Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
«Ky lajm i mirë për mbretërinë . . .»—MATEU 24:14.
NË PREDIKIMIN e famshëm në Mal, Jezui tha një lutje model që përfshin këtë kërkesë drejtuar Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote.» Miliona veta e kanë mësuar përmendsh këtë lutje dhe e kanë përsëritur shpesh. Sipas një enciklopedie, ajo është «lutja kryesore që e bëjnë të gjithë të krishterët në adhurimin e tyre». Por, shumë nga ata që e thonë përmendsh, nuk e dinë se çfarë është Mbretëria ose çfarë do të bëjë ajo kur të vijë.—Mateu 6:9, 10.
Kjo nuk është befasuese. Krerët e të ashtuquajturit krishterim japin shpjegime kontradiktore, pështjelluese e të ndërlikuara se çfarë është Mbretëria. Dikush shkruan se Mbretëria e Perëndisë është «diçka e mbinatyrshme, . . . një lidhje e brendshme me Perëndinë e gjallë . . . , diçka që e përjetojnë me Perëndinë, tek e cila burrat dhe gratë gjejnë shpëtim». Dikush tjetër e përshkruan ungjillin për Mbretërinë si «mësim rreth kishës». Dhe Katekizmi i Kishës Katolike thotë: «Mbretëria e Perëndisë [është] drejtësi, paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë.»
Në faqen 2 të kësaj reviste do të gjeni një shpjegim shumë më të qartë. Aty lexojmë: «Mbretëria e Perëndisë, e cila është një qeveri reale në qiell, së shpejti do t’i japë fund ligësisë dhe do ta kthejë tokën në një parajsë.» Le ta shohim se si Bibla e mbështet këtë kuptueshmëri.
Sundimtarët e ardhshëm të tokës mbarë
Një mbretëri është një qeveri që drejtohet nga një mbret. Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë është Jezu Krishti i ringjallur. Kurorëzimi i tij në qiell iu përshkrua në një vegim profetit Daniel, që shkroi: «Pashë në vegimet e natës dikë si një bir njeriu [Jezuin], i cili po vinte me retë e qiejve. Atij iu lejua të hynte tek i Lashti i Ditëve [Perëndia Jehova] dhe e afruan pranë, pikërisht përpara Tij. Atij iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët. Sundimi i tij do të zgjatë përgjithmonë dhe nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet.»—Danieli 7:13, 14.
Libri biblik i Danielit tregon edhe se Mbretëria do të themelohet patundshmërisht nga Perëndia, se do t’u japë fund të gjitha qeverive njerëzore dhe se nuk do Kapitulli 2 përshkruan një ëndërr të mbretit të Babilonisë që i ishte dhënë në mënyrë hyjnore. Në të ai pa një statujë tejet të madhe, që përfaqësonte ardhjen njëra pas tjetrës të fuqive botërore. Profeti Daniel e shpjegoi atë ëndërr. Ai shkroi se «në ditët e fundit» «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë».—Danieli 2:28, 44.
të rrëzohet kurrë.Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë nuk sundon i vetëm. Gjatë shërbimit në tokë, Jezui i siguroi apostujt besnikë se ata, bashkë me të tjerë, do të ringjalleshin në qiell e do të uleshin në frone. (Luka 22:28-30) Jezui nuk e kishte fjalën për frone të mirëfillta, pasi, siç tregoi, Mbretëria do të ishte në qiej. Bibla thotë se këta bashkësundimtarë vijnë «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb». Do të jenë «një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën».—Zbulesa 5:9, 10.
Pse është i mirë lajmi për Mbretërinë?
Vini re se Krishtit Jezu i është dhënë sundimi mbi të gjithë «popujt, kombet dhe gjuhët» dhe se ata që e shoqërojnë, do të «mbretërojnë mbi tokën». Po atëherë, cilët do të jenë nënshtetasit e kësaj Mbretërie? Ata që i përgjigjen pozitivisht lajmit të mirë që po predikohet sot. Te nënshtetasit përfshihen edhe ata që do të ringjallen në tokë dhe që do të kenë mundësinë për të jetuar përgjithmonë.
Bibla i përshkruan qartë bekimet që do të gëzojnë njerëzit nën Mbretërinë. Ja disa prej tyre:
«Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»—Psalmi 46:9.
«Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër.»—Isaia 65:21, 22.
«[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:3, 4.
«Në atë kohë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve. I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje.»—Isaia 35:5, 6.
«Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [e Jezuit] dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete.»—Gjoni 5:28, 29.
«Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—Psalmi 37:11.
Ky po që është lajm i mirë! Për më tepër, profecitë biblike që janë përmbushur tregojnë se është afër koha kur Mbretëria do ta vendosë sundimin e saj të drejtë mbi mbarë tokën.