A mund të jesh i kënaqur?
A mund të jesh i kënaqur?
«Kënaqja pasuron të varfrit, kurse pakënaqja varfëron të pasurit.»—Benxhamin Frenklin.
NË HARMONI me këtë thënie, shumë veta kanë mësuar se kënaqja nuk mund të blihet me para. Nuk habitemi pse kënaqja, një ndjenjë e brendshme ngopjeje, duket e paarritshme në një botë që ushqen dëshirën për më tepër zotërime, për arritje më të mëdha ose për të pasur jetën që gëzojnë të tjerët. A ka ndikuar te ti ndonjë nga gjërat e renditura më poshtë?
• Reklamuesit të bombardojnë me mesazhin se kënaqja arrihet duke blerë më tepër gjëra.
• Konkurrenca në punë dhe në shkollë të nxit ta matësh vlerën tënde duke u krahasuar me gjërat që arrijnë të bëjnë të tjerët.
• Njerëzit nuk i vlerësojnë gjërat që bën për ta.
• Miqtë të bëjnë t’i kesh zili për çka zotërojnë.
• Pyetjet themelore që ke për jetën, mbeten pa përgjigje.
Me gjithë këto vështirësi, a mund të jesh vërtet i kënaqur? Apostulli Pavël foli për «sekretin e kënaqjes». Nganjëherë kishte jetuar me bollëk gjërash dhe nganjëherë me pak. Miqtë e admironin, por të tjerë e tallnin. Gjithsesi, tha se kishte «mësuar të ishte i kënaqur në çdo rrethanë».—Kursivi është yni; Filipianëve 4:11,12, New International Version.
Kënaqja është sekret për ata që nuk e kanë marrë kurrë mundimin ta kenë por, siç tha Pavli, ajo mund të mësohet. Tani, të ftojmë të shqyrtosh pesë sekrete për të qenë të kënaqur, që gjenden në Fjalën e Perëndisë, në Bibël.