Si të lutemi?
KUR bëhet fjalë për lutjen, shumë tradita fetare përqendrohen në aspekte të jashtme të tilla, si: pozicioni kur lutemi, fjalët që themi dhe ritet që ndjekim. Megjithatë, Bibla na ndihmon të mos përqendrohemi në aspektet e jashtme, por në aspekte më të rëndësishme të pyetjes: «Si duhet të lutemi?»
Bibla përshkruan shërbëtorë besnikë të Perëndisë tek luteshin në shumë vende dhe pozicione. Ata u lutën në heshtje ose me zë të lartë, sipas rrethanave. U lutën me sytë drejt qiellit ose të përkulur. Në vend që të përdornin shëmbëlltyra, rruzare ose libra lutjesh si ndihmë, ata u lutën me fjalë që u buronin nga zemra. Pse ua dëgjoi Perëndia lutjet?
Siç u përmend në artikullin e mëparshëm, ata ia drejtuan lutjet vetëm një Perëndie: Jehovait. Ka edhe një faktor tjetër të rëndësishëm. Te 1 Gjonit 5:14 lexojmë: «Kjo është siguria që kemi tek ai: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» Lutjet tona duhet të jenë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Çfarë do të thotë kjo?
Për t’u lutur në harmoni me vullnetin e Perëndisë, duhet ta njohim vullnetin e tij. Kështu, studimi i Biblës është thelbësor për lutjen. A do të thotë kjo se Perëndia nuk do të na i dëgjojë lutjet po të mos jemi studiues të thellë të Biblës? Jo, por Perëndia pret që ne të mësojmë për vullnetin e tij, të përpiqemi ta kuptojmë dhe të veprojmë në përputhje me të. (Mateu 7:21-23) Duhet të lutemi në harmoni me atë që mësojmë.
Lutjet që Perëndia i dëgjon, janë në harmoni me vullnetin e tij, bëhen me besim dhe në emër të Jezuit
Ndërsa mësojmë për Jehovain dhe vullnetin e tij, rritemi në besim: faktor tjetër jetësor për lutjet. Jezui tha: «Gjithçka që kërkoni në lutje, po të keni besim, do ta merrni.» (Mateu 21:22) Besimi nuk nënkupton të jemi naivë. Por nënkupton të besojmë në diçka që, megjithëse nuk shihet, mbështetet nga shumë dëshmi të forta. (Hebrenjve 11:1) Bibla është plot me dëshmi që Jehovai, edhe pse nuk e shohim, është real, i besueshëm dhe i gatshëm t’u përgjigjet lutjeve të atyre që kanë besim tek ai. Për më tepër, mund të lutemi kurdoherë për më shumë besim, sepse Jehovai ka dëshirë të zjarrtë të na japë atë që na nevojitet.—Luka 17:5; Jakovi 1:17.
Ja edhe një aspekt tjetër thelbësor për mënyrën se si të lutemi. Jezui tha: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Pra, Jezui është mjeti me anë të të cilit mund t’i afrohemi Atit, Jehovait. Ja pse Jezui u tha dishepujve të luten në emër të tij. (Gjoni 14:13; 15:16) Kjo nuk do të thotë se duhet t’i lutemi Jezuit. Por lutemi në emër të Jezuit, duke mbajtur në mendje se vetëm falë tij mund t’i afrohemi Atit tonë të shenjtë e të përsosur.
Njëherë, dishepujt më të ngushtë të Jezuit e pyetën: «Zotëri, na mëso si të lutemi.» (Luka 11:1) Me sa duket, nuk po pyetnin për çështje themelore, siç i trajtuam më lart. Në të vërtetë donin të dinin përmbajtjen e lutjeve, me fjalë të tjera: «Për çfarë të lutemi?»