Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

SI ARRITI ta ndryshonte jetën një banakiere që përdorte fjalë të pista, pinte me tepri dhe merrte droga të ndryshme? Pse një ish-politikan që nuk e pëlqente fenë u bë fetar? Çfarë sfidash duhej të kapërcente një instruktor luftimi trup me trup i forcave të policisë ruse, që të bëhej Dëshmitar i Jehovait? Lexo çfarë kanë për të thënë këta individë.

«Gëzoj sërish një marrëdhënie të ngushtë me mamanë.»​—NATALI HAMI

LINDUR: 1965

VENDI I LINDJES: AUSTRALIA

MË PARË: MERRTE DROGA TË NDRYSHME

E KALUARA IME: U rrita në qytetin e vogël të Robit që njihet për peshkim, në Australinë e Jugut. Në këto vende, hoteli është ambienti ku njerëzit mblidhen e rrinë me njëri-tjetrin. Prindërit kalojnë mjaft kohë në hotel, kështu që fëmijët rriten në një ambient ku mbizotëron abuzimi me alkoolin, fjalët e pista dhe tymi i duhanit.

Në moshën 12-vjeçare pija duhan, kisha fjalor të pasur me fjalë të pista dhe grindesha vazhdimisht me mamanë. Kur isha 15 vjeçe, prindërit u ndanë dhe 18 muaj më vonë, u largova nga shtëpia. Abuzova me alkoolin, provova droga të ndryshme dhe bëja jetë imorale. Isha e zemëruar dhe e çorientuar. Por, meqë kisha marrë stërvitje për pesë vjet për artet marciale dhe si të vetëmbrohen gratë, mendoja se mund të kujdesesha për veten. Megjithatë, kur isha më e qetë dhe mendoja thellë, më pushtonte trishtimi dhe i lutesha Perëndisë duke i kërkuar ndihmë. «Vetëm mos më kërko të shkoj në kishë»,—i thosha.

Më vonë, një shok fetar, por që nuk i përkiste ndonjë kishe, më dha një Bibël. Ashtu si shokët e tjerë, edhe ai merrte drogë. Mirëpo besonte sinqerisht te Zoti dhe më bindi se duhej të pagëzohesha. Më çoi në një liqen aty afër dhe më pagëzoi. Që nga ajo kohë, mendoja se kisha një lidhje të veçantë me Perëndinë, por nuk lija kurrë kohë të lexoja Biblën.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Në vitin 1988, dy Dëshmitarë trokitën në derën time. Njëri prej tyre më pyeti: «A e di emrin e Perëndisë?» Ai lexoi Psalmin 83:18 nga Bibla e vet, që thotë: «Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» Më ra si bombë! Pasi u larguan, shkova me makinë në një dyqan librash të krishterë, 56 kilometra larg, që të krahasoja përkthime të tjera të Biblës dhe pastaj e kërkova emrin në një fjalor. Pasi u binda se emri i Perëndisë është Jehova, pyetja veten çfarë tjetër nuk dija.

Mamaja më kishte thënë se Dëshmitarët e Jehovait ishin të çuditshëm. Nga ajo pak që dija për ta, mendoja se ishin tepër prapanikë dhe nuk dinin të zbaviteshin. Thashë të bëja sikur nuk isha aty kur të vinin në shtëpi. Por ndërrova mendje kur erdhën. I ftova brenda dhe menjëherë nisa të studioja Biblën.

Sa herë që studioja, gjërat që mësoja ia thosha të dashurit, Krejgut. Me kohë ai u bezdis kaq shumë sa ma rrëmbeu librin e studimit nga dora dhe filloi ta lexonte. Brenda tri javësh arriti në përfundimin se kishte gjetur të vërtetën për Perëndinë. Krejgu dhe unë me kalimin e kohës nuk merrnim më drogë, nuk abuzonim me alkoolin, ndërsa unë e lashë punën si banakiere. Që të jetonim në përputhje me normat biblike, vendosëm të martoheshim.

DOBITË: Kur filluam studimin me Dëshmitarët e Jehovait, lidhja jonë ishte në fije të perit. Sot, Krejgu është një bashkëshort i shkëlqyer dhe kemi dy fëmijë të bukur. Gjithashtu kemi miq të shtrenjtë që kanë të njëjtat bindje si ne.

Në fillim mamaja u zemërua kur mori vesh se po shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait. Por meraku i saj bazohej në keqkuptime. Tani gëzoj sërish një marrëdhënie të ngushtë me mamanë. Nuk e kam më atë ndjenjën e zbrazëtisë së thellë. Përkundrazi, kam një drejtim dhe qëllim në jetë, si dhe e ndjej se më është plotësuar nevoja që të kisha një marrëdhënie me Perëndinë.​—Mateu 5:3.

«Mësova mjaft gjëra befasuese nga Bibla.»​—IZEKEL PENIU

LINDUR: 1939

VENDI I LINDJES: TUVALUJA

MË PARË: POLITIKAN

E KALUARA IME: Linda në Nukulajlaj, ishull i bukur i Paqësorit që tani është pjesë e Tuvalusë. Në ishuj sundonin pastorët që stërviteshin për fenë në një kolegj në Samoa. Ishte detyra e banorëve të ishullit që t’i ushqenin pastorët dhe familjet e tyre çdo ditë e t’u siguronin strehim. Në fakt duhej t’u jepnin më të mirën e gjithçkaje që kishin. Edhe pse banorët nuk kishin mjaft ushqim për familjet e veta, detyroheshin të siguronin për pastorët.

Pastori i ishullit tim drejtonte shkollën e fshatit dhe ishte mësues i fesë, matematikës dhe deri diku i gjeografisë. Më kujtohet kur e shihja pastorin t’i rrihte studentët kaq shumë sa mbyteshin në gjak. Por askush nuk guxonte të protestonte, madje as prindërit. Pastori nderohej si të ishte vetë Perëndia.

Kur isha dhjetë vjeç, ika nga shtëpia që të ndiqja të vetmen shkollë për shkenca politike në atë zonë, e cila ndodhej në një ishull tjetër. Pasi u diplomova, fillova të punoja për qeverinë. Në atë kohë, ishujt ishin pjesë e kolonisë britanike të njohur si Ishujt e Gilbertit dhe të Elisesë. Punova në disa departamente para se të bëhesha botues i gazetës së përjavshme të qeverisë. Gjithçka po shkonte mirë derisa botova një letër të një lexuesi, i cili kritikonte shpenzimet që po bëheshin për përgatitjet e vizitës së princit të Uellsit. Autori i letrës kishte përdorur emër të rremë dhe shefi më kërkoi t’i thosha emrin e tij të vërtetë. Refuzova ta bëja këtë dhe ky ballafaqim u bë mjaft i njohur.

Pak pas kësaj ngjarjeje, e lashë punën dhe iu futa politikës. Fitova zgjedhjet në Nukulajlaj dhe u emërova Ministër i Tregtisë dhe i Burimeve Natyrore. Më vonë, kur popujt e ishujve të Kiribatit (më parë Gilbert) dhe të Tuvalusë (më parë Elise) po fitonin pavarësinë nga Britania, guvernatori më ofroi postin si drejtor i administratës së Tuvalusë. Por nuk doja të më shihnin sikur kisha lidhje me sundimin kolonial dhe e refuzova ofertën. Më pas kandidova pa mbështetjen e tyre në zgjedhjet e përgjithshme, për një post ministri në qeveri. Por humba. Pas kësaj, u riktheva në ishullin tim bashkë me gruan dhe vendosëm të bënim jetë fshati.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: E diela në ishuj ishte ditë sabati dhe konsiderohej e shenjtë nga të gjithë, përveç meje. Atë ditë shkoja për lundrim dhe për peshk. Nuk doja të njihesha si njeri fetar. Babai më thoshte sa i zhgënjyer ishte ai dhe të tjerët nga veprimet e mia. Por isha i vendosur të mos vihesha nën kontrollin e kishës.

Gjatë njërit prej udhëtimeve që bëra për në Funafuti​—ishulli ku ndodhet kryeqyteti i Tuvalusë​—vëllai i vogël më ftoi të shkonim në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Më vonë, një Dëshmitar misionar më dha një pirg revistash Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! për t’i lexuar. Më dha edhe një libër që demaskonte origjinën pagane të doktrinave që mësojnë kaq shumë kisha, të cilat e quajnë veten të krishtere. E lexova librin disa herë. Mësova mjaft gjëra befasuese nga Bibla, përfshirë faktin se të krishterët nuk janë të detyruar të mbajnë sabatin e përjavshëm. * Ia tregova këto gjëra gruas dhe ajo nuk vajti më në kishë.

Megjithatë isha betuar të mos përzihesha me fenë. Kaluan gati dy vjet, por s’mund t’i harroja gjërat që kisha mësuar. Me kohë, i shkrova misionarit në Funafuti dhe i thashë se isha gati të ndryshoja. Ai i hipi me vrap anijes së radhës dhe erdhi që të më ndihmonte të mësoja më shumë për Biblën. Babai u xhindos kur zbuloi se doja të bëhesha Dëshmitar i Jehovait. Megjithatë i thashë se kisha mësuar kaq shumë për Biblën nga Dëshmitarët, sa e kisha ndarë mendjen.

DOBITË: Në vitin 1986 u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait, kurse gruaja u pagëzua një vit më vonë. Edhe dy vajzat tona mësuan çfarë thotë Bibla dhe vendosën të bëheshin Dëshmitare të Jehovait.

Tani kam kënaqësinë t’i përkas një grupi fetar i cili, si të krishterët në shekullin e parë, nuk ka dallim në klerikë e besimtarë të thjeshtë. (Mateu 23:8-12) Gjithashtu ata ndjekin me përulësi shembullin e Jezuit dhe u predikojnë të tjerëve për qeverinë e Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 4:17) Sa mirënjohës i jam Perëndisë Jehova që më dha mundësinë të mësoja të vërtetën për të dhe për popullin e tij!

«Dëshmitarët nuk ma imponuan besimin.»​—ALEKSANDËR SOSKOVI

LINDUR: 1971

VENDI I LINDJES: RUSIA

MË PARË: INSTRUKTOR LUFTIMI TRUP ME TRUP

E KALUARA IME: Linda në Moskë që asokohe ishte kryeqyteti i Bashkimit Sovjetik. Familja ime jetonte në një pallat të madh dhe shumë nga fqinjët tanë punonin së bashku në të njëjtën fabrikë. Më kujtohet si ankoheshin për mua ngaqë isha fëmijë shumë mistrec dhe thoshin se nuk e kisha të gjatë ose do të përfundoja në burg. Në fakt, që kur isha dhjetë vjeç tashmë figuroja në dosjet e policisë.

Kur mbusha 18 vjeç, më thirrën në ushtri dhe shërbeva si rojë kufiri. U ktheva në shtëpi pas dy vjetësh dhe punova në një fabrikë, por nuk më pëlqente puna që bëja. Kështu që hyra në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Moskës dhe punova si instruktor luftimi trup me trup. Ndihmoja të arrestoheshin kriminelët e Moskës dhe shkoja në mjaft pika të nxehta në të gjithë vendin. Tensioni brenda meje ishte si minë pa sahat. Kur kthehesha në shtëpi, ndonjëherë më duhej të flija veçmas gruas, sepse kisha frikë mos e dëmtoja në gjumë.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Kur nisa të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, kuptova se jetesa e dhunshme që bëja nuk përputhej me normat e Biblës. Po ashtu, kuptova se duhej të mos pija më duhan dhe të pija alkool me karar. Megjithatë arsyetoja se nuk mund ta ndryshoja punën, meqë nuk dija të bëja gjë tjetër për të siguruar të ardhurat e familjes. Si dhe mendoja se nuk do të arrija kurrë të dilja në predikim, siç bënin Dëshmitarët.

Me kalimin e kohës u binda se dokumentimi biblik ishte i saktë. Gjithashtu mora zemër nga tregimi tek Ezekieli 18:21, 22. Ai fragment thotë: «Nëse i ligu largohet nga tërë mëkatet që ka kryer, . . asnjë nga shkeljet që ka bërë, nuk do të kujtohet kundër tij.»

Më pëlqente fakti që Dëshmitarët nuk ma imponuan besimin, por më ndihmonin të arsyetoja për atë që mësoja. U mora një tufë me 40 a më shumë revista dhe i lexova brenda tri javësh. Ajo që mësova më bindi se kisha gjetur fenë e vërtetë.

DOBITË: Para se të studioja Biblën, gruaja dhe unë ishim në prag të divorcit. Tani martesa jonë është përmirësuar. Gruaja filloi të studionte Biblën njëkohësisht me mua dhe vendosëm t’i shërbenim Jehovait së bashku. Tani, jeta jonë familjare është më e lumtur. Po ashtu, arrita të gjeja punë që nuk binte në kundërshtim me parimet biblike.

Kur fillova predikimin shtëpi më shtëpi, ndihesha shumë nervoz pasi ndjenjat e mëparshme, kur përfshihesha në aksione, më zienin përbrenda. Tani jam i sigurt se mund të qëndroj i qetë, edhe kur dikush përpiqet të më provokojë. Me kalimin e kohës kam mësuar të jem i durueshëm me njerëzit. Më vjen keq që e kam çuar dëm një pjesë të mirë të jetës, por tani kuptoj se ia vlen vërtet jeta që bëj. Me gëzim i harxhoj forcat që t’i shërbej Perëndisë Jehova dhe që të ndihmoj të tjerët.

[Shënimi]

^ par. 24 Për më shumë informacion, shih artikullin «A duhet mbajtur sabati i përjavshëm?» botuar në Kullën e Rojës të 1 shkurtit 2010, faqet 11-15.