Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia ‘bën gjëra të mëdha’: Si e pashë këtë në jetë?

Perëndia ‘bën gjëra të mëdha’: Si e pashë këtë në jetë?

Perëndia ‘bën gjëra të mëdha’: Si e pashë këtë në jetë?

Treguar nga Moris Raxhi

Familja ime, bashkë me mijëra emigrantë të tjerë, po ia mbathte që t’i shpëtonte një prej sulmeve më të egra të Luftës II Botërore. Për ditë me radhë udhëtuam përmes xhunglës së dendur të Birmanisë dhe natën flinim poshtë pemëve. Isha nëntë vjeç. Gjithçka kisha, e mbaja në një deng të vogël lidhur pas shpine. Por ky ishte veçse fillimi.

ISHTE viti 1942. Botën e kishte mbërthyer lufta dhe ne po ia mbathnim nga ushtria japoneze që afrohej gjithnjë e më tepër. Ajo sapo kishte pushtuar Birmaninë, Mjanmarin e sotëm, si dhe kishte marrë nën kontroll zonat e pasura me naftë të Jenang’jaungut. Para se të arrinim kufirin e Indisë, ushtarët japonezë na zunë dhe na detyruan të ktheheshim në shtëpi.

Kur isha fëmijë, jetonim në Jenang’jaung, ku babai punonte për Kompaninë e Naftës të Birmanisë. Pas pushtimit japonez, zonat e pasura me naftë të Jenang’jaungut u bënë shënjestra të bombardimeve të njëpasnjëshme të avionëve luftarakë britanikë. Një herë, familja ime u strehua në një llogore për tri ditë ndërkohë që bombat shpërthenin kudo rreth nesh. Më në fund ikëm me barkë në Sela, një qytet i vogël pranë lumit Ejarued ose Iravav. Mirënjohës që ishim gjallë, e kaluam atje pjesën tjetër të luftës.

Mësoj të vërtetën nga një tragjedi

Vëllai im i vogël lindi më 1945-n, vitin kur mbaroi Lufta II Botërore. Im atë ishte i kënaqur që i lindi një bir në moshë të shkuar. Por kjo lumturi nuk zgjati shumë. Tre muaj më vonë vëllai vdiq. Shpejt pas kësaj, edhe babai vdiq nga pikëllimi.

Me dëshirën që të më ngushëllonin, miqtë më thanë se Perëndia i kishte marrë babanë dhe vëllanë që të ishin me të në qiell. Sa doja të isha me ta! Familja ime shkonte në kishën katolike, ku mora mësimet e para për fenë. Më mësuan se priftërinjtë dhe murgeshat shkojnë drejt e në qiell kur vdesin, kurse të tjerët duhet të qëndrojnë ca kohë në purgator, një vend torturash të përkohshme, ku pastrohen nga mëkatet. I vendosur të bashkohesha me babanë dhe vëllanë, e ndava mendjen të ndiqja seminarin katolik në Maimio, që tani quhet Pin-u-Luin rreth 210 kilometra larg vendit ku jetonim.

Që të hyje në seminar, duhej të kishe shkollim të mirë. Si emigrant që isha, kisha bërë vetëm dy klasë shkollë. Pastaj të gjitha shkollat ishin mbyllur gjatë luftës. Megjithëse ato u hapën sërish, familja jonë ishte mjaft ngushtë nga ana financiare. Nëna kujdesej jo vetëm për dy vëllezërit dhe mua, por edhe për tri fëmijët e vegjël të së motrës që i kishte vdekur dhe nuk ia dilte dot të na mbante në shkollë ne djemtë.

Vëllai i madh filloi punë, kurse unë isha vetëm 13 vjeç dhe nuk mund të bëja shumë. Xhaxhai, Manjuel Nejthëni, jetonte në Çauk, qytet pranë Selës. Arsyetova: «Nëse largohem nga shtëpia, do të ketë një gojë më pak për t’u ushqyer.» Kështu që shkova të jetoja në Çauk me xhaxhanë.

Nuk e dija se kohët e fundit xhaxhai ishte lidhur me Dëshmitarët e Jehovait dhe mezi priste të fliste për gjërat e reja që kishte mësuar nga Bibla. Ai m’i tregoi dalëngadalë ato gjëra, duke filluar me shpjegimin e lutjes «Ati ynë», siç quhet nga katolikët. Ajo fillon kështu: «Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt!»​—Mateu 6:9, 10, Simon Filipaj.

«Pra Perëndia ka emër, dhe ky emër është Jehova»,—më shpjegoi xhaxhai. Pastaj më tregoi emrin e Perëndisë në Bibël. Doja të dija më shumë. Por mezi lexoja në gjuhën time tamile, e jo më në anglisht, gjuhën e Biblës e të botimeve biblike të xhaxhait, të cilën nuk e dija mirë. Gjithsesi, pak nga pak fillova t’i kuptoja mësimet e Biblës. (Mateu 11:25, 26) M’u hapën sytë dhe kuptova se shumë prej doktrinave që më kishin mësuar, nuk bazoheshin në Bibël. Më në fund thashë: «Xhaxha, kjo është e vërteta!»

Kur isha 16 vjeç, fillova t’u flitja të tjerëve për atë që kisha mësuar. Në atë kohë kishte vetëm 77 Dëshmitarë të Jehovait në Mjanmar. Jo shumë kohë më vonë, Robert Kirku, një Dëshmitar misionar nga kryeqyteti Rangun, që tani quhet Jangun, i bëri një vizitë xhaxhait tim në Çauk. I thashë Robertit se ia kisha kushtuar jetën Jehovait. Kështu që më 24 dhjetor 1949, u pagëzova në lumin Iravav, në simbol të kushtimit ndaj Perëndisë.

Kapërcej pengesat

Shpejt pas pagëzimit u transferova në Mandalai që të gjeja punë të përshtatshme. Kisha si synim të bëhesha pionier, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë. Një ditë, ndërsa po shihja një ndeshje futbolli, fillova të përpëlitesha dhe u shemba përtokë. Zbulova se kisha epilepsi, kështu që më duhej të kthehesha te familja që të kujdesej për mua.

Krizat më zunë herë pas here për tetë vjet rresht. Kur shëndeti m’u përmirësua, fillova të punoja ndopak. Megjithëse mamaja më shkurajonte që të mos filloja shërbimin e plotkohor për shkak të shëndetit, një ditë i thashë: «Nuk pres dot më. Dua të bëhem pionier. Jehovai do të kujdeset për mua!»

Në vitin 1957, shkova në Jangun dhe fillova të shërbeja si pionier. Si për mrekulli, krizat nuk më zunë më deri 50 vjet më vonë, më 2007-n. Tani i kontrolloj me anë të ilaçeve. Më 1958 më caktuan si pionier special, pra i kushtoja predikimit 150 orë çdo muaj.

Caktimi i parë ishte në Jonshe, fshat rreth 110 kilometra në veriperëndim të Jangunit. Një grup i vogël njerëzish atje, kishin lexuar botimet tona biblike dhe donin të dinin më shumë. Kur Roberti dhe unë mbërritëm, u mblodh një turmë e madhe. Iu përgjigjëm pyetjeve të shumta që kishin për Biblën dhe u treguam si të mbanin mbledhje për të studiuar Biblën. Shpejt, disa prej tyre u bashkuan me ne në predikim. Mua më kërkuan të qëndroja në fshat. Brenda pak muajsh, grupi i vogël lulëzoi e u bë kongregacion. Sot në atë zonë ka më se 150 Dëshmitarë.

Më vonë më caktuan të shërbeja si shërbëtor udhëtues, pra të vizitoja kongregacionet dhe grupet e izoluara anekënd Mjanmarit. Bëja kilometra të tëra në kamionë të ngarkuar nëpër rrugët gjithë pluhur, në këmbë përmes xhunglave, duke lundruar në lumenj dhe duke u çapitur përmes vargmaleve. Ndonëse nuk isha i fortë fizikisht, e ndieja se Jehovai më jepte forcën për të vazhduar.​—Filipianëve 4:13.

«Jehovai do të të ndihmojë»

Në vitin 1962, më transferuan në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Jangun, ku mora njëfarë stërvitjeje nga Roberti. Por shumë shpejt pas kësaj, autoritetet qeveritare i urdhëruan të gjithë misionarët e huaj të largoheshin nga Mjanmari e, brenda pak javësh, ata u larguan. Për habinë time, më caktuan të kujdesesha për zyrën e degës.

«E si mund ta bëj këtë punë? Jam i paarsimuar dhe i papërvojë»,—mendoja me vete. Kur panë ankthin tim, disa të moshuar më thanë: «Mos u shqetëso Moris. Jehovai do të të ndihmojë. Të gjithë jemi me ty.» Sa siguri më dhanë fjalët e tyre! Pak muaj më vonë, duhej të përpiloja raportin vjetor për aktivitetet e predikimit në Mjanmar për Librin Vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1967. Raportin vjetor për Mjanmarin e përpilova edhe për 38 vitet e ardhshme. Nga rrethanat mësova herë pas here se Jehovai i drejton vërtet aktivitetet tona.

Për shembull, kohë më parë, kur aplikova që të bëhesha nënshtetas i Mjanmarit, nuk kisha 450 kiatët * që më duheshin për të marrë nënshtetësinë, prandaj e lashë për më vonë këtë çështje. Por një ditë, teksa kaloja pranë zyrës së firmës ku kisha punuar vite më parë, ish-shefi më pa. Ai thirri: «Ej Raxhi, hajde të marrësh paratë e tua! Kur ike, harrove të merrje shpërblimin.» Ishin 450 kiatë.

Ndërsa largohesha nga zyra, mendoja për të gjitha gjërat që mund të bëja me ato para. Por meqë ishin tamam sa më duheshin për të marrë nënshtetësinë, e kuptova se ishte vullneti i Jehovait që t’i përdorja për atë qëllim. Në fakt koha tregoi se ishte zgjedhja më e mirë. Si nënshtetas i atij vendi, mund të qëndroja atje, të udhëtoja lirisht, të importoja literaturë dhe të kryeja detyra të tjera jetësore për veprën tonë të predikimit në Mjanmar.

Një kongres në veri

Rreth vitit 1969, vepra jonë po ecte me ritme të shpejta në qytetin Mitkina, në veri të Mjanmarit, prandaj vendosëm të mbanim një kongres në këtë qytet. Por vështirësia më e madhe ishte të siguronim transport për të gjithë Dëshmitarët nga jugu. U lutëm dhe i kërkuam Drejtorisë së Hekurudhave të Mjanmarit të na rezervonin gjashtë vagonë. U habitëm jashtë mase kur kërkesa jonë u miratua.

Ndërkohë kishim çdo gjë gati për kongresin. Ditën që duhej të vinin delegatët, shkuam në stacionin e trenit rreth mesditës që të pritnim trenin e orës 14.30. Ndërsa pritnim, përgjegjësi i stacionit na dha një telegram ku lexohej: «I kemi shkëputur të gjashtë vagonët e Shoqatës Watch Tower.» Ai na tha se treni nuk i tërhiqte dot në kodër vagonët shtesë.

Po tani si do t’ia bënim? Gjëja e parë që menduam ishte të ndryshonim datat e kongresit. Por kjo do të thoshte të aplikonim prapë për një mori lejesh, dhe për këtë duheshin javë të tëra. Pikërisht kur po i luteshim me zjarr Jehovait, treni erdhi në stacion. Nuk po u besonim syve. Pamë të gjashtë vagonët plot me Dëshmitarë! Ata po buzëqeshnin dhe po na e bënin me dorë. Kur i pyetëm ç’kishte ndodhur, njëri prej tyre na tha: «Ata i shkëputën gjashtë vagonë, por jo tanët!»

Gjatë viteve 1967-1971, numri i Dëshmitarëve në Mjanmar u dyfishua në gati 600. Në vitin 1978, zyra e degës u transferua në një shtëpi dykatëshe. Njëzet vjet më vonë, numri i Dëshmitarëve i kishte kaluar të 2.500-at. U bë një zgjerim i mëtejshëm i godinave të degës dhe, më 22 janar 2000, Xhon E. Barri, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, erdhi nga SHBA-ja dhe mbajti fjalimin e kushtimit për ndërtesën trikatëshe me zyra dhe banesa që po përdoret në ditët tona.

Sjell ndër mend bekimet

Sot këtu në zyrën e degës në Jangun punojnë dhe jetojnë 52 vullnetarë e ka rreth 3.500 Dëshmitarë që shërbejnë në 74 kongregacione dhe grupe në të gjithë vendin. Jam i lumtur t’ju tregoj se në vitin 1969, edhe nëna ime e dashur, pak para se të vdiste, u bë Dëshmitare e Jehovait.

Doris Ba-Ej, një pioniere vendëse, u bë përkthyese në zyrën tonë të degës nga mesi i viteve 60. Më parë, në vitin 1959, kishte ndjekur klasën e 32-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, ku Dëshmitarët e Jehovait stërviten si misionarë. Nga bukuria e saj e natyrshme, personaliteti i gëzueshëm dhe dashuria e thellë për Perëndinë, rashë në dashuri me të. U martuam në vitin 1970. Edhe sot e kësaj dite jemi të përkushtuar ndaj Perëndisë dhe ndaj njëri-tjetrit.

Për më se gjashtë dekada, kam parë dorën e Perëndisë në veprën e predikimit që është kryer në këtë vend. Vërtet, ai është madhështor dhe i denjë të lëvdohet tej mase. Ai ‘bën gjëra të mëdha’, siç e kam parë gjatë gjithë jetës.​—Psalmi 106:21.

[Shënimi]

^ par. 23 Kjo shumë ishte baraz me 95 dollarë amerikanë, goxha para për atë kohë.

[Figura në faqen 27]

Në predikim në Rangun, Birmani, rreth vitit 1957

[Figura në faqen 28]

Duke udhëtuar për të ndjekur një kongres në Kalemio, Birmani, në fund të viteve 70

[Figura në faqen 29]

Godina e re dhe e bukur e degës sonë, e cila u zgjerua në vitin 2000

[Figura në faqen 29]

Me Dorisin sot

[Figura në faqen 29]

Së bashku në predikimin shtëpi më shtëpi