Pse duhet të të interesojë Edeni?
Pse duhet të të interesojë Edeni?
NJË nga kundërshtimet më të çuditshme që disa studiues ngrenë për tregimin e Edenit, është se ai nuk mbështetet nga pjesa tjetër e Biblës. Për shembull, profesori i studimeve fetare, Pol Morrisi, shkruan: «Nuk ka referime biblike të mëvonshme që lidhen drejtpërdrejt me tregimin e Edenit.» Të tjerë të ashtuquajtur ekspertë mund të jenë dakord me këtë pohim, por ai bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me faktet.
Bibla në të vërtetë flet shumë herë të tjera për kopshtin e Edenit, Adamin, Evën dhe për gjarprin. * Por gabimi i disa studiuesve nuk është asgjë në krahasim me një gabim shumë më të rëndë dhe më të përhapur. Duke diskredituar tregimin e Zanafillës për kopshtin e Edenit, udhëheqësit fetarë dhe kritikët e Biblës faktikisht po përpiqen të diskreditojnë Biblën. Si ka mundësi?
Kuptueshmëria për atë që ndodhi në Eden është thelbësore për të kuptuar pjesën tjetër të Biblës. Për shembull, Fjala e Perëndisë është shkruar në atë mënyrë që të na ndihmojë të gjejmë përgjigjet e pyetjeve më të rëndësishme të njerëzimit. Përgjigjet e Biblës për këto pyetje lidhen herë pas here me ngjarjet që ndodhën në kopshtin e Edenit. Ja disa prej tyre.
● Pse plakemi dhe vdesim? Adami dhe Eva do të jetonin përgjithmonë nëse do të mbeteshin të nënshtruar ndaj Jehovait. Vetëm po të rebeloheshin do të vdisnin. Ditën që u rebeluan, filluan të vdisnin. (Zanafilla 2:16, 17; 3:19) Humbën përsosmërinë dhe detyrimisht u kaluan pasardhësve mëkatin e papërsosmërinë. Bibla shpjegon: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»—Romakëve 5:12.
● Pse e lejon Perëndia ligësinë? Në kopshtin e Edenit, Satanai e quajti Perëndinë një gënjeshtar që u mban të mirën krijesave. (Zanafilla ) Kështu vuri në dyshim të drejtën e Jehovait për të sunduar sipas mënyrës së tij. Adami dhe Eva zgjodhën të ndiqnin Satanain dhe, si ai, hodhën poshtë sovranitetin e Jehovait. Në fakt, ishte sikur të thoshin se njeriu mund të vendosë vetë çfarë është e mirë dhe e keqe. Duke qenë se ka drejtësi dhe mençuri të përsosur, Jehovai e dinte cila ishte e vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur siç duhej sfidës: të linte kohë duke u dhënë mundësi njerëzve të vetëqeveriseshin si të donin. Ligësia që ka ardhur si pasojë, pjesërisht shkaktohet nga ndikimi i vazhdueshëm i Satanait dhe dalëngadalë ka zbuluar një të vërtetë të rëndësishme: njerëzimi nuk është i aftë të vetëqeveriset pa drejtimin e Perëndisë.— 3:3-5Jeremia 10:23.
● Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën? Në kopshtin e Edenit, Jehovai vuri një standard bukurie për të gjithë tokën. Ai u dha si detyrë Adamit dhe Evës ta mbushnin tokën me pasardhësit e tyre dhe ta ‘sundonin’, me qëllim që ta shtrinin të njëjtën bukuri e harmoni në të gjithë planetin. (Zanafilla 1:28) Pra, qëllimi i Perëndisë për tokën është që të bëhet parajsë e banuar nga një familje e përsosur dhe e bashkuar, me njerëz që janë pasardhës të Adamit dhe të Evës. Një pjesë e mirë e Biblës flet për mjetin e Perëndisë që do të përmbushë këtë qëllim fillestar.
● Pse erdhi në tokë Jezu Krishti? Rebelimi në kopshtin e Edenit solli dënimin me vdekje të Adamit, të Evës dhe të pasardhësve të tyre. Por Perëndia me dashuri siguroi shpresë. Ai dërgoi në tokë birin e tij që të siguronte atë që Bibla e quan shpërblesë. (Mateu 20:28) Çfarë do të thotë kjo? Jezui ishte «Adami i fundit», pra ia doli mbanë atje ku dështoi Adami. Jezui e ruajti jetën e përsosur njerëzore duke mbetur i bindur ndaj Jehovait. Më pas e dha vullnetarisht jetën si flijim ose shpërblesë, për të siguruar mjetin që t’u faleshin mëkatet të gjithë njerëzve besnikë dhe që një ditë të gëzonin sërish jetën e Adamit dhe të Evës në Eden para se të mëkatonin. (1 Korintasve 15:22, 45; Gjoni 3:16) Në këtë mënyrë, Jezui garantoi se qëllimi i Jehovait për ta kthyer tokën në një parajsë si Edeni do të realizohet. *
Qëllimi i Perëndisë nuk është as i mjegullt, as koncept teologjik abstrakt. Është i vërtetë. Ashtu si kopshti i Edenit ishte një vend real në këtë tokë, me kafshë e njerëz të vërtetë, ashtu edhe premtimi i Perëndisë për të ardhmen është i sigurt, një realitet që do të ndodhë së shpejti. A do të jetë ky premtim e ardhmja jote; një realitet për ty? Në një masë të madhe kjo varet nga ti. Perëndia e dëshiron atë të ardhme për sa më shumë njerëz, edhe për ata që kanë bërë një jetë plot gabime.—1 Timoteut 2:3, 4.
Teksa po vdiste, Jezui foli me një njeri që kishte marrë rrugë shumë të keqe në jetë. Ishte kriminel dhe e dinte se meritonte ekzekutimin. Por iu drejtua Jezuit për ngushëllim, për shpresë. Si iu përgjigj Jezui? «Ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Nëse Jezui dëshiron ta shohë atë ish-kriminel—të ringjallur dhe të bekuar me mundësinë e jetës së përhershme në një parajsë si Edeni—a nuk dëshiron të njëjtat bekime edhe për ty? Patjetër që po. Edhe Ati i tij e dëshiron këtë për ty. Nëse do që të kesh këtë të ardhme, bëj çmos të mësosh për Perëndinë që bëri kopshtin e Edenit.
[Shënimet]
^ par. 3 Për shembull, shih te: Zanafilla13:10; Ligji i përtërirë 32:8; 2 Samuelit 7:14; 1 Kronikave 1:1; Isaia 51:3; Ezekieli 28:13; 31:8, 9; Luka 3:38; Romakëve 5:12-14; 1 Korintasve 15:22, 45; 2 Korintasve 11:3; 1 Timoteut 2:13, 14; Juda 14 dhe Zbulesa 12:9.
^ par. 8 Që të mësosh më shumë për flijimin shpërblyes të Jezuit, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figurat në faqen 10]
NJË PROFECI QË PËRSHKON GJITHË BIBLËN
«Unë do të vë armiqësi mes teje [gjarprit] dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.»—Zanafilla 3:15.
Kjo është profecia e parë në Bibël, të cilën Perëndia e tha në Eden. Kush janë katër personazhet: gruaja, fara e saj, gjarpri dhe fara e tij? Në ç’mënyrë ka «armiqësi» midis këtyre personazheve?
GJARPRI
Satana Djalli.—Zbulesa 12:9.
GRUAJA
Krijesat frymore që përbëjnë pjesën qiellore të organizatës së Jehovait. (Galatasve 4:26, 27) Isaia foli për ‘gruan’ duke parathënë se ajo do të lindte një komb të ardhshëm frymor.—Isaia 54:1; 66:8.
FARA E GJARPRIT
Ata që zgjedhin të bëjnë vullnetin e Satanait.—Gjoni 8:44.
FARA E GRUAS
Pjesa kryesore është Jezu Krishti, i cili erdhi nga pjesa qiellore e organizatës së Jehovait. Pjesë e «farës» janë edhe vëllezërit frymorë të Krishtit, të cilët sundojnë me të në qiell. Ata të krishterë të mirosur përbëjnë një komb frymor, «Izraelin e Perëndisë».—Galatasve 3:16, 29; 6:16; Zanafilla 22:18.
PLAGOSJA E THEMBRËS
Një goditje e dhembshme ndaj Mesisë, por jo me pasoja të përhershme. Satanai ia doli ta vriste Jezuin kur ishte në tokë. Por Jezui u ringjall.
SHTYPJA E KOKËS
Goditja vdekjeprurëse ndaj Satanait. Jezui do ta zhdukë Satanain përgjithmonë. Madje, më parë, Jezui do të zhbëjë ligësinë që Satanai filloi në Eden.—1 Gjonit 3:8; Zbulesa 20:10.
Për një përmbledhje të shkurtër të temës qendrore të Biblës, shih broshurën Bibla: Cili është mesazhi i saj?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 11]
Adami dhe Eva vuajtën pasojat shkatërrimtare të mëkatit