Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ngushëllojmë të pikëlluarit, siç bëri Jezui

Të ngushëllojmë të pikëlluarit, siç bëri Jezui

Të ngushëllojmë të pikëlluarit, siç bëri Jezui

LAZARI, një banor i Betanisë, u sëmur rëndë. Motrat e tij, Marta e Maria, dërguan lajmëtarë te miku i tyre i ngushtë, Jezui. Por sëmundja ia mori jetën Lazarit. Ndërsa ai ishte në varr, miqtë dhe të afërmit vizituan Martën dhe Marinë «që t’i ngushëllonin». (Gjoni 11:19) Së fundi, Jezui arriti në Betani dhe shkoi të takonte miqtë e tij të shtrenjtë. Duke shqyrtuar ato që tha dhe bëri, mund të mësojmë si t’i ngushëllojmë të pikëlluarit.

Prania jote tregon se interesohesh

Që të shkonte në Betani, Jezui duhej të udhëtonte rreth dy ditë, duke kapërcyer lumin Jordan dhe nga Jerikoja të kalonte rrugë të rrëpirëta, dredha-dredha. Marta nxitoi ta përshëndeste Jezuin në rrethinat e fshatit. Më vonë, edhe Maria nxitoi ta takonte Jezuin kur dëgjoi se kishte ardhur. (Gjoni 10:40-42; 11:6, 17-20, 28, 29) Prania e Jezuit ishte vërtet burim ngushëllimi për motrat që i kishte mbërthyer hidhërimi.

Edhe sot, prania jonë i ngushëllon të pikëlluarit. Skoti dhe Lidia, të cilëve u vdiq në një aksident djali gjashtëvjeçar, Teoja, kujtojnë: «Kishim nevojë për mbështetjen e familjes dhe të miqve. Ata erdhën në mes të natës direkt në spital.» Çfarë u thanë miqtë? «Në ato çaste nuk kishim nevojë për fjalë. Prania e tyre thoshte gjithçka: u interesuan për ne.»

Bibla tregon se, kur Jezui i pa ata që po qanin për vdekjen e Lazarit, «u trazua» dhe «nuk i mbajti dot lotët». (Gjoni 11:33-35, 38) Jezui nuk e konsideroi diçka joburrërore të derdhte lot para të tjerëve. Ua kuptoi dhembjen dhe u bashkua me humbjen e tyre. Çfarë mësojmë? Kur shkojmë të takojmë të pikëlluarit, s’ka pse të ndihemi në siklet që të qajmë me ata që qajnë. (Romakëve 12:15) Nga ana tjetër, të mos përpiqemi ta nxitim të qajë të pikëlluarin. Disa mbase duan të qajnë kur janë vetëm.

Dëgjo me dhembshuri

Jezui mund t’i ketë pasur në mendje disa fjalë inkurajimi për Martën dhe Marinë, por me sa duket i la të flitnin të parat. (Gjoni 11:20, 21, 32) Kur foli me Martën, i bëri një pyetje dhe pastaj e dëgjoi.​—Gjoni 11:25-27.

Po të jemi dëgjues të mirë, tregojmë se interesohemi sinqerisht. Që të ngushëllojmë të pikëlluarit, duhet t’i dëgjojmë me kujdes. Tregojmë se jemi dëgjues të mirë kur bëjmë pyetje që i nxitin të shprehen. Por kujdes, mos i detyro të bisedojnë nëse duan të rrinë në heshtje. Ndoshta mund të jenë të rraskapitur dhe kanë nevojë të pushojnë.

Të pikëlluarit mund të ndihen të mpirë dhe herë pas here i përsëritin gjërat. Disa u lëshojnë fre ndjenjave. Si Maria dhe Marta i thanë Jezuit: «Zotëri, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.» (Gjoni 11:21, 32) Çfarë bëri Jezui? I dëgjoi me durim e me dhembshuri. U përmbajt dhe nuk u përpoq t’u thoshte si duhej të ndiheshin. Pa dyshim që e kuptoi se mund të lindin ndjenja të forta dhe të dhembshme.

Nëse nuk je i sigurt ç’të thuash kur të shkosh të takosh të pikëlluarin, mund ta fillosh bisedën me një pyetje, si: «Do që të flasësh për këtë?» Pastaj, kushtoji vëmendje të plotë përgjigjes. Dëgjoje me kujdes. Shikoje në sy dhe përpiqu t’ia kuptosh ndjenjat.

S’është e lehtë të kuptosh ndjenjat e një të pikëlluari. Lidia shpjegon: «Nevojat tona ndryshuan. Nganjëherë nuk i mbanim dot lotët në prani të vizitorëve. Donim vetëm që të na mirëkuptonin. Miqtë tanë bënë çmos të kuptonin si ndiheshim.»

Jezui e bëri këtë në mënyrë të përsosur. E dinte se gjithsecili ka «plagën dhe dhembjen e vet». (2 Kronikave 6:29) Jezui u dha përgjigje të ndryshme dy motrave kur e përshëndetën. Marta donte ta vazhdonte bisedën, prandaj Jezui foli me të. Ndërsa me Marinë nuk e zgjati edhe aq bisedën, ngaqë ajo po qante. (Gjoni 11:20-28, 32-35) Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij? Më e mira është që bisedën ta drejtojë i pikëlluari. Kur tregohemi të gatshëm t’i dëgjojmë ndërsa shprehin hidhërimin, mund të ngushëllohen shumë.

Fjalë që shërojnë

Kur Maria dhe Marta i thanë Jezuit «po të ishe këtu», ai nuk fajësoi askënd e as u fye nga këto fjalë. Ai iu përgjigj Martës plot siguri: «Yt vëlla do të ngrihet.» (Gjoni 11:23) Me ato pak fjalë, Jezui e ndihmoi të shikonte përpara dhe me mirëdashje i kujtoi se kishte një shpresë.

Kur flet me të pikëlluarit, mbaj parasysh se edhe pak fjalë të sinqerta e pozitive mund të thonë shumë. Fjalët ngushëlluese mund të thuhen ose të shkruhen. Letrat dhe kartolinat ngushëllojnë për një kohë të gjatë, pasi mund të rilexohen. Të gjitha kartolinat që kishte marrë, Kati i lexoi përsëri nëntë muaj pas vdekjes së burrit, Bobit. Ajo thotë: «Kartolinat më ndihmuan edhe më tepër në atë kohë. Atëherë u ngushëllova vërtet.»

Çfarë mund të përfshish në një shënim të shkurtër ngushëllimi? Mund të shkruash për të ndjerin​—një përvojë që ke kaluar me të ose një cilësi të vyer të tij. Kati thotë: «Shprehjet e ngrohta për Bobin dhe për karakterin e tij më bënin edhe për të qeshur, edhe për të qarë në të njëjtën kohë. Ngjarjet gazmore rreth tij më bënin të qeshja nën zë dhe të kujtoja kohën e lumtur kur ishim bashkë. Mjaft kartolina, të cilat tani i kam shumë për zemër, përfshinin vargje biblike.»

Jep ndihmë praktike

Jezui e ndihmoi familjen e Lazarit me diçka që ne s’e bëjmë dot. E solli përsëri në jetë. (Gjoni 11:43, 44) Por mund të bëjmë gjëra që janë brenda mundësive tona, si: të përgatitim një vakt, të strehojmë vizitorët, të lajmë rrobat, të kujdesemi për fëmijët, të kryejmë porosi ose të sigurojmë transport. Pa dyshim, i pikëlluari do t’i vlerësojë shumë veprimet e vogla që tregojnë dashuri të sinqertë.

Kuptohet që të pikëlluarit mund të kenë nevojë të rrinë ca kohë vetëm. Gjithsesi, merr iniciativën të mbash lidhje me ta, pa e tepruar. «Nuk ka një kohë të përcaktuar se kur kalon hidhërimi, nuk ka një datë kur mund të ndihesh më mirë»,​—thotë një nënë e pikëlluar. Disa përpiqen t’i kujtojnë të pikëlluarit në përvjetorë të rëndësishëm, si ai i dasmës dhe i vdekjes. Kur je i gjindshëm në këto kohë, mund të bëhesh një shok i vërtetë gjatë momenteve të vështira.​—Proverbat 17:17.

Ngushëllimi që dha Jezui, përfshinte edhe shpresën që u mësoi dishepujve: «Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj nga gjumi.» (Gjoni 11:11) Jezui i siguroi dishepujt se do të kishte një ringjallje të të vdekurve. Ai e pyeti Martën: «A e beson këtë?» Ajo u përgjigj: «Po, Zotëri.»​—Gjoni 11:24-27.

A beson se Jezui do t’i ringjallë të vdekurit? Nëse po, ndaje me të pikëlluarit këtë shpresë. Mbështeti në mënyrë konkrete. Atëherë, fjalët dhe veprimet e tua do t’u sjellin sadopak ngushëllim.​—1 Gjonit 3:18.

[Harta në faqen 9]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

PERE

Lumi Jordan

Jeriko

Betani

Deti i Kripur

Jerusalem

SAMARI