Udhëtojnë deri në skajin më të largët të tokës
Jeta e të krishterëve në shekullin e parë
Udhëtojnë deri në skajin më të largët të tokës
«Të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbë. Pasi shpallën lajmin e mirë në atë qytet dhe bënë mjaft dishepuj, u kthyen në Listër, Ikoni dhe Antioki.»—VEPRAT 14:20, 21.
AJRI i freskët i mëngjesit mbush mushkëritë e udhëtarit. Me këmbët copë, mbath sandalet e konsumuara. Do të rrugëtojë gjithë ditën e ditës.
Nën diellin e mëngjesit merr për nga rruga tërë pluhur matanë vreshtit, përtej një ullishteje dhe përpjetë kodrës së thiktë. Gjatë rrugës takon udhëtarë të tjerë: bujq që shkojnë në ara, tregtarë hipur mbi kafshët e mbingarkuara me mallra, si dhe pelegrinë drejtuar për në Jerusalem. Udhëtari dhe shokët e tij i flasin kujtdo që takojnë. Me ç’qëllim? Që të përmbushin caktimin që u dha Jezui për të qenë dëshmitarë të tij «deri në skajin më të largët të tokës».—Veprat 1:8.
Ky udhëtar mund të ketë qenë apostulli Pavël, Barnaba apo kushdo nga misionarët e guximshëm të shekullit të parë. (Veprat 14:19-26; 15:22) Ata ishin të fortë e të vendosur, megjithëse udhëtimi ishte i vështirë. Kur përshkroi peripecitë që kishte kaluar në det, apostulli Pavël tha: «Tri herë m’u shkallmua anija në det, kam kaluar një natë e një ditë në ujëra të thella.» As udhëtimi me rrugë tokësore nuk ishte i lehtë. Pavli tha se shpesh haste «rreziqe nga lumenjtë» dhe «rreziqe nga kusarët e rrugëve».—2 Korintasve 11:25-27.
Si do të ishte udhëtimi me këta misionarë? Sa kilometra do të ecje në ditë? Çfarë duhej të merrje me vete dhe ku do të ndaloje gjatë rrugës?
Udhëtimi në rrugë tokësore Në shekullin e parë, romakët kishin ndërtuar një rrjet rrugor të madh që lidhte qendrat më të rëndësishme të perandorisë. Ishin rrugë të projektuara me kujdes dhe të ndërtuara mirë. Shumë prej tyre ishin 4,5 metra të gjera, të shtruara me gurë, të pajisura me bordura dhe me gurë kilometrazhi. Në rrugë të tilla, një misionar si Pavli mund të ecte rreth 30 kilometra në ditë.
Megjithatë, në Palestinë, shumica e rrugëve ishin shtigje me baltë e të rrezikshme, pa kufij me arat e luginat e thella. Një udhëtar mund të haste bisha ose plaçkitës; në fakt edhe rruga mund të ishte e bllokuar.
Çfarë duhej të merrte me vete udhëtari? Disa nga gjërat kryesore ishin: një shkop i fortë për mbrojtje (1), shtrojë për të fjetur (2), një qese parash (3), një palë sandale rezervë (4), një torbë ushqimi (5), një palë ndërresa (6), një kovë lëkure elastike që të mbushte ujë në puset gjatë rrugës (7), një poç uji (8) dhe një çantë lëkure të madhe për të gjitha sendet personale (9).
Misionarët e dinin se do të takonin tregtarë udhëtues që shpërndanin mallra në tregjet vendëse. Këta tregtarë mbështeteshin të sigurt te fuqia e gomarëve. S’kishte si ata në rrugët e rrëpirëta e shkëmbore. Thuhet se një gomar i fortë, i ngarkuar dëng, mund të bëjë deri në 80 kilometra në ditë. Qerret dhe karrot ishin më të ngadalta pasi mund të bënin vetëm 8-20 kilometra. Megjithatë, qetë mund të mbanin ngarkesa më të rënda dhe ishin idealë për udhëtime të shkurtra. Një udhëtar mund të shihte një karvan me dhjetëra deve a gomarë të ngarkuar me mallra nga e gjithë bota. Ndonjë korrier mbi kalë, mund të rendte me galop atypari që
të çonte letra ose dekrete të perandorisë në ndonjë zonë jashtë saj.Kur binte nata, udhëtarët flinin buzë rrugëve nëpër fushime të ngritura aty për aty. Disa mund të rrinin në një fjetore të rrethuar me mure e me dhoma të pamobiluara rreth e qark një oborri. Këto vende të pista e të pakëndshme siguronin vetëm njëfarë mbrojtjeje nga moti ose kusarët. Sa herë mundnin, misionarët udhëtues ka të ngjarë të rrinin te ndonjë familje ose te bashkëbesimtarët.—Veprat 17:7; Romakëve 12:13.
Udhëtimi në rrugë detare Anijet e vogla transportonin mallra dhe pasagjerë përgjatë ujërave bregdetare dhe përmes detit të Galilesë. (Gjoni 6:1, 2, 16, 17, 22-24) Shumë anije të tjera më të mëdha kalonin Mesdheun duke shkëmbyer mallra në portet e largëta. Këto anije furnizonin Romën me ushqim dhe ishin mjete transporti për zyrtarët e qeverisë dhe për të çuar e marrë mesazhe të shkruara, nga porti në port.
Detarët orientoheshin me anë të shenjave të dukshme—ditën me anë të shenjave në tokë, natën me anë të yjeve. Prandaj, udhëtimi në det ishte deri diku i sigurt vetëm nga maji deri në mes të shtatorit kur moti ka gjasa të ketë qenë më i mirë. Anijethyerjet ishin të shpeshta.—Veprat 27:39-44; 2 Korintasve 11:25.
Njerëzit zgjidhnin udhëtimin në rrugë detare jo se ishte më këndshëm se udhëtimi në rrugë tokësore. Në një anije mallrash, që ishte mjeti kryesor i transportit detar, nuk i kushtohej edhe aq rëndësi rehatisë së pasagjerëve. Ata rrinin dhe flinin në kuvertë, pavarësisht nga moti. Vendi i thatë poshtë kuvertës ishte plot me mallra të çmuara. Pasagjerët hanin ushqimet që merrnin me vete. U sigurohej vetëm ujë i pijshëm. Ndonjëherë, moti ishte krejt i paqëndrueshëm. Nga stuhitë e pamëshirshme dhe deti i tërbuar, njerëzit i zinte deti, që shpesh zgjaste për ditë me radhë.
Me gjithë vështirësitë e udhëtimit në tokë e në det, misionarë të tillë si Pavli e përhapën gjerësisht ‘lajmin e mirë për mbretërinë’ në botën e asokohshme. (Mateu 24:14) Vetëm 30 vjet pasi Jezui u tha dishepujve të dëshmonin për të, Pavli mundi të shkruante se lajmi i mirë u ishte predikuar «të gjitha krijesave nën qiell».—Kolosianëve 1:23.