Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Meqë Izraeli kishte një stinë thatësire të gjatë, çfarë strategjish përdorën banorët në kohët e lashta që të kishin ujë pa ndërprerje?

Në Izrael bie shi midis tetorit dhe prillit dhe ndonjëherë mbush plot e përplot luginat e përrenjve. Por në verë, shumë nga këta «lumenj» thahen dhe mund të mos bjerë shi për muaj me radhë. Si ia bënin njerëzit në kohët biblike që të kishin vazhdimisht ujë?

E zgjidhën këtë problem duke çarë kanale në faqet e kodrave që t’i drejtonin ujërat e reshjeve të dimrit në zgavra nëntokësore ose sterna. Tarracat i bënin me pjerrësinë e përshtatshme që ta drejtonin ujin e shiut në këto sterna. Mjaft familje kishin sternën e tyre nga e cila merrnin ujë që të shuanin etjen.​—2 Mbretërve 18:31; Jeremia 6:7.

Izraelitët shfrytëzonin edhe burimet natyrore. Nëpër male uji i shiut depërton thellë në tokë derisa arrin shtresa shkëmbore ku nuk hyn dot, rrjedh përgjatë tyre dhe del sërish mbi tokë në formë burimi. Shpesh, fshatrat ngriheshin afër një burimi, dhe kjo mbështetet nga disa emra vendesh që në hebraisht përmbanin fjalën «burim» (në hebraisht en). Shembuj të këtyre emrave janë En-Shemeshi, En-Rogeli dhe En-Gedi. (Josiu 15:7, 62) Në Jerusalem uji i burimit vinte në qytet me anë të një kanali që hapej përmes shkëmbinjve të fortë.​—2 Mbretërve 20:20.

Ku nuk kishte burime natyrore, hapej një pus (në hebraisht beʼér), si ai në Beer-Shebë, për të nxjerrë ujë. (Zanafilla 26:32, 33) Autori Andre Shuraki thotë se «zgjidhjet teknike [të izraelitëve] të bëjnë përshtypje edhe sot».

Në ç’lloj shtëpie mund të ketë banuar Abrami (Abrahami)?

Abrami dhe gruaja e tij jetonin në qytetin e begatë kaldeas të Urit. Por, nën drejtimin e Perëndisë, u larguan nga ai qytet dhe banuan në tenda. (Zanafilla 11:31; 13:12) Le të shqyrtojmë ç’sakrificë do të thoshte ky ndryshim për ta.

Uri, që ndodhej në Irakun e sotëm, u zbulua nga Leonard Uolli gjatë gërmimeve që u bënë nga viti 1922 deri më 1934. Midis ndërtesave që gjeti, ndodheshin edhe 73 shtëpi të ndërtuara me tulla. Shumë nga këto shtëpi kishin dhoma të organizuara rreth një oborri qendror të shtruar. Dyshemeja e oborrit vinte pak e pjerrët drejt qendrës, ku një kanal shkarkimi eliminonte ujin. Në shtëpitë më të mëdha, dhomat e mysafirëve kishin banjat e veta. Në katin përdhe kishte dhoma të tjera, ndër të cilat kuzhina me vatra zjarri dhe dhoma fjetjeje për skllevërit. Familja jetonte një kat më lart, ku ngjiteshe me anë të shkallëve. Shkallët çonin në një ballkon prej druri që shtrihej përreth oborrit dhe prej tij hyje në dhomat e këtij kati.

Uolli shkroi: «Një shtëpi . . . me oborr të shtruar dhe mure të lyera mirë me gëlqere, me sistem shkarkimi të ujërave, . . . me dymbëdhjetë ose më shumë dhoma, nënkupton vërtet një standard të lartë jetese. Dhe në këto shtëpi banonte . . . klasa e mesme, pra shitësit, tregtarët e vegjël, skribët etj.»

[Figura në faqen 19]

Sternë, Horvot-Mezada, Izrael

[Burimi]

© Parku Kombëtar i Masadës, Agjencia për Parqet dhe Natyrën e Izraelit

[Figura në faqen 19]

Vizatim i një shtëpie të kohës së Abrahamit

[Burimi]

© Vizatimi: A. S. Whitburn