A duhet të bëj pjesë në një grup fetar?
Lexuesit pyesin . . .
A duhet të bëj pjesë në një grup fetar?
▪ A tregohesh i kujdesshëm kur bëhet fjalë t’i bashkohesh një grupi fetar, ngaqë je tronditur nga hipokrizia dhe përçarja mes atyre që shkojnë në kisha, madje edhe mes klerikëve? Nëse po, një proverb francez mund t’i përmbledhë fare mirë ndjenjat e tua: «Ai që është afër kishës, shpesh është larg Perëndisë.»
Ndoshta ke respekt për Biblën dhe mendon se qeveritë dhe individët duhet ta respektojnë të drejtën e dikujt që të jetë pjesë e një grupi fetar. Por, ndoshta të lind pyetja: «A thotë vërtet Perëndia se ata që duan ta adhurojnë në mënyrë të pranueshme duhet t’i përkasin një feje të organizuar?»
E thënë shkurt, po. Pse jemi kaq të sigurt? Dhe, a janë të pranueshme të gjitha organizatat fetare?
Shqyrtoni shembullin e Jezuit. A i përkiste ndonjë feje të organizuar? Kur ishte fëmijë, Jezui shkonte me familjen e tij judeje dhe me të tjerët që e kishin zakon të shkonin në tempullin e Jerusalemit që të merrnin pjesë në adhurimin e organizuar. (Luka 2:41-43) Si i rritur, Jezui shkonte me judenjtë e tjerë të adhuronin Perëndinë në sinagogën vendëse. (Luka 4:14-16) Një gruaje që kishte një tjetër kulturë fetare, Jezui i tha: «Ne adhurojmë atë që e njohim.» (Gjoni 4:22) Këtu ai tregoi qartë se i përkiste formës judaike të fesë.
Më vonë, ngaqë judenjtë si komb e hodhën poshtë Jezuin, ai tha se Perëndia do ta hidhte poshtë formën e tyre të korruptuar të adhurimit. (Mateu 23:33–24:2) Gjithsesi, ai tregoi se ata që duan ta adhurojnë Perëndinë në mënyrë të pranueshme, duhet t’i përkasin një grupi të organizuar. Jezui u tha dishepujve: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Një dishepull i Krishtit që nuk shoqërohej me bashkëbesimtarët, zor se do t’u tregonte dashuri atyre. Në fakt, Jezui tha qartë se ka vetëm dy rrugë fetare. Njërën e përshkroi si ‘të gjerë dhe të hapët’ që çon «në shkatërrim». Në kontrast me këtë, tha: «E ngushtë është porta dhe e kufizuar rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.»—Mateu 7:13, 14.
Pra, është e qartë se jo të gjitha rrugët fetare janë të pranueshme. Bibla paralajmëron të mos jemi pjesë e atyre njerëzve që «duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij». Shkrimi vazhdon: «Nga këta largohu.» (2 Timoteut 3:5) Nga ana tjetër, nxjerrim shumë dobi kur i identifikojmë dhe shoqërohemi me ata që janë në rrugën që të çon në jetë. Inkurajohemi dhe marrim mbështetje tani dhe një shpresë të shkëlqyer për të ardhmen.—Hebrenjve 10:24, 25.
Si mund ta përcaktosh cili grup fetar është në rrugën e ngushtë? Pse të mos shqyrtosh përgjigjet e bazuara në Bibël, te kapitulli 15 i librit Çfarë mëson vërtet Bibla? * Ky material do të të ndihmojë të zgjedhësh sipas asaj që thotë vërtet Bibla se në cilën organizatë fetare duhet të bësh pjesë.
[Shënimi]
^ par. 9 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.