Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

ÇFARË e shtyu një ish-ushtar rebel dhe hajdut të ndryshonte jetën? Pse një kampione e arteve marciale ndryshoi synimet në jetë? Si u shpërblye besimi i një ati tek i biri? Që të merrni përgjigjet, lexoni tregimet e mëposhtme.

«Tani jam i lumtur, pavarësisht nga e kaluara ime e errët.»​—GERI P. AMBROSIO

MOSHA: 47 vjeç

VENDI I LINDJES: FILIPINE

MË PARË: USHTAR REBEL

E KALUARA IME: U rrita në qytetin e vogël të Vintarit. Lugina e gjerë ku jetonim, rrethohej nga male të gjelbra, lumenj të kulluar dhe kishte ajër të freskët. Por, me gjithë ambientin paqësor, jeta ishte e vështirë. Na vodhën bagëtitë dhe na plaçkitën shtëpinë.

Kur isha adoleshent, konsumoja shumë alkool me shokët si dhe pija duhan e vidhja që të paguaja për veset. Madje, arrita deri aty sa i vodha bizhuteri gjyshes. Ushtria dyshonte se mos i përkitja grupit rebel Ushtria e Re e Popullit (URP), ndaj shpesh më rrihnin keqas. Si pasojë, vendosa të hyja në këtë grup rebelësh. Për pesë vjet jetova në male me ushtarët e URP-së. Jeta ishte e vështirë. Ishim gjithmonë në lëvizje, që të rrinim larg ushtrisë që na ndiqte. Me kohë, u lodha duke u fshehur maleve, kështu që u dorëzova te guvernatori i Ilokos-Nortesit. Ai u soll mirë me mua dhe më ndihmoi të gjeja një punë të hajrit. Por ende jepesha pas zakoneve të këqija. Plaçkitja shtëpi dhe frikësoja njerëz.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Një shoqe pune që quhej Loida, ishte Dëshmitare e Jehovait. Përmes saj u njoha me Hovension, me të cilin fillova të studioja Biblën. Por ishte e vështirë të ndryshoja mënyrën e mëparshme të jetesës. Vetëm gjatë studimit me Hovension nuk pija duhan dhe ende merresha me veprime të paligjshme. Në fund, policia më kapi duke thyer ligjin dhe përfundova në burg për 11 muaj. Gjatë asaj kohe, iu luta Jehovait duke iu përgjëruar të më ndihmonte. I kërkova falje dhe frymën e shenjtë që të më drejtonte dhe të më forconte.

Më vonë, një Dëshmitar i Jehovait më vizitoi në burg dhe më solli një Bibël. E lexova dhe mësova se Jehovai është i mëshirshëm e i dashur, si dhe na i fal gabimet. E kuptova se ishte treguar i mëshirshëm ndaj meje dhe më kishte dhënë mundësinë të mësoja për udhët e tij. I kërkova forcë që t’i mposhtja praktikat e këqija. Ajo që lexova te Proverbat 27:11, ndikoi shumë tek unë. M’u duk sikur Jehovai po m’i thoshte mua këto fjalë. Aty thuhet: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.»

Pasi dola nga burgu, vazhdova studimin e Biblës me Dëshmitarët, fillova të shkoja në mbledhjet e tyre dhe nisa të zbatoja parimet biblike. Më në fund, me ndihmën e Jehovait, u lirova nga zakonet e këqija dhe ia kushtova jetën atij.

DOBITË: Tani jam i lumtur, pavarësisht nga e kaluara ime e errët. Ndonëse isha skllav i zakoneve të ndyra, jam bërë njeri tjetër. (Kolosianëve 3:9, 10) E kam për nder të shoqërohem me popullin e pastër të Jehovait dhe të ndihmoj të tjerët të mësojnë për Perëndinë tonë të Plotfuqishëm, Jehovain.

«Doja të përfaqësoja Brazilin.»​—JULIANA-APARESIDA-SANTANA ESKUDEIRO

MOSHA: 31 vjeçe

VENDI I LINDJES: BRAZIL

MË PARË: MJESHTRE E ARTEVE MARCIALE

E KALUARA IME: U rrita në Londrinë. Ndonëse shumica e banorëve ishin të varfër, kjo krahinë ishte e pastër dhe e qetë. Kur isha dhjetë vjeçe, vëllai i madh më nxiti të bashkohesha me të në artin marcial tae kwon do, që do të thotë «teknika e duarve dhe e këmbëve». Babai nuk ishte dakord që ta mësoja këtë sport, por shpejt u dorëzua.

U stërvita mjaft dhe fitova shumë kampionate në Paranë. Më vonë, fitova kampionate kombëtare dhe në vitin 1993 u shpalla kampione në tae kwon do në Brazil. Doja të konkurroja në kampionatet ndërkombëtare. Por, familja ishte e varfër dhe nuk ma paguante dot udhëtimin për jashtë shtetit.

Shpresoja që ky sport të përfshihej në Lojërat Olimpike dhe kështu ndodhi. Doja të përfaqësoja Brazilin në Lojërat Olimpike, prandaj u stërvita jashtë mase dhe më sponsorizuan që të konkurroja në Francë, Vietnam, Korenë e Jugut, Japoni dhe në Lojërat e Amerikës Jugore. Synimi tjetër ishte të merrja pjesë në Lojërat Panamerikane dhe dola kaq mirë, sa më zgjodhën si një nga tre konkurrentët që do të shkonin në Santo-Domingo të Republikës Domenikane, në vitin 2003.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Në vitin 2001, bashkë me të dashurin tim takuam Dëshmitarët e Jehovait dhe filluam të studionim Biblën me ta. Në fillim nuk isha edhe aq entuziaste. Gjithmonë ndihesha tepër e lodhur për t’u përqendruar dhe shpesh më zinte gjumi gjatë studimit. Por, ajo që mësova, më preku zemrën dhe kjo u duk qartë në garën time të madhe të ardhshme.

Meqë më zgjodhën për skuadrën e Lojërave Panamerikane, mjeshtrat e tae kwon do-së më nxitën të konkurroja në një turne paraprak. Kur më erdhi radha, ndenja në tapetin e ndeshjes pa lëvizur, pa pikë dëshire që të ndeshesha. Papritur, u kujtova se një i krishterë s’duhet të luftojë me të tjerët, as në sporte. Më erdhi në mendje urdhri biblik që ‘të duam të afërmin tonë si veten’. (Mateu 19:19) U largova pa e bërë të gjatë. Njerëzit s’po u besonin dot syve.

Kur u ktheva në shtëpi, u ula dhe mendova se ç’do të bëja me jetën time. Mora një broshurë të Dëshmitarëve, që tregonte se çfarë kërkon Perëndia nga ne. Atje pashë Psalmin 11:​5, që thotë për Jehovain: «Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren.» Pikërisht këto fjalë goditën në shenjë dhe vendosa ta lija tae kwon do-.

Mësuesit e tae kwon do-së nuk ishin të kënaqur. U përpoqën të ma mbushnin mendjen se isha më e mira e vendit dhe se shumë shpejt do të konkurroja në Lojërat Olimpike. Por unë e kisha ndarë mendjen.

Gjatë kësaj kohe u martova me të dashurin. Ndërkohë, ai ishte bashkuar me Dëshmitarët në veprën e tyre publike të predikimit. Kur kthehej në shtëpi, ishte shumë i lumtur dhe m’i tregonte të gjitha bisedat me njerëzit. E dija se, nëse doja të njëjtin privilegj, duhej të bëja ndryshime në jetë. Hoqa dorë nga feja e mëparshme dhe me kohë u kualifikova që të pagëzohesha si Dëshmitare.

DOBITË: Unë dhe burri jemi shumë të lumtur dhe të bashkuar sepse përpiqemi fort të zbatojmë parimet biblike në martesë. E mbështes me kënaqësi tim shoq teksa kujdeset për kongregacionin tonë. Mund të kisha bërë çmos të fitoja një medalje ari dhe të bëhesha e famshme. Por, mendoj se asgjë që ofron kjo botë e padrejtë nuk krahasohet me privilegjin që t’i shërbesh Perëndisë Jehova.

«Babai nuk e humbi kurrë shpresën për mua.»​—INGO ZIMERMANI

MOSHA: 44 vjeç

VENDI I LINDJES: GJERMANI

MË PARË: ROJË SIGURIMI NË DISKO

E KALUARA IME: Linda në një familje të ndarë nga ana fetare, në qytetin ku nxirret qymyrguri, Gelzenkirken. Babai ishte Dëshmitar i Jehovait, kurse mamaja e kundërshtonte që të mos na rriste mua, vëllanë dhe dy motrat sipas bindjeve të tij. Ai punonte dhjetë a më shumë orë në ditë si shofer kamioni. Shpesh e fillonte punën në dy ose tre të mëngjesit. Megjithatë, përpiqej fort që ne t’i afroheshim Perëndisë. Prapëseprapë, nuk i vlerësoja këto përpjekje.

Kur isha 15 vjeç, u mërzita me mbledhjet fetare ku babai më nxiste të shkoja dhe u rebelova. Pas një viti, iu futa boksit. Me sjelljen time gjatë dy viteve në vazhdim, ia nxora thinjat tim eti. U largova nga shtëpia kur isha 18 vjeç.

Më tërhiqnin jashtë mase sportet dhe stërvitesha deri në gjashtë herë në javë. Në fillim me boksin, pastaj me peshëngritjen. Fundjavëve, shkoja me shokët në disko. Një herë, u zura me një tip që dukej agresiv, por e mposhta kollaj. Pronari i diskos e pa skenën dhe menjëherë më ofroi punë si rojë sigurimi. Rroga ishte e majme, ndaj pranova.

Çdo fundjavë, rrija në hyrje të diskos dhe vendosja se kush do të hynte e kush jo. Pjesëmarrja arrinte deri në 1000 veta, kështu që kisha goxha punë. Zënkat ishin normale. Më kërcënonin me armë dhe shishe të thyera. Disa nga ata që nuk i lija të hynin ose që i nxirrja nga lokali, më pritnin jashtë që të hakmerreshin. Isha 20 vjeç dhe më dukej vetja i pamposhtshëm. Por, ç’është e vërteta, kisha dalë nga binarët. Isha agresiv, krenar, ambicioz dhe kokëshkëmb.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Babai nuk e humbi kurrë shpresën për mua. Ai mori masa të më sillnin revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! * aty ku jetoja. Ato u bënë stok të palexuara në dhomën time. Një ditë vendosa të shfletoja disa prej tyre. Artikujt që flitnin për sistemin e tanishëm politik, ekonomik dhe fetar që do të merrte fund, më nxitën t’i telefonoja motrës. Ajo bashkë me të shoqin, ishin Dëshmitarë të Jehovait. Më ofruan një studim biblik dhe pranova.

Parimi i Galatasve 6:7 më shtyu të bëja ndryshime në jetë. Nga përvoja, e dija se çfarëdo që të bëja, të thosha apo të vendosja në atë moment do të ndikonte tek e nesërmja ime. Gjithashtu, mora zemër nga ftesa e Isaisë 1:18: «Ejani tani dhe le t’i ndreqim gjërat mes nesh,​—thotë Jehovai.​—Edhe sikur mëkatet tuaja të jenë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.» Ky shkrim më ndihmoi qysh në fillim të studimit të mos ndihesha i pavlerë ose i pashpresë për t’u rikthyer.

Brenda gjashtë muajsh bëra ndryshime rrënjësore, por nuk ishte aspak e lehtë. Duhej të braktisja ambientin e korruptuar dhe shoqërinë e keqe me të cilën isha pleksur. Kështu fillova t’u tregoja shokëve se po studioja Biblën dhe se çfarë po mësoja. Nisën të më shmangnin dhe më thërritnin prift. Me ndihmën e motrës, gjeta një punë më të përshtatshme.

Gjithashtu, fillova të ndiqja mbledhjet në Sallën e Mbretërisë ku shkonte motra me të shoqin, edhe pse ishte 30 kilometra larg. Kisha një sallë afër shtëpisë, por ndihesha në ankth se mos takoja ata që më njihnin që nga fëmijëria. Më frikësonte edhe mendimi se do të predikoja shtëpi më shtëpi aty ku banoja. Po sikur të takoja ndonjë që e kisha nxjerrë nga diskoja kohët e fundit apo dikë të cilit i kisha dhënë drogë? Sidoqoftë, nxora një mësim nga stërvitja në palestër: ushtrimet më të vështira janë më të domosdoshmet. Prandaj, me t’u kualifikuar, dilja në predikim sa më shumë që mundesha.

Duhej të kapërceja edhe një vështirësi tjetër. Nuk më pëlqente as leximi, as studimi. Por e dija se, nëse doja të kisha besim të fortë, duhej të disiplinoja veten dhe të thellohesha në të vërtetat e Biblës. Kuptova se, ashtu si në peshëngritje, duhen goxha përpjekje që të bëhesh i fortë.

DOBITË: Jam ende gjallë! Duhet të vazhdoj t’i mbaj nën kontroll dobësitë që të mos nxjerrin kokë. Por tani gëzoj një jetë të mrekullueshme familjare me gruan, që ka një personalitet të krishterë shumë tërheqës. Mes Dëshmitarëve të Jehovait kam miq të vërtetë, të cilëve mund t’u besoj plotësisht. Im atë vdiq para pesë vjetësh por, para se të vdiste, pati gëzimin të shihte të birin t’i rikthehej.

[Shënimi]

^ par. 34 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.