Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ai do të të lërë që ta gjesh»

«Ai do të të lërë që ta gjesh»

Afrojuni Perëndisë

«Ai do të të lërë që ta gjesh»

1 KRONIKAVE 28:9

A E NJEH Perëndinë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk është kaq e lehtë sa duket. Të njohim vërtet Perëndinë përfshin të njohim mjaft mirë vullnetin dhe udhët e tij. E kështu zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me të, që ndikon thellësisht tek e gjithë jeta jonë. A mund ta kemi vërtet një afrimitet të tillë? Nëse po, si ta arrijmë? Përgjigjet mund të kuptohen nga këshilla që mbreti David i dha të birit, Solomonit, që gjendet te 1 Kronikave 28:9.

Përfytyroni skenën. Davidi ka sunduar në Izrael rreth 40 vjet dhe kombi ka lulëzuar nën sundimin e tij. Solomoni, i cili së shpejti do të jetë mbreti pasardhës, është shumë i ri. (1 Kronikave 29:1) Çfarë këshille të fundit i jep Davidi të birit, ndërsa i afrohet fundit të jetës?

Nisur nga përvoja e pasur në shërbim të Perëndisë, Davidi fillon të thotë: «Biri im Solomon, njihe Perëndinë e atit tënd.» Me këto fjalë, Davidi nënkupton më tepër se vetëm njohjen e disa fakteve për Perëndinë. Solomoni është tashmë adhurues i Perëndisë së Davidit, Jehovait. Rreth një e treta e Shkrimeve Hebraike kishin përfunduar, dhe pa dyshim që Solomoni e di çfarë thonë shkrimet e shenjta për Perëndinë. Një studiues thotë se fjala hebraike e përkthyer «njihe» nënkupton «ta njohësh sa më nga afër që të jetë e mundur». Po, Davidi dëshiron që i biri të zhvillojë atë që për vete e çmon jashtë mase: një marrëdhënie të ngushtë personale me Perëndinë.

Ky afrimitet duhet të ndikojë thellësisht te pikëpamja dhe mënyra e jetesës e Solomonit. Davidi e nxit të birin: «Shërbeji atij [Perëndisë] me gjithë zemër e me shpirt plotësisht të kënaqur.» * Vini re se nxitja për t’i shërbyer Perëndisë vjen pas këshillës për ta njohur atë. Kur e njeh vërtet Perëndinë, nxitesh t’i shërbesh atij. Por, shërbimi ndaj tij nuk duhet bërë duke ngurruar me zemër të lëkundur ose me hipokrizi nga një zemër dyfaqëshe. (Psalmi 12:2; 119:113) Davidi i përgjërohet të birit t’i shërbejë Perëndisë me gjithë zemër dhe vullnetarisht.

Pse Davidi e nxit të birin të adhurojë me motivin dhe mënyrën e duhur të të menduarit? Davidi shpjegon: «Sepse Jehovai heton gjithë zemrat dhe dallon çdo prirje të mendimeve.» Solomoni nuk duhet t’i shërbejë Perëndisë vetëm për të kënaqur të atin, Davidin. Perëndia po kërkon ata që e kanë vërtet zemrën të prirur drejt Tij.

A do ta ndjekë Solomoni shembullin e të atit dhe t’i afrohet Jehovait? Kjo varet nga Solomoni. Davidi i thotë të birit: «Nëse e kërkon, ai do të të lërë që ta gjesh, por nëse e lë, ai do të të hedhë tej përgjithmonë.» Që të bëhet adhurues që ka marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, Solomoni duhet të përpiqet sinqerisht ta njohë Jehovain. *

Këshilla atërore e Davidit na siguron se Jehovai do që t’i afrohemi atij. Por, që të kultivojmë një lidhje të ngushtë me të, duhet ‘ta kërkojmë’, duke u thelluar në Shkrime, që ta njohim nga afër. Kjo njohje duhet të na shtyjë t’i shërbejmë atij me gjithë zemër dhe vullnetarisht. Jehovai dëshiron që t’i shërbejmë në këtë mënyrë dhe e meriton këtë nga adhuruesit e tij.​—Mateu 22:37.

[Shënimet]

^ par. 4 Në disa përkthime thuhet: «Shërbeji atij me gjithë zemër dhe me mendje të gatshme.»

^ par. 6 Mjerisht, megjithëse Solomoni filloi të shërbente me gjithë zemër, nuk mbeti besnik.​—1 Mbretërve 11:4.