Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Cilës gjë po i referohej apostulli Pavël kur tha se mbante në trupin e tij «shenjat e damkës së një skllavi të Jezuit»?​—Galatasve 6:17.

Fjalët e Pavlit mund t’i kenë kuptuar në mënyra të ndryshme dëgjuesit e tij në shekullin e parë. Për shembull, në kohët e lashta, një hekur i skuqur përdorej për të identifikuar të burgosurit e luftës, plaçkitësit e tempujve dhe skllevërit e arratisur. Njerëzit e konsideronin si çnderim të kishin një shenjë damke.

Sidoqoftë, shenjat e damkës nuk shiheshin gjithmonë si diçka çnderuese. Shumë popuj të lashtë i përdornin për të treguar se i përkitnin një fisi ose një feje të caktuar. Për shembull, sipas Fjalorit teologjik të Besëlidhjes së Re (anglisht) «sirianët u kushtoheshin perëndive Hadad dhe Atargatidë me anë të shenjave të damkosura në kyçet e dorës ose në qafë . . . Adhuruesve të Dionisit u damkosej një gjethe e bimës së urthit».

Shumë komentues të ditëve tona mendojnë se Pavli po fliste për vragat që mori në raste të ndryshme të abuzimit fizik gjatë aktivitetit të krishterë si misionar. (2 Korintasve 11:23-27) Gjithsesi, ndoshta Pavli donte të thoshte se mënyra e tij e jetesës e identifikonte si të krishterë e jo ndonjë damkë e mirëfilltë.

A bëheshin strehë për kriminelët qytetet e strehimit në Izraelin e lashtë?

Në botën e lashtë pagane, shumë tempuj shërbenin si strehë për të arratisurit ose kriminelët. Në krishterimin e mesjetës, manastiret dhe kishat nganjëherë strehonin kriminelët. Megjithatë, rregullat që ekzistonin në qytetet e strehimit të Izraelit të lashtë, garantonin se ato nuk bëheshin strehë për kriminelët.

Ligji i Moisiut thoshte se qytetet e strehimit mbronin vetëm atë që vriste pa dashje. (Ligji i përtërirë 19:4, 5) Ai mund t’ia mbathte për te qyteti më i afërt i strehimit, larg të afërmit mashkull më të ngushtë të viktimës, i cili përndryshe, do të hakmerrej për gjakun e derdhur. Pasi ia paraqiste rastin pleqve të qytetit, i arratisuri dërgohej për t’u gjykuar në qytetin që kishte në juridiksion vendin ku kishte ndodhur vrasja. Atje, mund të provonte pafajësinë e tij. Pleqtë shqyrtonin marrëdhënien mes të arratisurit dhe viktimës, që të shihnin nëse ekzistonte urrejtje e mëparshme mes tyre.​—Numrat 35:20-24; Ligji i përtërirë 19:6, 7; Josiu 20:4, 5.

Nëse dilte i pafajshëm, i arratisuri kthehej në qytetin e strehimit dhe duhej të qëndronte brenda rrethinave të tij. Këto qytete nuk ishin burgje. I arratisuri punonte dhe shërbente si anëtar i dobishëm i shoqërisë. Me të vdekur kryeprifti, të gjithë të arratisurit mund të largoheshin të sigurt nga qytetet e strehimit.​—Numrat 35:6, 25-28.

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

QYTETET E STREHIMIT

1 KEDESH

2 GOLAN

3 RAMOT-GALAAD

4 SIKEM

5 BEZER

6 HEBRON

Lumi Jordan