Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Më kujto për mirë, o Perëndia im!»

«Më kujto për mirë, o Perëndia im!»

Afrojuni Perëndisë

«Më kujto për mirë, o Perëndia im!»

«MENDOJA se Jehovai që më njeh aq mirë, asnjëherë nuk do të më donte a të më miratonte.» Kështu shkroi një grua besnike e krishterë që ka luftuar me ndjenjat e pavlefshmërisë. A të kanë torturuar ndonjëherë ndjenja të tilla duke menduar se nuk e meriton vëmendjen e Perëndisë, e jo më miratimin e tij? Nëse po, fjalët e dokumentuara te Nehemia 13:31 mund të jenë inkurajuese për ty.

Nehemia, guvernator i judenjve në shekullin e pestë p.e.s., bëri çmos që t’i pëlqente Perëndisë. Ai i priu rindërtimit të mureve të Jerusalemit, me gjithë kundërshtimin e armiqve. Bëri që të zbatohej Ligji i Perëndisë, u kujdes për të shtypurit dhe u përpoq t’u forconte besimin bashkëkombësve izraelitë. A e vërejti Perëndia të mirën që bëri ky besnik? A e kishte miratimin e Jehovait Nehemia? Mund t’i marrim përgjigjet te fjalët përmbyllëse të librit që mban emrin e tij.

Nehemia lutet: «Më kujto për mirë, o Perëndia im!» * A ka frikë Nehemia se veprat e tij të mira kanë kaluar pa u vënë re nga Perëndia dhe se Ai do ta harrojë? Jo. Nehemia pa dyshim është në dijeni të fjalëve që shkrimtarët e mëparshëm të Biblës kanë thënë rreth interesit të sinqertë të Jehovait për adhuruesit besnikë dhe për veprat e tyre të mira. (Dalja 32:32, 33; Psalmi 56:8) Atëherë, çfarë po kërkon nga Perëndia? Një vepër referimi vëren se fjala hebraike e përkthyer «kujto» nënkupton «përzemërsinë që tregon mendja dhe veprimin që shoqëron kujtimin». Me besim të plotë te fuqia e lutjes, Nehemia i kërkon Perëndisë ta kujtojë me përzemërsi dhe ta bekojë.​—Nehemia 2:4.

A do t’i përgjigjet Jehovai lutjes së Nehemisë për ta kujtuar? Në një mënyrë tashmë e ka bërë. Vetë fakti që Jehovai e pa të përshtatshme të ruhej lutja e Nehemisë, duke e bërë pjesë të Shkrimeve të frymëzuara, na siguron se ai e kujton Neheminë me përzemërsi. Por ‘Dëgjuesi i lutjes’ do të bëjë shumë më tepër për t’iu përgjigjur lutjes me gjithë zemër të Nehemisë.​—Psalmi 65:2.

Perëndia do ta shpërblejë Neheminë për gjithë të mirat që bëri për adhurimin e pastër. (Hebrenjve 11:6) Do ta bekojë me ringjallje nga të vdekurit në botën e re e të drejtë që vetë Jehovai ka premtuar se do të vijë. * (2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4) Atje, me perspektivën e jetës së përhershme në një tokë parajsore, Nehemia do të shohë se Jehovai vërtet e ka kujtuar për mirë.

Lutja e Nehemisë provon vërtetësinë e fjalëve të mbretit David: «Ti do ta bekosh të drejtin, o Jehova, do ta mbulosh me miratimin tënd si me një mburojë.» (Psalmi 5:12) Po, Perëndia i vëren dhe i vlerëson përpjekjet tona të sinqerta për t’i pëlqyer atij. Për sa kohë bën më të mirën në shërbim të Perëndisë, mund të jesh i sigurt se do të të kujtojë me përzemërsi dhe do të të bekojë pa masë.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë shkurtit:

Nehemia 1-13

[Shënimet]

^ par. 3 Në librin biblik të Nehemisë ka katër raste ku ai i lutet Perëndisë ta kujtojë për të mirën që ka bërë. Ky është rasti i fundit.​—Nehemia 5:19; 13:14, 22, 31.

^ par. 5 Për më shumë informacion rreth qëllimit të Perëndisë për njerëzit besnikë, shih kapitujt 3 dhe 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.