Pse të lutemi?
LUTJA. Pak tema biblike ngjallin kaq shumë interes dhe kureshtje. Shiko shtatë pyetje të shpeshta rreth lutjes dhe pastaj le t’i shqyrtojmë së bashku përgjigjet që na jep Bibla. Këta artikuj kanë si qëllim të të ndihmojnë të lutesh, domethënë, të fillosh të lutesh ose t’i bësh ato më të efektshme.
PËRRETH botës, në çdo kulturë dhe fe njerëzit luten. Luten kur janë vetëm ose në grup. Luten në kisha, në tempuj, në sinagoga, në xhami dhe në faltore. Ata mund të përdorin sixhade lutjesh, rruzare, rrota lutjesh, ikona, libra lutjesh ose lutje të shkruara në pllakëza të cilat i varin në stenda.
Lutja i veçon njerëzit nga të gjitha format e tjera të jetës në tokë. Është e vërtetë se kemi shumë të përbashkëta me kafshët. Si ata, kemi nevojë për ushqim, ajër dhe ujë. Edhe ne lindim, jetojmë dhe vdesim. (Eklisiastiu 3:19) Por vetëm njerëzit luten. Pse?
Ndoshta përgjigjja më e thjeshtë është se kemi nevojë të lutemi. Në fund të fundit, lutja zakonisht shihet si një mënyrë që njerëzit të kontaktojnë me botën frymore, me diçka që e konsiderojnë të shenjtë dhe të përjetshme. Bibla tregon se ne jemi krijuar me dëshirën për gjëra të tilla. (Eklisiastiu 3:11) Njëherë Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»—Mateu 5:3.
Si mund të shpjegohen ndryshe gjithë ato ndërtesa madhështore e objekte fetare dhe gjithë ato orë të panumërta lutjesh, po të mos ekzistonte ‘nevoja për të mësuar për Perëndinë’? Sigurisht, disa njerëz përpiqen ta plotësojnë vetë ose me ndihmën e të tjerëve nevojën për të mësuar për Perëndinë. Gjithsesi, a nuk të duket se njerëzit janë tepër të kufizuar që të japin ndihmën e duhur? Ne jemi shumë të brishtë, jetëshkurtër dhe dritëshkurtër. Vetëm dikush shumë më i mençur, më i fuqishëm dhe më jetëgjatë se ne, mund të na japë atë që kemi nevojë. Çfarë është saktësisht nevoja për të mësuar për Perëndinë, nevoja që na shtyn të lutemi?
Mendo pak: a të ka ndodhur të dëshirosh me zjarr drejtim, mençuri ose përgjigje për pyetjet që duket se shkojnë përtej njohurisë njerëzore? A ke pasur ndonjëherë nevojë për ngushëllim kur të ka vdekur dikush, për drejtim kur ishe para një vendimi të vështirë ose për falje kur ishe i dërrmuar nga faji?
Sipas Biblës, të gjitha këto janë arsye të vlefshme për t’u lutur. Bibla është libri më i besueshëm për këtë temë dhe përmban shumë lutje të burrave e grave besnike. Ata u lutën për ngushëllim, për drejtim, për falje dhe për të marrë përgjigje për pyetjet më të vështira.—Psalmi 23:3; 71:21; Danieli 9:4, 5, 19; Habakuku 1:3.
Lutje të tilla, edhe pse të ndryshme, kishin diçka të përbashkët. Secili prej atyre që u lutën, mbante parasysh një faktor kyç që lutjet t’i dëgjoheshin, i cili shpesh është shpërfillur dhe venitur në botën e sotme. Ata e dinin kujt duhej t’ia drejtonin lutjet.