Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku ndodhet parajsa që përmendet në Bibël?

Ku ndodhet parajsa që përmendet në Bibël?

Lexuesit pyesin . . .

Ku ndodhet parajsa që përmendet në Bibël?

▪ Jezui i premtoi një burri që po vdiste, i cili me guxim tregoi besim tek ai: «Ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Ku do të shkonte ky burrë? A do të ishte parajsa në qiell, në tokë apo në një vend tjetër të ndërmjetëm, ku njerëzit presin të gjykohen?

Paraardhësit tanë njëherë e një kohë jetonin në parajsë. Bibla na thotë: «Perëndia Jehova mbolli një kopsht në Eden, drejt lindjes, dhe vendosi atje njeriun që kishte formuar. . . . Perëndia Jehova e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punonte e të kujdesej për të.» (Zanafilla 2:8, 15) Kur këto fjalë u përkthyen në greqisht, fjala «kopsht» u përkthye parádeisos, nga e cila rrjedh fjala shqipe «parajsë».

Ashtu si një çift e zgjeron shtëpinë kur bëhet me shumë fëmijë, edhe nga prindërit tanë të parë pritej që ta zgjeronin parajsën përtej kufijve të Edenit ndërsa familja njerëzore shtohej. Perëndia u tha: «Mbusheni tokën e sundojeni.»​—Zanafilla 1:28.

Pra, qëllimi i Krijuesit tonë ishte që njerëzit të jetonin dhe të lindnin fëmijë në Parajsën këtu mbi tokë. Ata do të jetonin përgjithmonë në një kopsht tokësor pa pasur nevojë për varreza. Toka duhej të bëhej shtëpia e përhershme për gjithë njerëzimin. Nuk habitemi që bukuritë natyrore të planetit tonë na sjellin kaq shumë kënaqësi! Jemi krijuar që të jetojmë në një tokë të bukur.

A ka ndryshuar qëllimi i Perëndisë? Jo. Sepse Jehovai na siguron: «Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen.» (Isaia 55:11) Mbi 3.000 vjet pas krijimit të njeriut, Bibla tha se «Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj . . . nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej». (Isaia 45:18) Vullneti i Perëndisë nuk ka ndryshuar. Toka do të bëhet përsëri parajsë.

Është interesante se shumë pjesë të Biblës që flasin për parajsën janë thjesht përshkrime të jetës në tokë. Për shembull, një profeci e Isaisë thotë: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre.» (Isaia 65:21) Ku ndërtohen shtëpitë dhe ku mbillen vreshtat? Po frytet ku hahen? Këtu në tokë. Proverbat 2:21 e thotë qartë: «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë.»

Edhe Jezui foli për një parajsë tokësore. Është e vërtetë që premtoi edhe një parajsë qiellore, por vetëm një grup i vogël ishte zgjedhur për këtë. (Luka 12:32) Pas vdekjes, këta ringjallen në parajsën qiellore dhe bashkohen me Krishtin për të sunduar mbi parajsën tokësore. (Zbulesa 5:10; 14:1-3) Këta bashkësundimtarë qiellorë do të sigurohen që parajsa në tokë të qeveriset siç duhet dhe të jetë sipas normave të Perëndisë.

Jezui e dinte se ky ishte vullneti i Perëndisë për tokën. Në fund të fundit, ai ishte në qiell me Atin e tij kur u krijua kopshti i Edenit. Të gjithë njerëzit që tregojnë besim sot, mund të jetojnë në parajsën e ardhshme tokësore. (Gjoni 3:16) Secilit prej këtyre njerëzve, Jezui i premton: «Ti do të jesh me mua në Parajsë.»​—Luka 23:43.

[Burimi i figurës në faqen 25]

© FORGET Patrick/​SAGAPHOTO.COM/​Alamy