtë.
Sajmiri: Para se të iki, doja t’ju lija diçka tjetër për të menduar. Meqë fryma e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë, jemi dakord që mund ta përdorë atë për të përmbushur çdo gjë që dëshiron.
Bujari: Patjetër.
Sajmiri: Atëherë pse nuk e ka përdorur këtë fuqi të pakufishme për t’i dhënë fund mjerimit dhe ligësisë që shohim në botën përreth nesh? Keni menduar ndonjëherë për këtë? *
Bujari: Të them të drejtën, po.
Sajmiri: Si thoni të kthehem javën tjetër në të njëjtën kohë dhe të flasim për këtë?
Bujari: Do të më pëlqente shumë. Mirë se të vish!
[Shënimi]
^ par. 59 Për më shumë informacion, shih kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.