Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbaj qëndrim mirënjohës

Mbaj qëndrim mirënjohës

Sekreti 3

Mbaj qëndrim mirënjohës

ÇFARË MËSON BIBLA? «Falënderoni për çdo gjë.»​—1 Selanikasve 5:18.

CILA ËSHTË VËSHTIRËSIA? Rrethohemi nga njerëz fodullë dhe mosmirënjohës, qëndrime që mund të na infektojnë edhe neve. (2 Timoteut 3:1, 2) Përveç kësaj, mund të ndihemi të detyruar t’i shtojmë jetës sonë tashmë të vrullshme, akoma më tepër aktivitete. Mund të rëndohemi kaq shumë nga problemet ose të jepemi pas interesave tona, saqë nuk na del koha të vlerësojmë atë që tashmë kemi ose të shprehim mirënjohje për atë që të tjerët bëjnë për ne.

ÇFARË MUND TË BËSH? Rezervo kohë që të meditosh për të mirat që gëzon. Vërtet, mund të ndihesh i mbytur nga hallet, por shqyrto shembullin e mbretit David. Nganjëherë ndihej i dërrmuar, zemra i mpihej nga sprovat. Prapëseprapë, iu drejtua Perëndisë: «Meditoj për gjithçka që ke bërë. Plot ëndje mbaj në mend veprën e duarve të tua.» (Psalmi 143:3-5) Edhe nën sprova, Davidi mbajti qëndrim mirënjohës dhe mbeti i kënaqur.

Mendo se si të kanë ndihmuar të tjerët dhe tregohu mirënjohës për përpjekjet e tyre. Jezui la një shembull të jashtëzakonshëm për këtë. Për shembull, kur mikja e tij, Maria, i derdhi vaj të shtrenjtë në kokë dhe në këmbë, disa pyetën: «Ç’është ky harxhim i kotë?» * Ata që kritikuan, mendonin se vaji duhej shitur dhe paratë duhej t’u jepeshin të varfërve. Jezui iu përgjigj: «Lëreni rehat. Pse e trazoni?» Pastaj shtoi: «Ajo bëri atë që mundi.» (Marku 14:3-8; Gjoni 12:3) Në vend që të përqendrohej tek ajo që Maria nuk bëri, Jezui shprehu mirënjohje për atë që bëri.

Disa njerëz i vlerësojnë familjen, miqtë ose bekime të tjera vetëm pasi i humbin. Mund ta shmangësh këtë përfundim të trishtë nëse mendon për të mirat që gëzon tani. Pse të mos bësh një listë mendore ose të shkruar për gjërat që je mirënjohës?

Përderisa «çdo dhuratë e mirë» buron nga Perëndia, bëjmë mirë t’ia shprehim mirënjohjen në lutje. (Jakovi 1:17) Kur e bëjmë këtë rregullisht, mund të mbajmë qëndrim mirënjohës dhe të jemi më të kënaqur.​—Filipianëve 4:6, 7.

[Shënimi]

^ par. 6 Në shekullin e parë, derdhja e vajit në kokën e mysafirit tregonte mikpritje, ndërsa derdhja e vajit te këmbët shprehte përulësi.

[Figura në faqen 6]

A shpreh mirënjohje për atë që të tjerët bëjnë për ty?